Propagandisti Dugin, satanizimi i Perëndimit dhe apologjia e imperializmit rus

Në këtë analizë të shkurtër, të shkruar në një kohë kur trupat e Putinit vazhdojnë të bombardojnë objektet civile në Kiev, ne do e shqyrtojmë veprimtarinë ideologjike dhe propagandistike të Dugin pas „operacionit special” ushtarak të Rusisë, duke kujtuar aktivitetet propagandistike dhe mesazhet e tij nga misioni „Euro-aziatik” në Maqedoni në vitin 2018, shkruan Vërtetmatësi.

Shkruan: Zharko Trajanoski, analist mediatik

Aleksandar Dugin, ideologu i „lëvizjes euroaziatike” dhe një nga agjitatorët dhe propaganduesit më të shkathët ushtarak të agresionit rus në Ukrainë, për publikun maqedonas është bërë i njohur nga paraqitja e tij në emisionin „Мilenko Nedelkovski Show” në vitin 2015.

Atëkohë, nikoqiri i tij, i cili ka pasur mundësinë të lexonte një artikull të Dugin në të cilin ai promovon luftën e përbashkët të të krishterëve dhe myslimanëve kundër Antikrishtit, e ka pyetur: „Kush është Antikrishti?”. Dugin i përgjigjet në mënyrë eksplicite se „Antikrishti janë Shtetet e Bashkuara“, duke thënë se janë një civilizim materialist dhe se „mbjellin gjak, ligësi dhe poshtërsi“. Në po atë edicion të „Мilenko Nedelkovski Show” në dhjetor të vitit 2015, Dugin paralajmëroi për kolaps të liberalizmit, që do të shkaktojë kolaps të BE-së dhe në stilin e një „profeti” tha se „lufta është e pashmangshme, një luftë e vërtetë dhe e madhe”. Dugin përshkroi edhe „maksimumin e perimetrit rus” të veprimit që synon „çlirimin e tre vendeve më të rëndësishme të shenjta të Rusisë – Kievit, Kostandinopojës, Jeruzalemit” – dhe thotë se Kievi është „kryeqyteti i botës ruse“, Kostandinopoja – kryeqyteti i Ortodoksisë dhe Jeruzalemi – kryeqyteti botëror.

Në këtë analizë të shkurtër, të shkruar në një kohë kur trupat e Putinit vazhdojnë të bombardojnë objektet civile në Kiev, ne do e shqyrtojmë veprimtarinë ideologjike dhe propagandistike të Dugin pas operacionit special” ushtarak të Rusisë, duke kujtuar aktivitetet propagandistike dhe mesazhet e tij nga misioni Euro-aziatik” në Maqedoni në vitin 2018.

Satanizimi i Dugin i Ukrainës, Zelenskit dhe Perëndimit

Aleksandar Dugin tenton ta justifikojë agresionin rus kundër Ukrainës duke përdorur një gamë të gjerë teknikash propagandistike, narrativa dhe mesazhe mediatike. Një nga teknikat që përdor është deifikimi (hyjnizimi) i kauzës (Rusia dhe „operacioni special” në Ukrainë) dhe satanizimi i kundërshtarit (shteti ukrainas dhe Perëndimi), pra pasqyrim të kundërshtarit si „djall”. Për shembull, më 13 mars të vitit 2022, portali i famshëm djathtist pro Putin  „Infomax” publikoi një kollumnë (të marrë nga „Slloboden Svet”) në të cilën Dugin përcolli një mesazh të frikshëm ku thoshte se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ishte një luftë kundër vetë djallit, i cili dëshiron që ta shkatërrojë njerëzimin dhe t’i kthejë njerëzit në robotë dhe mutantë:

Lufta e vërtetë nuk është kundër Ukrainës, por kundër Forumit Ekonomik Botëror dhe planeve të tij djallëzore për ta shkatërruar njerëzimin duke legalizuar të gjitha llojet e perversiteteve, mëkateve dhe krimeve dhe përfundimisht duke i kthyer njerëzit në robotë dhe mutantë dhe duke ia kaluar fuqinë inteligjencës artificiale. Po përballet me vetë djallin…– shkruan Dugin.

