Dita 34: Ukraina dëshiron 8 vende, përfshirë Turqinë, si garantuese në një marrëveshje me Rusinë

Delegacionet ruse dhe ukrainase kanë mbërritur tani në Dolmabahçe – zyra e Presidentit Erdogan në brigjet e Bosforit në Stamboll. Këto janë bisedimet e para ballë për ballë pas mbi dy javësh, por shpresat për ndonjë përparim janë të ulëta. Erdogan foli për “dhimbjen e tij të thellë” që konflikti ka hyrë në javën e tij të pestë, duke thënë se miqësia e Turqisë me të dy vendet i dha asaj detyrimin për të ndërmjetësuar. “Është në duart e të dyja palëve ta ndalojnë këtë tragjedi”, tha ai. Turqia është anëtare e NATO-s, por ruan lidhje të forta me Rusinë. Erdogan i ka rezistuar bashkimit me sanksionet e Perëndimit kundër Moskës – një nga vendet e pakta që vazhdon ta bëjë këtë, transmeton Portalb.mk.

22:40 – Ukraina dëshiron 8 vende, përfshirë Turqinë, si garantuese në një marrëveshje me Rusinë

Kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, u tha gazetarëve jashtë zyrës presidenciale Dolmabahçe se bisedimet në Stamboll ishin “konstruktive”

David Arakhamia nga delegacioni ukrainas për bisedimet e paqes ka deklaruar se Ukraina dëshiron tetë vende, përfshirë Turqinë, si garantuese në një marrëveshje me Rusinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas bisedimeve të paqes në Stamboll, Arakhamia këtë e njoftoi para mediave.

Ndërkohë, Mykhailo Podolyak, krye-negociatori ukrainas dhe këshilltar i presidentit Volodymyr Zelenskyy, tha se Krimea do të jetë çështje e një pjese të veçantë të negociatave me Rusinë.

Kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, u tha gazetarëve jashtë zyrës presidenciale Dolmabahçe se bisedimet në Stamboll ishin “konstruktive”.

Medinsky po ashtu tha se presidentët e dy vendeve mund të takohen kur të miratohet një draft i një traktati të paqes.

Dita e parë e një raundi të ri të bisedimeve dy-ditore të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga Turqia, sapo përfundoi.

Para fillimit të bisedimeve në Dolmabahçe, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, derisa lufta ruse në Ukrainë ka vazhduar për më shumë se një muaj.

“Besojmë se vetëm nga një paqe nuk do të ketë humbës. Zgjatja e konfliktit nuk është në interesin e askujt”, tha Erdoğan në hapjen e takimit midis dy delegacioneve.

Dje, presidenti Erdoğan tha se bisedimet telefonike me homologun e tij ukrainas dhe atë rus po vazhdojnë në “drejtim të favorshëm”.

Para bisedimeve të paqes në Stamboll, krerët e delegacioneve ukrainase dhe ruse zhvilluan një takim kokë më kokë.

“Delegacionet po punojnë paralelisht në të gjithë spektrin e çështjeve të diskutueshme”, shkroi Podolyak në Twitter, duke shpërndarë një foto nga takimi.

Në këto bisedime i pranishëm është edhe miliarderi rus, Roman Abramovich. Ai zhvilloi bisedime në Moskë dhe Lviv në fillim të këtij muaji në përpjekje për të ndërmjetësuar midis dy vendeve.

Sipas mediave amerikane, oligarku rus nuk u përfshi në listën e sanksioneve të SHBA-së për shkak të përpjekjeve të tij si ndërmjetës.

Më herët, Wall Street Journal pretendoi se Abramovich së bashku me negociatorët ukrainas të paqes pësuan një helmim të dyshuar në Kiev, ndërsa pala ukrainase mohoi akuzat, duke theksuar se negociatorët po punojnë normalisht.

Derisa delegacionet kaluan në një pushim për drekë, Podolyak në rrjetet sociale shkroi: “Garanci të pakushtëzuara të sigurisë për Ukrainën, armëpushim, vendime efektive për korridoret humanitare dhe autokolonat humanitare, si dhe respektim i rregullave dhe zakoneve të luftës nga palët. Negociata të vështira për paqen në vendin tonë. Tani në Stamboll”.

Disa raundi bisedimesh midis Rusisë dhe Ukrainës janë mbajtur në Bjellorusi, përfshirë një përmes video-konferencës më 14 mars, por deri më tani nuk është arritur ndonjë rezultat konkret.

