Europa dhe Guernika

Pamjet e trishta nga qytetet e bombarduara, që u ka mbetur vetëm emri, na kujtojnë pikturën “Guernika” (1937) të Pablo Pikasos-s (1881 – 1973), që u krijua pas luftës qytetare në Spanjë, kur aleatët nazistë të Frankos i sulmuan forcat republikane në qytezën Guernika dhe vranë shumë civilë.

Për këtë pikturë janë shkruar, shkruhen e do të shkruhen studime, por askush nuk e ka tagrin e së vërtetës, për sa kohë veprat gjeniale përftojnë interpretime të pafundme.

Pikasoja refuzoi të fliste për simbolikën e pikturës dhe e la të hapur çdo mundësi interpretimi të veprës së tij. Vetëm tha se me “Guernikën” e kishte shprehur neverinë “ndaj kastës ushtarake që e fundosi Spanjën në oqean të dhimbjes dhe vdekjes”.

Guernika” është vlerësuar si një kryevepër mbi tragjedinë, shkatërrimin, dhimbjen, pikëllimin, zhgënjimin apo shpërfytyrimin që e shkakton lufta. Ajo është quajtur ikonë e paqes; një protestë artistike kundër luftës; një vepër e simboleve dhe kodeve të fshehura ku gërshetohen imazhe nga koha reale, historike e mitike…

Shumë autorë, shumë interpretime.

Skyler Hanrath, në studimin “Simbolet te Guernika e Pikasos” (Rander, 2021), ka bërë një sintezë të interpretimeve mbi simbolikën e pikturës. Sipas tij, syri është simbolikë e syrit hakmarrës të Frankos ose syri vigjilent i Zotit; drita e simbolizon shkatërrimin; llamba e simbolizon bombardimin ajror të Guernikës; demi e simbolizon agresivitetin shtetëror, fashizmin, brutalitetin, dhunën, egërsinë, errësirën; Minotauri, kjo figurë mitologjike me trup njeriu dhe kokë bishe, që banon në qendër të labirintit, e simbolizon tiraninë moderne; kali që vdes e simbolizon popullin e Guernikës, i cili me krenari i kundërvihet të keqes, kurse, sipas disa studiuesve tjerë, kali e simbolizon edhe vdekjen e qytetërimit; gruaja simbolizon armiqtë e fashizmit; nëna që e përqafon fëmijën dhe duket si Shën Mëria, është edhe nëna guernikase; kafka është simbolikë e vuajtjes njerëzore; ushtari i copëtuar e simbolizon tmerrin e luftës, kotësinë, por edhe shpresën; shpata e simbolizon pamundësinë e guernikasve për t’iu kundërvënë teknologjisë ushtarake moderne; lulja e simbolizon të bukurën që i kundërvihet të keqes, pra është simbolikë e shpresës kundrejt kaosit; arlekinët janë simbolikë e humbjes së jetëve dhe e shkatërrimit; gjuhët me formë thike e simbolizojnë frikën dhe llahtarin; pëllumbi e simbolizon fundin e paqes; patkoi e simbolizon historinë islame të Spanjës; bishtat që digjen janë simbolikë për rrënojat e djegura të qytetit, pra në luftë të gjithë speciet i ekspozohen dhunës dhe sakatimit. Në këtë gjendje tmerri, shpresa simbolizohet nga vasha dhe rrezet e diellit

Skenat si te “Guernika” janë shfaqur gjatë shekullit XX dhe shfaqen në shekullin XXI. Janë shfaqur edhe në Ballkanin e viteve 90-të. Dhe kur u mendua se në Europë kishte përfunduar koha e luftërave, befas u rizgjua Minotauri. Lufta sërish i pushtoi ekranet, portalet, faqet e gazetave, sepse bota harron shpejt. Dhe ja Ukraina. “Guernika” mund të jetë secili qytet që bombardohet atje ose gjetkë.

Pasi gjërat morën ters, më nuk mund të flasim për një botë të sigurt europiane. Aty, sakaq, mund të rikthehen hijet e absurdit të luftës me të gjitha efektet përcjellëse.

Kemi gjendje të re. Europa më nuk mund të mendojë vetëm për spektakle, që nuk kanë pikëprerje me realitetin. Njeriu i Europës më nuk mund të jetë i përgjumur, sepse sërish mund të zihet në befasi. Më nuk mund të ketë besim të patundur tek elitat politike, sepse ato nuk arritën që t’i parashikonim dhe t’i parandalonin ngjarjet që ndodhën.

Në kohë tronditjesh të mëdha ndodh që në skenën politike të ngjiten populistët ose minotaurët tjerë. Kur bota ndodhet në udhëkryq, ata e shfrytëzojnë rastin për të bërë marrëzira. Për shkak të tyre lindin Guernika të reja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button