Mesazhi se Rusia „po përballet me vetë djallin” nuk është befasues për ata që e njohin veprimtarinë propagandistike të Dugin. Në librat e tij, Dugin predikon se Rusia është në periferi të „Satanopolisit” duke propaganduar një „revolucion kundër botës postmoderne” (Platonizmi politik, Filozofia e politikës, 2019). Përveç kësaj, në „Teorinë e katërt politike“ globalizimin (me qendër në Shtetet e Bashkuara) Dugin e përshkruan si „mbretërinë e Antikrishtit” dhe unipolaritetin si një e keqe. Në interpretimet bipolare të Duginit, për dallim nga kjo e keqe dhe Antikrishti” Moska përshkruhet si Roma e Tretë”, si mbrojtje nga Antikrishti ose „kështjellë” ortodokse (Katechon). Është interesante të theksohet se Dugin jo vetëm satanizon Ukrainën dhe Perëndimin, por edhe vetë Rusinë, për të cilën ai pretendon se u krijua nga djalli në vitet 1990 si „anti-Rusi”.

Dugin e justifikon operacionin special” të Putinit si një ndërprerje të lidhjeve me Perëndimin djallëzor”, si fillimin e betejës së fundit mes dritës dhe errësirës, ​​neve dhe atyre, Euroazisë dhe Atlantikut”. Beteja me djallin”, sipas Duginit, nuk është vetëm kundër Ukrainës dhe Perëndimit, por edhe kundër kolonës së pestë të satanizuar si një „shtresë të djallit në shoqërinë ruse”.

Kur përdor teknikën propagandistike të satanizimit, Dugin jo vetëm që denigron disa vende (si Ukraina apo Shtetet e Bashkuara), por edhe individë të caktuar në pushtet. Për shembull, menjëherë pas fitores së Zelenskit në zgjedhjet në Ukrainë në vititn 2019, Dugin në profilin e tij në Facebook shkruan se Në zgjedhjet në Ukrainë fitoi djalli dhe se Shkatërrimi i vërtetë i Ukrainës fillon pikërisht tani“.

 

Apologjia e Dugin për imperializmin rus: „Perandoria kundërpërgjigjet”?

Një ditë para agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës, Alexander Dugin paralajmëroi fillimin e mobilizimit euroaziatik të Rusisë” me sloganin propagandistik Rusia e Re është territori i së ardhmes“. Duke folur në vetën e parë shumës, në emër të popullit, Dugin deklaroi se Ne jemi njerëzit e perandorisë“. Për dallim nga Lavdi Ukrainës”, slogani i Duginit është Lavdi Rusisë së Re”, një shprehje e pranuar nga lëvizja „Cargrad“. Për Dugin, njohja e republikave” në Ukrainë nga Putini shënoi fillimin e dytë të ripushtimit të madh sllav”.

Në 12 mars të vitit 2022, Dugin mori pjesë edhe në emisionin televiziv të propagandistit më të famshëm rus Vlladimir Solovjev, i cili e prezantoi si „udhëheqës të lëvizjes euroaziatike ndërkombëtare“. Në stilin e tij të njohur propagandistik, Solovjev konstatoi se Perëndimi i ka dhënë vetes një detyrë për të shkatërruar – jo aq Rusinë, por popullin rus, kulturën ruse dhe vetë shpirtin e civilizimit rus. Në  monologun e tij filozofik” Dugin u ndërlidh edhe në mitet propagandistike „zyrtare“ të Solovjev, ndërsa në prapavijë të bisedës reklamohej makineria ushtarake ruse në aksion.   Sipas Dugin, operacioni special” rusisë do i mundësojë që të fitojë respekt si një lojtare serioze në tabelën gjeopolitike të shahut, „si një pol një botëm multipolare“ dhe si një „civilizim sovran“.

Megjithatë, Shtëpia e vërtetë propagandistike e Dugin është Kanali televiziv ortodoks, Cargrad, pronë e oligarkut rus Konstantin Malofeev, i cili u gjet në listën e sankcioneve të BE-së në vitin 2014,  për shkak të mbështetjes së destabilizimit të Ukrainës Lindore. Vetë Dugin prezantohet si ish kryeredaktor i „Теlekanal Carigrad“, ndërsa përshkruhet edhe si mastermind i tij.  Është interesante se Malofeev si producent kryesor i  „TV Hyjnore“ ka angazhuar një ekspert nga Perëndimi – ish producentin e Fox News – i cili nga viti 2022 po ndiqet penalisht nga SHBA për shkak të bashkëpunimit me Malofeevin e sankcionuar për të krijuar rrjete televizive në Rusi, Bullgari dhe Greqi.

Afërsia e Dugin me Konstantin Malofeevin pasqyrohet edhe në atë se Malofeev e përshkruan si një „filozof dhe bashkëmendimtar” në hyrjen e librit të tij „Perandoria”, të promovuar pikërisht nga Dugin. Në promovimin e librit në dhjetor të vitit 2021, Dugin theksoi se Ne jetojmë në një botë perandorish” dhe se Ne kurrë nuk kemi jetuar jashtë botës së perandorive“. Ai theksoi se Krishterimi dhe perandoria janë të pandashme” dhe se Rusia si Roma e tretë” është një vazhdimësi e politikës së krishterë.