Turqia ishte në titujt kryesorë në mbarë botën më 10 mars për pritjen e shefave të diplomacisë ruse dhe ukrainase në qytetin jugor Antalya, takim i nivelit më të lartë të të dy palëve që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Edhe pse palët nuk arritën një marrëveshje për armëpushim, ata ranë dakord të vazhdojnë negociatat mbi konfliktin.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është përballur me dënime ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.151 civilë janë vrarë dhe rreth 1.850 të tjerë janë plagosur që kur Rusia filloi luftën kundër Ukrainës më 24 shkurt, por theksohet se shifra e vërtetë e viktimave është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se po ashtu mbi 3,9 milionë refugjatë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje, ndërkohë me miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

22:10 – Biden: Do të shohim nëse Rusia ndjek planin për shtensionim

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë bërë thirrje për kujdes, pasi Rusia ka thënë se do të “zvogëlojë në mënyrë drastike” sulmet afër Kievit dhe Çernihivit në Ukrainë.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka kërkuar po ashtu kujdes.

“Nuk lexoj asgjë derisa të shoh se cilat janë veprimet e tyre. Do të shohim nëse realizojnë atë për të cilën po flasin. Ka negociata që po vazhdojnë, në Turqi dhe tjerat”.

“Është realizuar takim mes krerëve të katër shteteve aleate të NATO-s, Francës, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe – dhe aty ka pasur pajtueshmëri që të presim se çfarë do të ofrojnë ata”.

Biden ka qenë duke folur para gazetarëve pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Singaporit, Lee Hsien Loong.

Ukraina dhe Rusia kanë shënuar përparim në bisedimet e para sy më sy, pas më shumë se dy javësh, pasi Moska është zotuar për zvogëlim të operacioneve ushtarake rreth Kievit dhe veriut të Ukrainës, dhe Ukraina ka thënë se do të pranojë statusin e shtetit neutral.

Delegacionet nga të dyja palët kanë zhvilluar bisedime në Stamboll, teksa forcat ruse vazhdojnë të hasin në rezistencën ukrainase edhe pas më shumë se një muaji prej kur kanë nisur pushtimin e këtij shteti.

18:24 – Katër vende evropiane dëbojnë diplomatë rusë

Katër shtete evropiane – Holanda, Belgjika, Irlanda dhe Republika Çeke – kanë njoftuar më 29 mars për dëbime masive të diplomatëve rusë, nën dyshimet për spiunim. Holanda ka njoftuar se do të dëbojë 17 diplomatë rusë, të cilët Ministria e Jashtme holandeze, ka thënë se janë zyrtarë të inteligjencës ruse.

Belgjika ka thënë se do të dëbojë 21 diplomatë rusë, Irlanda, katër dhe Republika Çeke, një diplomat. Ministria e Jashtme holandeze ka thënë përmes një deklarate se ambasadorit rus i është kumtuar lajmi për dëbimet.

“Arsyeja është se ka informacione që tregojnë se këta persona në fjalë, të akredituar si diplomatë, kanë qenë duke vepruar fshehurazi si zyrtarë të inteligjencës”, është thënë në deklaratë.

Diplomatët duhet të largohen nga Holanda brenda dy javëve, ka thënë Ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra.

Megjithatë, ai nuk ka treguar se në çfarë aktivitete spiunimi janë përfshirë këta zyrtarë. Një total prej 75 diplomatëve rusë janë të akredituar në Holandë, dhe tani atje do të mbesin 58. Ministria e Jashtme irlandeze ka thënë se dëbimet kanë ndodhur pasi aktivitetet e diplomatëve “nuk kanë qenë në përputhje me standardet ndërkombëtare për sjellje diplomatike”.

Në deklaratë është thënë se Qeveria e Irlandës “vazhdon të besojë se kanalet diplomatike mes Irlandës dhe Federatës Ruse mund të mbesin të hapura”. Ministria e Jashtme çeke ka njoftuar se diplomatit rus – që ka vendosur ta dëbojë – i ka dhënë 72 orë kohë për t’u larguar.

“Së bashku me aleatët, ne jemi duke zvogëluar prezencën e inteligjencës ruse në Bashkimin Evropian”, ka thënë Ministria çeke.

16:28- Zelensky: Evropa duhet të ndalojë së dëgjuari çdo justifikim të bërë për Rusinë

“Evropa duhet të ndalojë së dëgjuari çdo justifikim të bërë për Rusinë”, tha sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Duke iu drejtuar ligjvënësve danezë përmes video-lidhjes, Zelenskyy tha se Moska synon të shkatërrojë plotësisht jetën normale në Ukrainë.

Ai theksoi se po kryhen krime lufte dhe se bota nuk po i ndalon ato.

“Ne duhet t’i themi jo naftës ruse dhe energjisë ruse sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kjo varësi i lejon udhëheqjes ruse të jetë kaq arrogante, të përdorë urrejtje kundër popullit tonë dhe të shkatërrojë jetë në vendet tona fqinje”, shtoi ai.

