Qeveria, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë shqyrtojnë rastin “Palermo”

Qeveria është duke e ndjekur rastin e ministrit të Drejtësisë Nikolla Tupançeski dhe prezencën e tij në ndeshjen e futbollit në Itali dhe pas shqyrtimit të të gjitha informatave dhe fakteve do të veprohet në përputhje me Kodin etik, informuan nga Qeveria. Të njëjtat informacione vijnë nga Këshilli Gjyqësor për gjyqtarin Llazar Nanev dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë për prokuroren Fatime Fetai, transmeton Portalb.mk.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit i bëri thirrje Qeverisë, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë që të hetojnë nëse ka shkelje të kodeve etike pasi Tupançeski, Fetai dhe Nanev fluturuan në Palermo në llogari të FFM-së dhe morën bileta VIP për ndeshjen e futbollit mes Maqedonisë dhe Italisë më 24 mars. Fluturimi çarter për në Palermo u organizua më 22 mars.

Prokurorja Fetai para dy ditësh tregoi fletëpagesat për agjencinë turistike “Gulliver”, e cila organizon aranzhimet për FFM-në. Data e pagesës është 28 mars. E pyetur se pse faturën e ka paguar faturën vetëm atëherë pasi publiku shtroi pyetjen se në shpenzimet e kujt kanë qenë funksionarët në Palermo, prokurorja e lartë Fatime Fetai ka thënë se ka paguar brenda afatit të dhënë në faturë.

Premtime se do ta shqyrtojë rastin “Palermo” ka edhe nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë.

Ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançeski, prokurorja Fatime Fetai, gjyqtari Llazar Nanev, kryetari i komunës së Strugës Ramiz Merko, ish-kryetari i komunës së Ohrit Nikola Bakraçeski dhe ish-kryeministri Vllado Buçkovski në ndeshjen e futbollit në Palermo ndërmjet Maqedonisë dhe Italisë, fluturuan falas, gjegjësisht në llogari të Federatës së Futbollit. Edhe Tupançeski edhe Fetai gjatë gjithë kohës kanë deklaruar se qëndrimin në Palermo e kanë paguar nga llogaritë private. Falas ishin edhe biletat në hapësirën e stadiumit.

Ndonëse Ministria e Drejtësisë premtoi se do të publikohen faturat e paguara për qëndrimin e ministrit Tupançeski në Palermo, opinioni ende nuk e ka parë këtë. Nga Tupançeski e dimë vetëm deklaratën e dhënë për disa media se këto janë çështje të parëndësishme dhe se ai ka qenë në Itali me shpenzimet e tij.

Në Kodi etik të Qeverisë, i promovuar nga koalicioni aktual qeveritar, shkruan (neni 17): “Bartësit e funksioneve ekzekutive gjatë kryerjes së funksioneve dhe detyrave nuk mund të marrin dhurata, përveç rasteve në masën dhe mënyrën e përcaktuar me Ligjin për shfrytëzimin dhe disponimin e sendeve shtetërore…Bartësit e funksioneve ekzekutive nuk mund të kërkojnë, të marrin ose të lejojnë një person tjetër në emër të tyre dhe për përfitimin e tyre të japin ose të marrin dhurata, shërbim ose ndonjë vlerë tjetër, ndihmë ose përfitim tjetër që lidhet me kryerjen e funksionit, gjegjësisht obligim, i cili mund të ketë ndikim ose në çfarëdo mënyre t’i vendosë në një vartësi ose detyrim të papërshtatshëm”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button