Në një intervistë me Dugin në ТV Cargrad kah fillimi i vitit 2022, Malofeev promovon sloganin e tij politik perandorak: Perandoria është e kaluara dhe e ardhmja jonëNe nuk mund të mos jemi një perandori.” Sipas Маlofeev, Rusia është një civilizim i madh i vetë-mjaftueshëm” që duhet të zhvillohet më vete: ose jemi një pjesë e civilizimit perëndimor të parasë, Kanaanit të ri global, ose jemi ne Perandoria, Katekoni, që e mbron botën nga e keqja”.

Nga shumë postime të tjera në media mund të shohim se Dugin dhe Malofeev nuk janë thjesht agjitatorë dhe propagandistë ordnerë militantë, por se ata sillen edhe si predikues të „Romës së tretë” dhe ideologë të imperializmit „euroaziatik” të Putinit.

Në „analizën e tij gjeopolitike” të botuar më 10 mars të vitit 2022, Dugin thekson se „sipas ligjeve të gjeopolitikës“, Rusia („Euroazia”) pa Ukrainën nuk është një perandori dhe civilizim, por se me Ukrainën është një perandori dhe civilizim. Dugin predikoi „bashkimin” e Rusisë dhe Ukrainës dhe rënien e „unipolaritetit” me idenë gjeopolitike për një bashkësi të shteteve sllave” si vazhdimësi e integrimit euroaziatik“. Dugin pretendon se bëhet fjalë për një një faqe krejtësisht e re në historinë botërore, një botë multipolare dhe një ndryshim të plotë të rendit botëror“, me sllavët lindorë të integruar” në territorin e Euroazisë”.

„Integrimi“ i tillë euroaziatik, sipas Dugin, nënkupton një „heqje të plotë të modelit të shtetit nacional dhe kombit“, që është zhvilluar për më shumë se 30 vite në Ukrainën moderne postsovjetike. „Profeti” gjeopolitik parashikon një rikthim të gjendjes përpara fillimit të shtetësisë së Ukrainës – „integrimin” në një komb të sllavëve lindorë, degët e të cilëve janë Velikorusët dhe Rusët e vegjël (si dhe Bjellorusët).

Po çfarë do të ndodhë me qytetarët e Ukrainës që identifikohen si ukrainas? Para fillimit të operacionit special“, Dugin e shpalli Ukrainën një „failed state”, duke njoftuar se ukrainasit do të paguanin një çmim të madh sepse kanë zgjehur të jenë shërbetorë të Perëndimit“. Kërcënime të tilla të Dugin nuk janë të rralla nëse i kujtojmë deklaratat e tij ekstremiste nga vitit 2014, të cilat u hoqën nga Youtube për shkak të gjuhës së urrejtjes. Pas „operacionit special”, imperialisti rus Dugin filloi të predikojë një histori tjetër, se ukrainasit kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë vëllezërit dhe motrat tona“, dhe se ukrainasit nuk janë armiq, ata janë tanët” dhe se vëllezërit ukrainas” kanë qenë të mbërthyer në një huti tragjike si rezultat i propagandës perëndimore.

Dugin për „fundin e historisë“, „përplasjen e civilizimeve“ dhe „të keqen absolute“

Më 24 shkurt të vitit 2022, kur Putini e filloi operacionin special” me agresion ushtarak kundër Ukrainës, Dugin deklaroi” se kishin filluar të shihen konturat e Rusisë së përjetshme” dhe se ky ishte një moment fetar: Ky është një moment fetar. Jo vetëm gjeopolitikë apo konflikt interesi. Kjo është një përplasje civilizimesh”.

Në shkrimin nga data 14.3.2022, Fundi i historisë që nuk ndodhi kurrë dhe lufta e Rusisë kundër rendit liberal“, Dugin është i bindur se Huntington me përplasjen e civilizimeve” e mundi teorikisht Fukuyaman me fundin e historisë“, por se shprehja e Fukuyama Lufta e Putinit kundër rendit liberal është absolutisht korrekte.

Dugin përsërit sloganin propagandistik se pa Ukrainën Rusia nuk është një perandori“, duke sugjeruar se do të ishte edhe më transparente të thuhej se pa Ukrainën – Rusia nuk do të ishte një civilizim apo pol në një botë multipolare“. Sipas Dugin, operacioni special ushtarak në Ukrainë është momenti kyç në etablimin e Rusisë si civilizim, si pol sovran i një bote multipolare” dhe ai operacion ishte i drejtuar kundër liberalizmit dhe globalizmit (kundër planit djallëzor të globalistëve” dhe kundër liberalizmit modern si një e keqe e vërtetë dhe një „e keqe absolute“).

