Zvrtarët e Qeverisë: Sot i shohim vlerat e anëtarësimit në NATO

Me shënimin e kësaj dyvjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, ministrja e Mbrojtjes- Sllavjanka Petrovska si dhe ministri i Jashtëm- Bujar Osmani u shprehën se kjo është një nga datat më të rëndësishme dhe historike për vendin, pasi u realizua një nga qëllimet e vendit. Për kryeministrin e vendit, ky vendim sot dy vite më vonë po nxjerr në pah vlefshmërinë e tij. VMRO-DPMNE-ja kritikon se vendi nuk është mjaftueshëm i përkushtuar ndaj NATO-s, transmeton Portalb.mk.

“Republika e Maqedonisë së Veriut ka dy vjet që është anëtare e NATO-s. Data e sotme është një nga më të rëndësishmet që nga shpallja e pavarësisë së vendit, ditë kur përfunduam objektivin strategjik – anëtarësimin në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike. Së bashku jemi më të fortë”, tha Petrovska.

Ministri Osmani nga ana tjetër tha se anëtarësimi i RMV-së në NATO është arritja jonë më e madhe në politikën e jashtme dhe verifikimi politik i shtetësisë sonë.

“Ne qëndrojmë krah për krah me vendet më të fuqishme në botë dhe kontribuojmë në mënyrë të barabartë në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë. Në rrethanat aktuale, gjëja më e rëndësishme është të kemi miq dhe aleatë të vërtetë, me të cilët së bashku do të marrim vendime të rëndësishme dhe do të kontribuojmë në sigurinë tonë të përbashkët. Së bashku dhe të bashkuar qëndrojmë 30 vende aleate me përcaktim të njëjtë për mbrojtjen e paqes, sigurisë, lirisë dhe vlerave demokratike”, tha Osmani.

Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski me këtë rast njoftoi se dy vite pas anëtarësimit në NATO vendi po sheh vlefshmërinë e këtij vendimi.

Në këto kohë të pasigurta, kur bota kujdeset për të ardhmen dhe sigurinë, Maqedonia e Veriut është pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarako-politike e cila garanton integritetin tonë territorial dhe sigurinë.
Anëtarësimi në aleancë është shumë më tepër se siguri dhe mbrojtje e garantuar e qytetarëve tanë. Të jesh pjesë e NATO-s do të thotë të përmbushësh të gjitha standardet e botës së qytetëruar, si mbrojtja e të drejtave të njeriut, solidariteti midis kombeve dhe promovimi i demokracisë. Si anëtare e NATO-s, ne do të vazhdojmë të marrim pjesë aktive në të gjitha aktivitetet e Aleancës dhe të ndërtojmë aleanca me partnerët tanë. Ky angazhim do të thotë zhvillim afatgjatë për vendin tonë dhe një të ardhme të sigurt për fëmijët tanë”, tha Kovaçevski.

VMRO-DPMNE-ja kritikoi qeverinë për përkushtimin ndaj NATO-s, ata thonë se kjo shihet në atë se vendi nuk e ka përfaqësuesin më të lartë ushtarak në Bruksel.

“Sa e përkushtuar është LSDM-ja ndaj NATO-s mund ta shohim me faktin se deri më sot nuk e kemi përfaqësuesin më të lartë ushtarak në Aleancë në Bruksel”, tha deputeti dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki. 

Ai shtoi se përkushtimi i qeverisë së LSDM-së ndaj NATO-s shihet në faktin se ushtria maqedonase ka rënë me 12 vende në renditjen botërore të Global Firepower, si dhe në faktin se qeveria nuk kujdeset për ushtarët në terren.

Ndryshe, sot u bënë dy vite që nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në organizatën më të madhe ushtarake dhe politike të NATO-s. Vendi aso kohe u anëtarësua në kushte të pandemisë Covid-19 e cila sapo kishte filluar, ndërsa sot, ky dyvjetor shënohet në një kohë kur Evropa po përballet me një krizë të shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button