Ukraina, Fukuyama, ‘Putleri’ (II)

Fukuyama tërheq vërejtjen që vendet e vogla apo demokracitë e thyeshme dhe shtetet fragjile duhet të marrin ndihmë nga demokraci më të zhvilluara, në këtë rast nga BE dhe Perëndimi. Invazioni rus në Ukrainë na mëson që më tepër ta çmojmë jetën në një rend liberal në të cilin për  realizimin e qëllimeve të caktuara nuk shfrytëzohet forca ushtarake. (REL, 2022) Një nga impaktet e mira të invazionit mbi Ukrainën është edhe e vërteta se sot nuk është lehtë të shfrytëzohet forca ushtarake as nga Perëndimi i fuqishëm dhe dominant në kuadër të “qytetërimit universal” (Naipaul).

Fukuyama, në artikullin “Preparing for Defeat” të shkruar në Shkup, të botuar më 10 mars nga American Purpose, ku mes tjerash detekton frymën proruse të serbëve dhe maqedonasve etnikë, lidhur me frontin e Ukrainës shpalos këto gjetje:

  • Rusia qan shkëputjen e vendeve të ndryshme nga BRSS që e sheh si një tragjedi për të.
  • Putini ka bërë gabimin fatal me mendimin se brenda 48 orëve do t’i kryente punët në Ukrainë, se do të pritej si mesi, si triumfues nga ukrainasit, kurse hasi në një popull shumë të motivuar për ta mbrojtur pragun e vet. Në vend të armëve dhe shujtave ushqimore, rusët kishin vendosur në çanta uniformat për paradën e defilimit fitimtar që s’duket në horizont. Putini ka angazhuar një pjesë ta madhe të ushtrisë, pa fuqi rezervë, pa furnizim efektiv.
  • Për momentin zgjidhja diplomatike është e pamundur; s’ka kompromis apo zgjidhje të pranueshme për Rusinë dhe Ukrainën pas humbjeve të përjetuara në t dyja palët.
  • Këshilli i Sigurimit është treguar i padobishëm. Gjëja e vetme e dobishme është votimi në Kuvendin e Përgjithshëm që ndihmon në identifikimin e aktorëve të këqij në botë.
  • Vendimi i Biden-it për të mos shpallur zonë të ndalimit të fluturimeve është i mirë. Më e mirë është që të ngadhënjejnë ukrainasit vetë e jo të përfshihet NATO, sepse inkuadrimi i ksaj të fundit do t’i jepte pretekst Rusisë për veprime të tjera të pamatura. Çmimin që e paguan Ukraina është i madh por vetëm disfata në front e ndal krimin rus. Ndihma nga jashtë me armë dhe me mjete mjekësore dhe informative është më efektive për Ukrainën.
  • “Rasti Ukrainë” i ka shpalosur dhe ka dëmtuar shumë populistët anekënd botës, të cilët para sulmit kanë shprehur simpati ndaj Putinit. Në mesin e tyre janë Matteo Salvini, Jair Bolsonaro, Éric Zemmour, Marine Le Pen, Viktor Orbán dhe Donald Trump-i.
  • Lufta Ruse i ka dhënë mësim të mirë edhe Kinës që ka avancuar në teknologjinë ushtarake, por që ende s’ka përvojën e duhur militare. Kina duke u nisur nga Ukraina duhet të mendojë mirë lidhur me një sulm eventual ndaj Tajvanit. Tajvanasit duhet t’i bëjnë përgatitjet e duhura për vetëmbrojtje.
  • Teknologjia turke e dronëve do të bëhet bestseller.
  • Disfata ruse do të mundësojë lindjen e re të lirisë dhe do të na shpëtojë nga floskula për dekadencën e demokracisë globale. Shpirti i vitit 1989 do të gjallnojë falë ukrainasve trima.

Si përfundim mund të themi se lufta në Ukrainë nxorri të pavlefshme tezën fukujamiane për fundin e historisë (ajo vazhdon me kurbën poshtë-lart dhe vice versa), atë huntingtoniane për luftë mes qytetërimeve ngase aktualisht po ndodh një luftë brendaqytetërimore, brendasllave, madje brendaorthodokse. Nxorri në pah dyfytyrësinë e civilizimit modern: jeta e një afrikani, ezmeri dhe myslimani s’është e barabartë me atë të një të një njeriu të bardhë, flokëverdhë e sykaltër. Stop invasion! mobilizim gjithandej për rastin e Ukrainës, madje edhe nëpër ndeshjet e futbollit. Ndërsa në vitin 2018 Simon Tisdall përshkroi trajtimin e rastit Siri: “The epic failure of our age: how the west let down Syria” (Dështimi i kohës sonë: Si Perëndimi e la në baltë Sirinë?”). Të mos flasim për Myanmarin, ku njerëzit digjeshin për së gjalli. Ukraina na vetëdijësoi se shkenca politike dhe politika pa etikë, pa kulturë morale  s’mund të ndërtojnë shoqëri dhe botë harmonike. Pa filozofi politike të bazuar në virtyte rutinizohen pamjet apokaliptike të Aushvicit, Srebrenicës, Reçakut, Halebit, Mariupolit, të shkaktuara nga hitlerët, millosheviqët, asadët, putlerët apo kaputinët e kohës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button