Më 24 shkurt të vitit 2022, kur tanket ruse filluan të shkelin Ukrainën, profeti i „Novorusia“ në „Каtekon“ postoi komente demonizuese kundër liberalëve: Kur kemi të bëjmë me liberalë, kemi të bëjmë me njerëz të fiksuar. Ata janë të pushtuar nga demonët“.

Por, si tenton Dugin t’i justifikojë sulmet „civilizuese” ruse ndaj objektivave civile dhe ndaj ukrainasve si një komb më vete? Sipas Dugin, ukrainasit janë pjesë e „treshes së popujve sllavolindor“, por „i kanë bindur se janë pjesë e botës perëndimore (globale)” dhe se „rusët nuk janë vëllezër, por armiq të ashpër“.

Sipas „logjikës” së Dugin, Putini imperialist i granaton dhe bombardon ukrainasit „të pushtuar nga demonët” për t’i „çliruar” ata nga demonët perëndimorë dhe për t’i „bindur” se janë vëllezër dhe jo armiq. Ndërsa „profeti” Dugin përpiqet ta justifikojë Putinin imperialist si një luftëtar „jo kundër Ukrainës, por për Ukrainën” (por në Euroazi), „Lufta e Putinit kundër rendit liberal” ka shkaktuar një krizë humanitare me mijëra viktima dhe miliona refugjatë të tmerruar nga veprimet „civilizuese” të „Rusisë vëllazërore“.

Misioni Euroaziatik i Dugin në Maqedoni dhe ithtarët e tij

Pasi nga fillimi i vitit 2018, partia margjinale e Janko Baçev, LKM, u riemërua në „Maqedonia e Bashkuar” (sipas „Rusisë së Bashkuar” të Putinit), partia e saporiemëruar organizoi një panel diskutimi mbi qëllimet kryesore politike – „Republika e Maqedonisë në aleancë strategjike me Rusinë dhe anëtare e Unionit Ekonomik Aziatik“. Në diskutim si folës kryesor u prezantua prof. Aleksandar Dugin, këshilltari i parë i presidentit rus Vlladimir Putin”. Dugin dhe zëvendësi i tij prof. Leonid Savin” dhe në mediat maqedonase u përshkruan si  Këshilltarë të presidentit rus Vlladimir Putin ose si skautë politik të Putinit, dhe Dugin si këshilltari i parë i presidentit rus Vlladimir Putin” dhe „truri i Putinit“, gjë që u interpretua si një ekzagjerim.

Para fillimit të debatit, në një deklaratë për gazetarët, Dugin theksoi përkushtimin e tij pansllav për bashkimin e pjesëve të popujve sllavë dhe nevojën për të mos sakrifikuar unitetin sllav“. Tezat kryesore të propagandës së Dugin ishin se BE-ja ngadalë po shpërbëhet” dhe Perëndimi po dështon” (Dugin: Nuk ju duhet BE-ja, ajo do të shpërbëhet), dhe Rusia është e hapur si një bashkim euroaziatik”. Mesazhi i Dugin – Nëse jeni në Federatën Ruse, ne do të jemi një botë e përbashkët sllave“, u pasua nga një deklaratë se Rusia nuk është kundër Perëndimit: Ne nuk e kundërshtojmë Perëndimin, duam të kemi një mirëkuptim me të gjitha kombet, përfshirë këtu edhe popujt evropianë”.

Nga këndvështrimi i sotëm, narrativat e pabaza të Dugin nga Shkupi, se Rusia nuk e kundërshton Perëndimin, u përgënjeshtruan nga vetë ai, njësoj si edhe përshkrimet e tij të pabaza të Rusisë si një vend i „demonizuar“:

Rusia është një vend i demonizuar, për ne thonë gjëra të pavërteta e që nuk janë reale, se ne na pëlqen të pushtojmë, të nënshtrojmë, të ndërhyjmë në politikat e brendshme… Nuk ka asgjë të tillë – tha Dugin në Shkup në vitin 2018.

Përkundër retorikës propagandistike të Dugin në vitin 2018, Dugini demonizues në vitin 2022 e justifikon Rusinë si një perandori që nuk është në luftë me Ukrainën, por me Perëndimin dhe Antikrishtin – të cilët kanë plane djallëzore për ta shkatërruar njerëzimin dhe për t’i kthyer njerëzit në robotë e mutantë.

Me propagandistë politike dhe profetë si Aleksandar Dugin, Rusia e Putinit nuk është një vend i demonizuar“, por një vend që demonizon dhe satanizon duke u munduar të justifikojë agresionin e pajustifikueshëm ndaj Ukrainës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button