Ai gjithashtu bëri thirrje për një bllokadë të unifikuar kundër të gjitha bizneseve, tregtisë dhe naftës ruse.

14:42- Ukraina ofron neutralitet në këmbim të garancive të sigurisë

Ukraina ka propozuar që të miratojë një status neutral në këmbim të garancive të sigurisë. Këto propozime janë prezantuar gjatë bisedimeve me Rusinë që u mbajtën të martën në Turqi, që nënkupton se Kievi nuk do t’i bashkohej NATO-s apo që në bazat e saj do të vendoste ushtarë të aleancës së NATO-s, thanë negociatorët ukrainas.

Propozimet, që po ashtu përfshijnë një periudhë 15-vjeçare të konsultimeve për statusin e Gadishullit të aneksuar të Krimesë, do të mund të zbatoheshin vetëm në rastin të një armëpushimi të plotë, thanë negociatorët për gazetarët në Stamboll.

Propozimet janë më të detajuarat dhe më konkretet që Ukraina i ka paraqitur publikisht. Ato gjithashtu parashikojnë garanci të sigurinë në linjë me artikullin 5 të NATO-s, që është një klauzolë për mbrojtje kolektive.

Polonia, Izraeli, Turqia dhe Kanadaja mund të jenë garantuesit e mundshëm për këto propozime.

“Nëse ne arrijmë të konsolidojmë këto provizione kyçe, dhe për ne kjo është më e rëndësishmja, atëherë Ukraina do të jetë në pozitë që të rregullojë statusin aktual si një shtet që nuk është pjesë e bllokut dhe pa armë bërthamore, në formë të një neutraliteti të përhershëm”, tha negociatori Oleksander Chaly.

“Ne nuk do të lejojmë hapjen e bazave të huaja ushtarake në vendin tonë e as nuk do të vendosjen e kontingjenteve ushtarake në territorin tonë dhe nuk do të bëhemi pjesë e aleancave ushtarake-politike”, tha ai për televizionin kombëtar ukrainas.

“Stërvitjet ushtarake në territorin tonë do të mbahen me pëlqimin e shteteve garantuese”.

Sipas negociatorëve ukrainas, këto propozime janë të mjaftueshme që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ai rus, Vladimir Putin, të takohen. Por, pala ukrainase tha se për këtë temë po pret përgjigjen e palës ruse.

Gjatë takimit në Stamboll, Ukraina kërkoi një marrëveshje armëpushimi, që nuk do të komprometonte territorin as sovranitetin e vendit.

Ndërkaq, Turqia, si nikoqire e këtij takimi, tha se bisedimet në Stamboll shënojnë përparimin më të rëndësishëm në procesin e paqes deri më tani, deklaroi ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

14:33- Rusia zotohet se do të ulë ndjeshëm aktivitetet ushtarake në Kiev dhe në Chernihiv

Pas raundit të fundit të bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë në Stamboll, Rusia zotohet se do të ulë ndjeshëm aktivitetet ushtarake në kryeqytetin Kiev dhe në qytetin verior Chernihiv.

Pas takimit në Stamboll, kreu i delegacionit rus në bisedimet e paqes me Ukrainën tha se presidentët e dy vendeve mund të takohen kur të miratohet drafti i një traktati të paqes.

14:27- Zelensky: Rrethimi i Mariupolit, krim kundër njerëzimit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rrethimi rus i qytetit-port të Mariupolit përbën “krime kundër njerëzimit”.

Duke iu drejtuar Parlamentit danez, ai tha se krimet po ndodhin “para syve të të gjithë planetit që po i shikojnë në kohë reale”.

Disa ekspertë ushtarakë kanë sugjeruar se rënia e Mariupolit nën kontrollin rus mund të jetë e pashmangshme, por kanë shtuar se është e pamundur të thuhet se kur ose nëse diçka e tillë do të ndodhë.

Mariupoli, që gjendet në jug të Ukrainës, ka përjetuar sulmet më të ashpra ruse, teksa dhjetëra-mijëra civilë ende mbeten të bllokuar në këtë qytet që ka mbetur pa rrymë, ujë apo gaz.

Për shkak se qyteti është i rrethuar dhe po bombardohet vazhdimisht, civilët po kanë vështirësi që të evakuohen.

Agnes Callamard, sekretare e përgjithshme e organizatës Amnesty International e ka akuzuar Rusinë se ka kryer krime lufte në këtë qytet.

“Rrethimi i Mariupolit, ndalimi i evakuimit humanitar të banorëve dhe shënjestrimi i civilëve, sipas hetimit të Amnesty International përbëjnë krime lufte”, tha ajo gjatë një konference për media.

