Buçkovski për zhvillimin e mundshëm të dialogut Shkup-Sofje: Javët e ardhshme janë kyçe

Ish-kryeministri i Maqedonisë Vllado Buçkovski, i cili deri në janar të këtij viti ishte i dërguari special i qeverisë së Maqedonisë për Bullgarinë, është i kujdesshëm në vlerësimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjes maqedono-bullgare, duke pasur parasysh ndryshueshmërinë e pikëpamjeve të opozitës bullgare, shkruan “Deutsche Welle”, transmeton Portalb.mk.

Ai e konsideron të habitshme deklaratën e djeshme optimiste të kryeministrit bullgar Kiril Petkov, duke pasur parasysh, siç thotë ai, brifingun e së shtunës të ministrit Osmani, në të cilin tha se ka një konvergjencë të qëndrimeve, por asgjë më shumë se kaq.

“Vigjilenca e Osmanit bazohet në negociatat për pakon 4+1, kurse optimizmi i Petkovit bazohet në gjoja progresin e Komisionit të përbashkët për çështje historike dhe arsimore. Ata, sipas informacioneve në dispozicion, në takimin e kaluar kanë biseduar për harmonizimin e teksteve shkollore. Nëse do të ketë përparim, duhet të jetë për mbretin Samuel. Në rrethana të tilla, kur lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj imponojnë urgjencën në mbylljen e mosmarrëveshjes dypalëshe, javët e ardhshme do të jenë vendimtare”, tha Buçkovski.

Takimi i shtyrë në Shkup ndërmjet Osmanit dhe Gençovskës, konsideron Buçkovski, është kompensuar me dy takimet e Kovaçevskit dhe Petkovit – një në Bruksel dhe një në Sofje.

Ai thotë se nuk është i sigurt se progresi i Komisionit të përbashkët për çështje historike dhe arsimore do të mund të kompensojë pikën kritike të ndryshimit të Preambulës së Kushtetutës së Maqedonisë, para heqjes së bllokadës, nëse kjo tendencë është që kjo të ndodhë deri në fund të presidencës franceze të BE-së.

“Dhe të mos harrojmë edhe një gjë. Një apo dy muaj më parë, GERB i ofroi qeverisë në parlament ndihmë për kompromis të mundshëm dhe një Deklaratë të re për heqjen e bllokadës. Por pas arrestimit të Borisovit, gjërat kanë ndryshuar në mënyrë dramatike. Nuk pres që GERB të mbështesë qeverinë për asgjë, por ka më shumë gjasa që ajo të përpiqet të përçajë koalicionin qeverisës për ‘çështjen maqedonase'”, tha Buçkovski.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button