Geer: Qytetarët e RMV-së patjetër duhet të shohin gjyqësorin të veprojë

Euroambasadori i Bashkimit Evropian David Geer, thotë se përkundër reformave që janë bërë në sistemin gjyqësor në vend, ende ka shumë punë për tu bërë dhe ajo që është më kryesorja qytetarëve duhet t’u rikthehet besimi në gjyqësor. Ditë më parë edhe ambasadorja e SHBA-ve në vend theksoi se qytetarët duhet të sigurohen se çështja e tyre do të shqyrtohet nga gjykata neutrale dhe të pavarura brenda një kohe të arsyeshme, shkruan Portalb.mk.

Geer nuk deshi të komentojë në lidhje me punën e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut, pasi siç tha nuk i takon të komentojë për çështje të brendshme. Por theksoi se vendi ka përparim në procesin e reformave.

“Komisioni Evropian çdo vit publikon raportin e progresit për vendin tuaj në të cilin shihet se ka progres në të gjitha sferat. Sa i përket gjyqësorit është evidentuar se është bërë progres por sigurisht që ende ka ende punë për t’u bërë. Ndryshimi i fundit që do të bëhej do të jetë kur qytetarët janë të bindur se ka një sistem gjyqësor që është profesional dhe i pavarur. Për të ndodhur kjo merr kohë dhe qytetarët patjetër duhet t’i shohin gjykatësit dhe gjyqësorin të veprojë. Është bërë progres, por ka ende shumë punë për të bërë”, tha David Geer.

Mosbesimin e qytetarëve të vendit te gjykatësit dhe gjyqësori e theksoi edhe ambasadorja e SHBA-ve në vend para disa ditëve. Referuar sondazhit të fundit të Eurothink-ut ku vetëm 8% e qytetarëve ishin shprehur se i besojnë gjyqësorit, Kate Marie Byrnes theksoi se qytetarët duhet të shohin sistem funksional.

“Nuk është sekret që publiku nuk beson në drejtësi. Në fakt, një sondazh i fundit i Eurothink tregoi se vetëm 8% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut i besojnë gjyqësorit dhe prokurorisë. Duket qartë, ka shumë punë për të bërë, përfshirë reformën në drejtësi dhe forcimin e institucioneve, por duhet të adresohen edhe perceptimet – njerëzit duhet të shohin dhe të ndjejnë se sistemi funksionon. Qytetarët duhet të sigurohen se çështja e tyre do të shqyrtohet nga gjykata neutrale dhe të pavarura brenda një kohe të arsyeshme. Ky është një parim themelor në çdo demokraci të lirë dhe funksionale. Kthimi i besimit të publikut mund të arrihet vetëm nëse të gjithë gjyqtarët bëjnë më shumë se sa pritej prej tyre kur e dhanë betimin”, tha Kate Marie Byrnes.

Ndryshe, ambasadori i Bashkimit Evropian, David Geer i pyetur nga Portalb.mk tha se lufta në Ukrainë nuk ndikon në procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, përkundrazi e rithekson rëndësinë e saj. Ndërkaq i pyetur për atë se a do të hapen negociatat këtë vit, Geer tha se duan që të njëjtat të hapen sa më shpejtë, pa dhënë përgjigje konkrete po ose jo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button