Inspektorati ka qenë në Jegunovc vitin e kaluar, nuk ka gjetur ndonjë parregullsi rreth pastrimit të kromit gjashtëvalent

Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor (ISHMJ) për herë të fundit ka bërë inspektim të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në fabrikën Jugohrom në Jegunovc, një vit më parë. Me kërkesë të Meta.mk, nga ISHMJ morëm informacion se më 24.03.2021 është bërë kontroll i rregullt dhe nuk janë konstatuar parregullsi në operim gjatë pastrimit të kromit gjashtëvalent në impiant, raporton Portalb.mk.

“Gjatë kontrollit është konstatuar se stacioni për trajtimin e ujërave të ndotura me Krom gjashtëvalent ka qenë në funksion dhe ka trajtuar deri në 60 m3 ujë të ndotur në ditë. “Gjithashtu u konstatua se është blerë pajisje – rezervuarë për deponimin e kimikateve të nevojshme për pastrimin e ujërave të ndotura (sepse depozitat e vjetra ishin të vjetruar dhe është dashur të ndërroheshin) dhe materiale harxhuese për nevojat e impiantit të trajtimit”, thuhet në raport, nga kontrolli inspektues i ISHMJ-së.

Megjithatë, ekipi i Meta.mk më shumë se një muaj më parë e vizitoi deponinë industriale afër stacionit hekurudhor në Jegunovc dhe vërejti ujë me ngjyrë karakteristike të verdhë-portokalli dhe të kuqe të errët pranë stacionit të pompimit në deponi, i cili i pa trajtuar derdhet në lumin Vardar. Në lokacion vumë re bimë të vdekura që ranë në kontakt me ujin, si dhe në atë lokacion ndjehej një erë të pakëndshme.

Meta.mk nga popullata vendase në Jegunovc mori sqarim se pompat që duhet të pompojnë ujin e ndotur në termocentralin nuk arrijnë të mbledhin të gjithë sasinë e ujit të ndotur në kushte kur niveli i ujërave nëntokësore është i lartë. Në raste të tilla, teprica e kontaminuar me krom gjashtëvalent derdhet drejtpërdrejt në lumin Vardar.

Njëkohësisht, nga biseda me punonjësit në impiantin e trajtimit në fabrikën “Jugohrom” mësuam se ata pastrojnë 60 metra kub ujë, ndonëse objektet dhe përvoja e tyre nga e kaluara kanë qenë që të pastrojnë deri në 600 metra kub ujë në ditë, ose 10 herë më shumë se sot. Për të rritur vëllimin e punës, në impiantin e trajtimit është e nevojshme që puna të kthehet në tre turne nga gjashtë orë secila, por edhe të krijohet Departamenti i Ekologjisë që do të analizojë gjendjen me ujërat e lumit Vardar. Në momentin e vizitës sonë nuk ka funksionuar as mbledhësi i sedimentit nga uji i pastruar që derdhet në lumin Bistrica.

Ndryshe, Meta.mk ka shkruar edhe për hulumtimin e publikuar në vitin 2019 nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë me titull “Origjina e ujërave të burimit Rashçe dhe aspektet e mbrojtjes së tyre”, nga një grup profesorësh nga Fakulteti Teknologjik dhe Metalurgjik në Shkup. Prania e kromit gjashtëvalent në ujërat që gravitojnë drejt burimit të Rashçes vërtetohet edhe në këtë hulumtim.

Në këtë punim, autorët, bazuar në testet e bëra në ujërat në tridhjetë lokacione në fshatrat Kopanicë, Raotincë, Jegunovc, Dvorcë, Radushë dhe Rashçe, rekomandojnë të hulumtohet dhe zgjidhet problemi me bimët e kontaminuara me Cr 6+ dhe deponinë industriale të fabrikës “Jugohrom” dhe të zvogëlojë ndikimin e tyre në akuiferin e Gjedenit, e me këtë edhe në ujërat e burimit të Rashçes, si dhe të përkufizojë transportin e kromit tashmë të hyrë nëpër masivin e Gjedenit si rrezik potencial për cilësinë e ujit të burimit Rashçe.

NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup atëherë na thanë se ata bëjn teste për praninë e kromit gjashtëvalent, por deri më tani nuk është vërejtur në pikat matëse që drejtpërdrejt ndikojnë në burimin e ujit në Rashçe, nga ku Shkupi furnizohet me pije për pije. Ata pohojnë se një përqendrim i ngritur i kromit gjashtëvalent është vërejtur vetëm në një pikë – piezometrin në Jegunovc, por nuk ka asnjë efekt në burimin Rashçe.

Nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor për Meta.mk kanë thënë se kompetencat e tyre lidhur me kromin gjashtëvalent në Jegunovc janë ekskluzivisht në pjesën e inspektimeve që mund t’i kryejnë, ndërsa për zgjidhje për deponinë industriale në Jegunovc ata referojnë në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. (MMJPH).

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sqaruan më herët se zgjidhje afatgjatë është rehabilitimi i deponisë industriale. Një nga opsionet është depozitimi i mbeturinave, gjegjësisht riparimi i zonës. Kompani që do të largojë mbetjet nuk është përzgjedhur deri më tani, ndërsa një studim fizibiliteti i vitit 2007 thotë se për rehabilitimin e deponisë do të nevojiten mbi 20 milionë euro. Kjo shumë nga këndvështrimi i sotëm konsiderohet të jetë shumë më e lartë. Mundësia e dytë, sipas ekspertëve, është që deponia të ndërtohet sipas standardeve të duhura, me një vaskë betoni ose foli mbrojtëse në terren, të cilat do të parandalojnë plotësisht kontaktin e kromit gjashtëvalent me ujërat nëntokësore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button