RMV, rreth 350 persona me aftësi të kufizuara do të marrin mbështetje përmes Planit operativ për punësim

Një miliard e 800 milionë denarë ose rreth 30.000 euro janë paraparë për Planin operativ për punësim për vitin 2022, që është për pesë milionë denarë më shumë se vitin e kaluar, transmeton Portalb.mk.

Me planin, i cili është miratuar nga Qeveria do të përfshihen 14.685 persona të papunë, me theks të veçantë të rinjtë e papunë deri në 29 vjeç, të papunët afatgjatë, personat me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e asistencës minimale të garantuar.

“Qëllimi i Planit operativ është që kategoritë e ndryshme vulnerabël të të papunëve, të rinjve, grave, personave me aftësi të kufizuara, përfituesve të asistencës minimale të garantuar dhe personave që kanë humbur punën për shkak të korona-krizës, të kenë akses më të mirë dhe më të lehtë në fuqinë punëtore në treg”, tha në prezantimin e Planit operativ ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska.

Drejtori i Agjencisë për punësim Bekim Murati, në prezantimin e sotëm të Planit operativ për punësim, tha se plani përmes një fondi të veçantë parasheh mbështetje për punësimin e drejtpërdrejtë të 350 personave me aftësi të kufizuara.

“Përmes fondit të posaçëm është paraparë mbështetje për punësimin e drejtpërdrejtë të 350 personave me aftësi të kufizuara. Përmes trajnimeve për kualifikime profesionale dhe trajnime profesionale sipas kërkesave të punëdhënësve, 350 të papunë do të mund të fitojnë kualifikime të kërkuara në tregun e punës, ndërsa përmes trajnimeve për profesionet e kërkuara 500 të papunë do të fitojnë aftësi që do t’i bëjnë më konkurrues dhe do të rrisin mundësinë e punësimit të tyre”, tha drejtori i Agjencisë për punësim.

Ministrja Trençevska theksoi se vazhdon implementimi i Programit për vetëpunësim, gjegjësisht përkrahja e të papunëve për hapjen e bizneseve të veta me grante në vlerë prej pesë mijë euro për një të vetëpunësuar, përkatësisht 10 mijë euro nëse paraqiten dy partnerë.

Për këtë masë, siç theksoi ajo, janë paraparë mjete për dy mijë punësime direkte, për realizimin e të cilave do të ndahen diçka mbi 672 milionë denarë, gjegjësisht rreth 10,9 milionë euro ose 2,6 milionë euro më shumë se vitin paraprak.

“Planin operacional e krijuam edhe sipas masës së të rinjve, pasi ata janë e ardhmja jonë dhe çdo nxitje dhe investim tek të rinjtë është investim për të ardhmen e vendit. Përmes planit, ulim papunësinë e të rinjve, por në të njëjtën kohë, duke ruajtur vazhdimësinë në zbatimin e masës, trajnimi i avancuar i aftësive të TI-së sigurojmë para së gjithash qëndrueshmëri, vende pune me pagë të lartë dhe atraktive, gjë që reflekton edhe mbi motivimin e tyre të qëdnrojnë në vend. Të vetëdijshlm për nevojat e reja të tregut të punës për këtë vit, siguruam 424 trajnime për aftësi të avancuara IT për të rinjtë e papunë”, tha Trençevska.

Sipas drejtorit të Agjencisë për punësim Bekim Murati, për programin më të kërkuar nga ana e personave të papunë – vetëpunësim edhe këtë vit është siguruar përfshirja më e lartë deri më tani, përkatësisht është ofruar mbështetje financiare për hapjen e biznesit tuaj për dy mijë persona.

Gjatë zbatimit të masave nga plani do të respektohen tre parime – parimi i kthimit më të shpejtë në punë të personave që kanë humbur punën për shkak të pandemisë, parimi i diversitetit dhe gjithëpërfshirjes dhe parimi i zhvillimit të balancuar rajonal.

Shpalljet e para për masat do të publikohen më 5 prill.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button