Ziadin Sela u rizgjodh kryetar i ASH-së, jo të gjithë nga partia e mirëpritën këtë vendim (VIDEO)

Ziadin Sela u rizgjodh kryetar i partisë Aleanca për Shqiptarët (ASh) sot në Kongresin e Dytë të partisë. Sela pas rizgjidhjes në të njëjtin post tha se ky do të jetë mandati i tij i fundit, në të cilin ASh-ja do fitojë zgjedhjet parlamentare. Rizgjidhjen e Selës nuk e pritën mirë disa nga anëtarët e partisë, transmeton Portalb.mk.

Me 651 vota nga 681 delegatë të pranishëm, Ziadin Sela u rizgjodh kryetar të Aleancës për Shqiptarët. Sela në garën për në krye të partisë nuk kishte asnjë kundër-kanditat/e.

Në këtë kongres, partia votoi edhe kuvendin qendror, statutin e partisë si  dhe platformën.

“Do të punojmë orë e çast që të jemi fitimtar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për të cilat ne si parti politike do të punojmë nga ky çast e tutje që të jenë të parakohshme dhe sa më të shpejta”, tha Sela pasi u rizgjodh në krye të partisë.

I pyetur nga gazetarët që nëse në zgjedhjet e ardhshme ASh-ja nuk arrin të del e para a do të jep dorëheqje nga ky post, Sela nuk dha një përgjigje konkrete nëse do e bënte këtë.

“Ky është mandati im i fundit si kryetar partie, kjo ngritja në foltoren e kongresit si kryetar partie ishte e fundit sot, Ziadin Sela do të jetë pjesë edhe katër vite në krye të ASh-së sepse do i fitojmë zgjedhjet dhe pas kësaj periudhe do të jem pjesë e pandashme e ASh-së”, tha Sela.

Për udhëheqjen e opozitës Sela tha se janë për aktivizëm më të fuqishëm politik dhe se nuk mungon vullneti.

Jo të gjithë nga partia e mirëpritën rizgjedhjen e Selës

Latif Arifi nga po kjo parti, në emër të të gjithë anëtarëve të pakënaqur  nga të gjithë degët tha se Ziadin Sela ka bërë shkelje të statutit të partisë me rikandidimin e tij, pasi siç thotë Sela ka qenë kryetar partie për dy mandate dhe kongresi i sotëm është i treti dhe jo i dyti. Zgjedhjen e Selës e konsiderojnë si jolegjitime dhe do e kontestojnë pranë organeve gjyqësorë. Ata kërkojnë të respektohen vlerat demokratike në parti dhe statuti të cilin e kanë vendosur.

“Ne kemi kërkuar që të jemi të pranishëm në kongres, por si zë kritik që jam brenda Aleancës më është mohuar pjesëmarrja. Herën e fundit dje kam kontaktuar deputetin Halil Snopçe, i cili për hir të korrektësisë më tha se nuk është ai që vendos. Për më tepër para dy ditëve kryetari Ziadin Sela para më herët në një intervistë na ftoi që të marrim pjesë dhe zërin kritik ta themi brenda, por derisa na mbyllën derën dhe na pamundësohet, atëherë diçka thuhet diçka veprohet”, tha Arifi, mes të tjerash duke shtuar se ata besojnë se vendimi i gjykatës do jetë në favor të tyre dhe kundër Ziadin Selës.

Për këtë deklaratë, Sela mos të shpifet, pasi siç tha ai askush askujt nuk ia ka marrë të drejtën për të marrë pjesë në kongres.

“Nuk mban konstatimi që nuk i kemi lejuar të hyjnë në kongres. Kanë qenë, unë pashë disa që kanë qenë kritikë dhe ishin brenda dhe më erdh mirë. Natyrisht mirë është që subjektet politike kanë nevojë për mendim kritik por brenda përbërenda strukturave, nuk mund të bëhen thirrje vazhdimisht që e paskemi shkelur statutin e nga ana tjetër të shkelësh statutin”, tha Sela.

Fjalimin e plotë të Selës në Kongres mund ta ndiqni në videon më poshtë.

Përndryshe pas mosmarrëveshjes me kryesinë e Partisë Demokratike Shqiptare për nevojat për reforma brenda partisë, Ziadin Sela me mbështetje brenda partisë, inicioi nga qyteti i tij i Strugës Lëvizjen për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare në mars 2015.

Më vonë në vitin 2015 Lëvizja për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare u regjistrua si parti politike me të njëjtin emër, e drejtuar nga Ziadin Sela.

Gjatë vitit 2016, Lëvizja për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare miratoi si emërtim zyrtar Aleancën për Shqiptarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button