Biden: Të shohim nëse Rusia do t’i përmbahet asaj që thotë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka deklaruar se do të ndjekë se çfarë do të ndodhë më tej në terren pasi Rusia njoftoi se do të reduktonte ofensivën në dy qytete të Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Do të shohim. Kjo nuk do të thotë asgjë për mua derisa të shoh veprimet e tyre. Do të shohim nëse do t’i përmbahet asaj që thotë. Thjesht të shohim se çfarë kanë për të ofruar”, u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, Biden tha se SHBA dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të zbatojnë sanksionet gjithëpërfshirëse që vendosën ndaj Rusisë si hakmarrje për luftën e saj kundër Ukrainës dhe do të vazhdojnë të dërgojnë ndihmë ushtarake për të forcuar ushtrinë ukrainase.

Dje, zyrtarët rusë thanë në Stamboll se do të reduktojnë ndjeshëm aktivitetet ushtarake në drejtim të kryqytetit Kiev dhe qytetit verior ukrainas Chernihiv, në mënyrë që të rrisin besimin në bisedimet e ardhshme të paqes.

Dje në Stamboll përfundoi një takim tjetër i delegacioneve negociatore të Rusisë dhe Ukrainës. Takimi u mbajt në zyrën presidenciale në Dolmabahçe.

Deri më tani, në Bjellorusi janë zhvilluar disa raunde negociatash ndërmjet përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa bisedimet e fundit janë organizuar në formatin e një video-konference më 14 mars, por nuk u arritën rezultate konkrete.

Më 10 mars, Turqia priti ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës në Antalya, takim i nivelit më të lartë i dy vendeve që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi me sulmin rus më 24 shkurt, shkaktoi reagime të ashpra ndërkombëtare, duke çuar në vendosjen e sanksioneve të rrepta financiare kundër Moskës dhe inkurajoi eksodin e kompanive globale nga Rusia.

Që nga fillimi i luftimeve në Ukrainë, të paktën 1.179 civilë janë vrarë dhe 1.860 janë plagosur, sipas OKB-së. Në të njëjtën kohë, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, më shumë se 3,9 milionë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button