Rritja e rrogës së arsimtarëve, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Sindikata në takim u pajtuan për vazhdimin e dialogut

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë kanë zhvilluar takim me kërkesë të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, për të diskutuar për rrogat e mësimdhënësve , transmeton Portalb.mk.

“Në takim u bisedua për kërkesën e SASHK-ut ku u vendos që Qeveria të jetë e hapur për vazhdimin e dialogut me qëllim gjetjen e zgjidhjes sistematike dhe të qëndrueshme, duke vendosur kornizë që do të mbrojë standardin dhe integritetin e kuadrit të mësimdhënësve”, deklarojnë nga Qeveria.

Në takim morën pjesë edhe ministrat Jeton Shaqiri, Fatmir Besimi dhe Fatmir Bytyqi; ndërsa nga Sindikata morën pjesë edhe anëtarët e Këshillit të SASHK-ut.

Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov, gjatë ditës ka njoftuar që ka pranuar ftesë për dialog nga kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ndryshe, kjo Sindikatë ka paralajmëruar grevë të përgjithshme në arsim nga 11 prilli, pasi Qeveria nuk vendosi deri më 15 mars në lidhje me rritjen e pagës.

 

“Kemi një tekst të marrëveshjes kolektive të përgatitur nga grupet punuese të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe SASHK-ut. Ajo që ne kërkojmë është harmonizimi me pagën minimale prej 18 mijë me kontrata kolektive, ajo të inkorporohet në kontratat kolektive, ku bazë për llogaritjen e pagës do të jetë paga minimale kombëtare. Duke qenë se paga minimale do të jetë 18.000 denarë, atëherë baza do të jetë 18.000 denarë, e cila do të shumëzohet me faktorin përkatës të kompleksitetit të vendit të punës. Në këtë mënyrë do të shmanget barazuesi, që po rritet gjithnjë e më shumë tash e disa vite – njerëzit me punë të ndryshme dhe kompleksitete të ndryshme të punës marrin të njëjtën pagë”, pati deklaruar para një muaji Nedellkov.

Nedellkov thotë se ky model i përllogaritjes së pagave tashmë aplikohet në kulturë dhe shpreson se do të gjejë zbatim në arsim dhe mbrojtje të fëmijëve.

“Punonjësit në fushën e arsimit dhe mbrojtjes së fëmijëve meritojnë paga më të larta dhe duhet t’i marrin ato. Këto ditë do të takohemi me ministrin dhe do të shohim se çfarë do të vendoset. Rritje të pagave do të ketë, ndërsa rritjen e pagës do ta marrin nga prilli. Nëse nuk gjejmë zgjidhje të përbashkët, do të futemi në grevë. Sipas Ligjit për paga dhe marrëveshjes kolektive, pagat duhet të jenë shumë më të larta” shprehej i vendosur Nedellkov.

Nëse kemi parasysh se paga minimale në vend është 18.000 denarë, numër ky që shumëzohet me koeficientin e kompleksitetit të punës, i cili për pozitën mësues në arsimin fillor është 2.503, atëherë del se paga e një mësues duhet të jetë 45.054 denarë. Për një profesor në arsimin e mesëm ky koeficient është 2.533, që do të thotë se paga e arsimtarit në arsimin e mesëm duhet të jetë 45.594 denarë. Për pozitën e pastruesit koeficienti është 1.3, që do të thotë se një pastruesit në shkollë do të merrte pagë prej 23.400 denarë.

Ndryshe, më 7 shkurt u arrit marrëveshje me Lidhjen e Sindikatave dhe punëdhënësit në lidhje me kërkesën për pagë minimale prej 18.000 denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button