13:26 – Qeveria britanike: Rusia dërgon trupën Wagner në Ukrainë

Perëndimi e akuzon këtë “ushtri në hije” për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Sipas informacioneve të qeverisë britanike, mercenarë rusë nga grupi Wagner janë angazhuar në Ukrainën lindore. Siç thuhet nga Ministria Britanike e Mbrojtjes, më shumë se 1000 mercenarë mund të dërgohen në Ukrainë për misione luftarake, mes tyre edhe drejtues të organizatës. Raportet për ekzistencën e grupit u shfaqën për herë të parë në fillimin e luftës në Ukrainën lindore në vitin 2014.

“Për shkak të viktimave të mëdha dhe një mësymjeje që në pjesën më të madhe ka ngecur” në Ukrainë, “Rusia me shumë gjasa u detyrua të zhvendoste personelin e saj Wagner për Ukrainën në kurriz të operacioneve në Afrikë dhe Siri,” shpjegoi më tej ministria britanike e Mbrojtjes.

12:45 – Kremlini: Pa rubla nuk ka gaz

Kremlini tha se shtetet që nuk respektojnë rregullin që të paguajnë me rubla për gazin rus, Rusia do të ndalojë furnizimin e tyre.

Duke folur për transmetuesin publik amerikan, PBS, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se përderisa ai nuk e di se çfarë do të ndodhë me ato shtete që refuzojnë të paguajnë me rubla, “ne do të shohim se çfarë mund të bëhet”.

“Definitivisht, ne nuk do të bëjmë bamirësi dhe të dërgojmë gaz falas për Evropën Perëndimore”, tha ai.

12:00 – Pentagoni: Mund të na duhen më shumë fonde buxhetore për të ndihmuar Ukrainën

Sipas zyrtarëve amerikan, Pentagonit mund t’i duhet t’i kërkojë Kongresit para shtesë për të mbështetur luftën e Ukrainës kundër pushtimit të Rusisë, duke përfshirë plotësimin e arsenalit të Amerikës për armët e dërguara në Kiev.

Duke paraqitur kërkesën e Departamentit të Mbrojtjes prej 773 miliardë dollarësh për vitin fiskal 2023, udhëheqësit e Pentagonit thanë se buxheti ishte finalizuar para pushtimit, kështu që nuk ka para specifike për luftën. Kongresi miratoi një pako financiare urgjente prej 13,5 miliardë dollarësh në fillim të marsit.

Udhëheqësit thanë se ishte shumë herët për të parashikuar se sa shpejt forcat ukrainase do të përdorin armët dhe municionet tashmë të ofruara dhe sa do t’i duhet SHBA-së për të ri-integruar dërgesat në Ukrainë, si raketat Stinger dhe Javelin ose pajisje të

11:25 – Presidenti ukrainas kërkoi sanksione më të ashpra kundër Rusisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se sanksionet kundër Rusisë duhet të jenë më të ashpra.

“Nëse sanksionet mbeten të dobëta ose të pamjaftueshme, administrata ruse bie në iluzionin e rrezikshëm se mund të bëjë më shumë sesa po bën tani, ndërsa mijëra ukrainas po e paguajnë me jetën e tyre”, tha Zelensky.

Në fjalimin e tij drejtuar kombit, ai kujtoi se qyteti i Irpinit u çlirua dhe falënderoi ata që morën pjesë në çlirimin e qytetit.

Duke thënë se ushtria ruse vazhdon të tërhiqet nga rajoni i Kievit, Zelensky tha: “Zonat e çliruara nuk janë ende të sigurta. Përleshjet vazhdojnë. Ushtria ruse ende mban pjesën veriore të provincës dhe ka resurse dhe njerëz për këtë. Ata gjithashtu janë duke u përpjekur për të rivendosur kapacitetin luftarak të njësive të humbura”.

09:39 – Erdogan: Bisedimet e Stambollit mund të hapin rrugë për takimin Zelensky-Putin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se bisedimet midis negociatorëve rusë dhe ukrainas, që mbahen sot në Stamboll, mund të hapin rrugë për takimin e liderëve të Ukrainës dhe Rusisë.

Në një adresim para negociatorëve, Erdogan tha se është koha që bisedimet të japin rezultate konkrete dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm, duke shtuar se “ndalja e kësaj tragjedie” varet nga të dy palët.

Erdogan tha se si presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ashtu edhe ai rus, Vladimir Putin, ishin “miq të çmuar”.

Presidenti turk tha se të dy palët kanë “shqetësime legjitime”, por shtoi se ka ardhur koha që bisedimet të japin rezultate konkrete.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button