Xhaferi- kolegëve nga parlamentet e BE-së: Është koha ta ktheni vizionin tuaj në veprim dhe më në fund t’i fillojmë negociatat

Me një apel për “përshtatje sa më të shpejtë të narrativës evropiane për zgjerimin, duke pasur parasysh ndryshimin drastik aktual në mjedisin evropian të sigurisë, ekonomik dhe energjetik dhe pasojat afatgjata që do të ketë në kontinentin tonë”, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talatm Xhaferi e përfundoi fjalimin e tij paraditen e sotme në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Bashkimit Evropian, që po mbahet në Bërdo afër Kranjit, Slloveni, transmeton 360 Shkallë.

“Është koha që vizioni juaj për të ardhmen e Evropës të shndërrohet në veprim. Procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë me dinamikë më të madhe dhe negociatat e anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të fillojnë përfundimisht – sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Xhaferi.

Xhaferi po merr pjesë për të dytën ditë në konferencën me temë “Bashkimi Evropian si garantues i stabilitetit, sigurisë dhe progresit në rajon (dhe më gjerë)”, organizuar nga Kuvendi Kombëtar i Sllovenisë, në kuadër të presidencës së mëparshme sllovene të Këshillit të BE-së. Në konferencë marrin pjesë kryetarët e parlamenteve të shteteve anëtare të BE-së, të vendeve kandidate dhe partnerët e Parlamentit Evropian.

Sipas Xhaferit, stabiliteti, siguria dhe prosperiteti i Maqedonisë së Veriut në dekadat e kaluara janë kryesisht për shkak të mbështetjes së madhe në baza të ndryshme nga Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë. Në këtë kontekst, ai veçoi katër momente kryesore në historinë e përbashkët të vendit me BE-në:

“Momenti i parë është vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1995, e cila hapi mundësi për bashkëpunim në disa fusha me interes të ndërsjellë, veçanërisht në bashkëpunimin që zhvillohet përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Momenti i dytë është kontributi juaj në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit në vitin 2001, me të cilën sot festojmë bashkëjetesën në vendin tonë dhe momentin kur e shmangëm fatin që përjetuan shumica e fqinjëve tanë në rajon. Momenti i tretë lidhet me përfshirjen tuaj të drejtpërdrejtë në tejkalimin e krizës më të madhe politike në vendin tonë në vitin 2015 dhe përpjekjet që keni bërë që ne të kthehemi në rrugën tonë të integrimit. Dhe momenti i katërt është mbështetja juaj për tejkalimin e çështjeve të hapura me Greqinë dhe Bullgarinë, si pjesë e parakushteve për fillimin e negociatave tona për anëtarësim në BE”, tha Xhaferi.

E mirëpresim, siç tha ai, bashkëpunimin shumëvjeçar me Parlamentin Evropian, veçanërisht në kuadër të dialogut “Jean Monnet”, i cili kontribuon ndjeshëm në promovimin e dialogut politik në Parlamentin tonë.

“Qëllimi i kësaj retrospektive ishte riafirmimi i rolit të padiskutueshëm të Bashkimit Evropian në atë që është sot Maqedonia e Veriut: Demokracia funksionale, një vend që shërben si shembull i multikulturalizmit, multikonfesionalizmit dhe multietnicitetit në rajon dhe më gjerë, një vend që zgjidh në mënyrë paqësore “çështjet e hapura me fqinjët dhe një vend që ka bërë çdo përpjekje për të përmbushur reformat komplekse dhe kriteret për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Xhaferi.

Ndryshe, Xhaferi përkujtoi se vendi është partner i përkushtuar i BE-së, i cili në mënyrë aktive kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin e saj, veçanërisht në kohët e fluksit të refugjatëve, siç ishte kriza e vitit 2015.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button