Për momentin nuk ka indikacione për kërcënime të drejtpërdrejta ndaj Maqedonisë së Veriut, vlerësoi ministrja Petrovska

Ministrja e Mbrojtjes vlerëson se situata e sigurisë në vend është e qëndrueshme dhe se deri më tani nuk janë regjistruar ndërhyrje për kërcënime hibride apo veprime më të rënda, raporton 360 shkallë, përcjell Portalb.mk.

Situata jonë e sigurisë është e qëndrueshme. Për momentin nuk ka të dhëna për kërcënime të drejtpërdrejta ndaj nesh në aspekt të sigurisë. Deri më tani nuk janë regjistruar ndërhyrje në aspektin e kërcënimeve hibride apo veprimeve më serioze, por disa institucione në vend, që janë përgjegjëse, raportojnë çdo ditë dhe merren me disa forma të vogla të këtyre dukurive, tha sot ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, pas prezantimit të sistemit të ri të brendshëm për Menaxhimin e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Sa i përket kërcënimeve hibride, Maqedonia si pjesë e NATO-s, por edhe si shtet në Ballkan në përgjithësi, është vazhdimisht nën një presion apo kërcënim potencial”, tha Petrovska.

Shtoi se një nga përfitimet kryesore të anëtarësimit në NATO është se Maqedonia ka kapacitet për të garantuar sigurinë e saj, por është gjithashtu pjesë e sistemit të sigurisë kolektive të Aleancës.

Në pyetjen e një gazetari se cilat janë arsyet e dëbimit të diplomatëve rusë dhe nëse ato kanë të bëjnë me sigurinë e vendit, ministrja Petrovska theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme është kompetente të reagojë ndaj informacioneve që merr nga shërbimet e sigurisë dhe të inteligjencës.

“Bëhet fjalë për një rast kur është shkelur Konventa e Vjenës për Sjelljen e Diplomatëve në vendin tonë. Që do të thotë se me veprimet e tyre në njëfarë mënyre i kanë shkelur, i kanë tejkaluar autorizimet e tyre”, tha Ministrja e Mbrojtjes.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për sigurinë e informacioneve që shkëmbehen me aleatët, ministrja Petrovska sqaroi se shkëmbimi i informacioneve që ata marrin dhe i kthejnë nëpërmjet sistemit të komunikimit të kanaleve të NATO-s është i sigurt dhe është sistem që menaxhohet dhe operohet nga strukturat e NATO-s.

E pyetur për vendosjen e trupave tona në krahun lindor të NATO-s, çështje për të cilën u diskutua në Bruksel, çfarë lloj pajisjeje dhe çfarë kërkohej nga vendi ynë, Petrovska ishte e prerë se nuk bëhet fjalë për dërgimin e trupave të Armatës së Maqedonisë, por për nevoja për të forcuar krahun lindor të NATO-s, që zbatohet nga të gjithë 30 aleatët. Vendet që janë përcaktuar se ku do të rritet prania e forcave të NATO-s, informoi ajo, janë Bullgaria, Rumania, Polonia dhe Hungaria.

“Kjo bëhet në përputhje me planet për vendosjen e NATO-s, në të cilat Maqedonia nuk është përfshirë sepse janë bërë deri në vitin 2016, por për shkak të angazhimit të shtuar do të jetë e qartë nevoja për përfshirje të vendit tonë. Megjithatë, ne ende nuk kemi marrë vendim për përfshirje të tillë shtesë dhe as nuk kemi folur si shtet. “Duke pasur parasysh dinamikën në terren, nëse një gjë e tillë kërkohet konkretisht nga ne, ne do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat”, tha Petrovska.

Lidhur me atë se a jemi të gatshëm, ajo theksoi se Armata është gjithmonë e gatshme t’u përgjigjet sfidave që janë në kuadër të detyrave që ajo i ka.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button