Kovaçevki-Petkov: Maqedonia e Veriut i përket BE-së – do t’i intensifikojmë negociatat

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nga Sofja porositi se shtyrja e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian tashmë po bëhet politikë e sigurisë dhe krijon destabilitet shtesë në rajon. Ai e dërgoi mesazhin pas takimit të përbashkët me kryeministrin bullgar Kiril Petkov, si dhe me kryeministrat e Rumanisë – Nikolae Çuka dhe të Malit të Zi – Zdravko Krivokapiq, të cilët, si kryetarë qeverish të vendeve të NATO-s në Evropën Juglindore, diskutuan strategjitë e sigurisë në konteksti i pushtimit ushtarak rus me BE-në, transmeton Portalb.mk.

“Maqedonia e Veriut është harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, pasi ne ndajmë të njëjtat vlera me vendet e BE-së dhe NATO-s. Theksova se zgjerimi i BE-së është në thelb një politikë sigurie dhe se ngërçi në këtë proces krijon destabilitet shtesë për rajonin sepse ka disa tendenca negative, krijon hapësirë ​​për ndikim nga palët e treta. Shtyrja e procesit të anëtarësimit në BE për vendet e rajonit krijon dilema që mund të rezultojnë në uljen e besimit të qytetarëve në BE. Megjithatë, edhe me sfida të tilla, Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar në ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe promovimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit tonë”, tha Kovaçevski dhe shtoi se është detyrimi ynë që gjatë presidencës së ardhshme të OSBE-së në vitin 2023 të qëndrojmë të fokusuar në ato vlera dhe parime, si dhe të shfrytëzojmë potencialin për lidhje më të mirë.


Përgjegjësia jonë tani, tha ai, është të përballemi me realitetin e ri strategjik në sigurinë evropiane dhe transatlantike.

Kovaçevski tha gjithashtu se së bashku me tre kryeministrat dërgon mbështetje të fortë për solidaritet me Ukrainën, por edhe se do të ketë koordinim të shtuar për t’iu përgjigjur sfidave dhe krizës.

“Takimi është kontributi ynë rajonal për qëndrueshmëri dhe koordinim më të fortë mbi pasojat dhe kërcënimet e luftës në Ukrainë. Kjo luftë ka krijuar një realitet të ri në të gjitha sferat e jetës sonë dhe veçanërisht në bashkërendimin e të gjitha përpjekjeve në prodhimin e ushqimit, zinxhirët e furnizimit dhe stabilizimin e tyre, shpërndarjen dhe prodhimin e energjisë, si dhe në fushën e mbrojtjes dhe koordinimit ushtarak”, tha kryeministri në konferencën e përbashkët për media.

Ndërkohë kryeministri Bullgar Kiril Petkov, tha se po punojnë me Kovaçevskin në mënyrë shumë të koordinuar dhe me orare dhe korniza kohore të fokusuara kanë vendosur disa piketa që duhet të përmbushen.

Petkov, duke folur për veton bullgare për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë për anëtarësim në BE, theksoi se është bërë përparim i madh dhe për shumë çështje që dukeshin të vështira, tani thotë se ndjen “pozitivizëm” se ato mund të zgjidhen.

“Maqedonia e Veriut i përket familjes së BE-së. Sigurisht, siç e dimë të gjithë, ne kemi standarde për të përmbushur, siç është mbrojtja e të drejtave të pakicave. Jemi në koordinim të ngushtë me partnerët e BE-së, të cilët shpesh janë palë e tretë në këto negociata. Konsideroj se një gjë të tillë do ta arrijmë së shpejti. Historikisht, marrëdhënia jonë është përmirësuar ndjeshëm në tre muajt e fundit, ne flasim shumë dhe koordinohemi dhe kemi një qëllim të përbashkët. Unë e mbështes faktin që me këtë krizë Ballkani Perëndimor duhet të jetë stabil dhe pjesë e këtij stabiliteti është edhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Shpresoj se në javët e ardhshme do të përshpejtojmë negociatat”, tha Petkov.

Tema kryesore e takimit në Sofje të katër shefave të qeverive të vendet anëtare të NATO-s nga Evropa Juglindore,  ishte siguria për shkak të situatës në Ukrainë.

Përveç Kovaçevskit dhe nikoqirit, kryeministri bullgar Kiril Petkov, pjesmarrës ishin edhe kryeministrat e Rumanisë Nikolae Çuka dhe i Malit të Zi Zdravko Krivokapiq.

“Në fokus të takimit, organizator dhe nikoqir i të cilit është kryeministri i Republikës së Bullgarisë Kiril Petkov, janë sfidat për sigurinë rajonale në kuadër të pushtimit ushtarak rus në Ukrainë. Kryeministrat e Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, i Republikës së Bullgarisë Kiril Petkov, i Republikës së Rumanisë Nikolae Çuka dhe i Republikës së Malit të Zi Zdravko Krivokapi do të diskutojnë për koordinimin e strategjive të përbashkëta të sigurisë kundër rreziqeve dhe kërcënimeve të luftës në Ukrainë dhe të forcojë bashkëpunimin rajonal në vendet nga Evropa Juglindore”, njoftuan nga Qeveria.

Kabineti i Kovaçevskit njoftoi se në margjinat e takimit ai do të zhvillojë edhe takime bilaterale me kryeministrat e rajonit.

This slideshow requires JavaScript.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button