Ndalimi i përdorimit të armëve kimike

Rusia e Putinit ka filluar tash të kërcënohet edhe me përdorimin e armëve kimike dhe bërthamore brenda Ukrainës. Moska zyrtare  po tregon se armët mund t’i përdorë kundër Perëndimit nëse mbijetesa e Rusisë do të vihet në pikëpyetje. Presidenti amerikan Joe Bajden gjatë qëndrimit në Bruksel dhe Varshavë, paralajmëroi se SHBA mund të ndryshojë doktrinën bërthamore.

Nuk është kjo hera e parë kur shtetet kanë bërë kërcënime dhe kanë përdorur armë kimike, biologjike apo bërthamore në të kaluarën ndaj regjimeve apo ndaj popullatës së pafajshme. Megjithatë, pas LDB-së, dhe sidomos pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, shtetet u pajtuan në nevojën e mos përdorimit të armëve kimike dhe domosdoshmërinë e nënshkrimit të marrëveshjeve. Tani le t’i hedhim një vështrim historikut të kufizimeve ndërkombëtare të përdorimit të armëve kimike, biologjike dhe konventave të nënshkruara që disa rezultuan të suksesshme e disa mbetën vetëm në letër.

Marrëveshja e parë ndërkombëtare që kufizonte përdorimin e armëve kimike daton aty nga viti 1675, kur Gjermania dhe Franca e atëhershme arritën një marrëveshje të nënshkruar në Strasburg. Kjo marrëveshje ndalonte përdorimin e plumbave helmues në teatrin evropian të luftës. Më pastaj vakumi disa vjeçar në fushën e armëve kimike ndikoi në arritjen e marrëveshjes së quajtur “Konventa e Brukselit për ligjin dhe zakonet e luftës”, së vitit 1874.

Përkundër këtyre marrëveshjeve ndërshtetërore dhe globale, përpjekjet ndërkombëtare për çarmatimin kimik të shek. XX e kishin zanafillën në Konferencën e Paqes të Hagës së vitit 1899. “Konventa e Hagës” e 1899-tës ndër të tjera thotë: “Shtetet të përmbahen nga përdorimi i predhave, objekti i vetëm i të cilave është përhapja e gazeve asfiksuese ose të dëmshme”.

“Konventa e II e Hagës” e vitit 1907, përsëriti gjithashtu ndalimet e mëparshme për përdorimin e helmit ose armëve që përmbajnë helme.

Negociatat e shteteve për kufizimin e armëve kimike dhe biologjike u nisën nga pasojat që la pas LPB dhe LDB-ja. Dhe po këtu synohej që të vendoseshin disa instrumente për të parandaluar përsëritjen e përdorimit të armëve dhe gazrave kimik në Evropë dhe në tërë botën. Më tej e kemi Protokollin e vitit 1925 për “Ndalimin e përdorimit të gazrave asfiksues, helmues dhe të metodave bakterologjike të luftës” që ndryshe njihet si “Protokolli i Gjenevës” së vitit 1925.

Pas LDB-së përdorimi i armëve kimike u mor seriozisht nga shtetet fituese të luftës. Në vitin 1968, filluan bisedimet mbi armët biologjike dhe kimike në Konferencën e Çarmatimit në Gjenevë. Kurse më vonë “Konventa e armëve biologjike” u nënshkrua në vitin 1972.

Me fillimin e rënies së BRSS-së, përmirësimin e atmosferës ndërkombëtare, fillimin e një ere të re në raportet në mes SHBA-së dhe Rusisë dhe sulmi kimik në qytetin Halaba në Irak në vitin 1988, ishin një ndër shkaqet që bisedimet në mes shteteve të zhvillohen më shpejtë dhe në fund të kemi një konventë ndërkombëtare dhe organizatë që do të mbikëqyrte armët kimike.

Më 29 prill të vitit 1997 hyri në fuqi “Konventa e armëve kimike” (CWC), një marrëveshja e parë shumëpalëshe për çarmatimin, që parashikonte eliminimin e armëve të shkatërrimit në masë brenda një afati kohor të caktuar.

Nuk duhet lënë anësh disa fakte se në vitin 1993, shtetet nënshkruese në Paris të Francës kishin shumë çështje tjera të rëndësishme dhe njëra prej atyre ishte edhe krijimi i një organizate ndërkombëtare për të zbatuar “Konventën e armëve kimike”, pasi ndryshe konventa nuk do të kishte kuptim.

Pasi që debati rreth rrezikut të ushtrimit të operacioneve të helmeve kimike nga Rusia në Ukrainë është tepër aktual dhe po debatohet nëse Rusia do të përdorë armë kimike apo lloje tjera, me rëndësi është të shohim se çka parasheh “Konventa e armëve kimike”.

“Konventa për ndalimin e zhvillimit, prodhimit, grumbullimit dhe përdorimit të armëve kimike dhe shkatërrimit të tyre“,- përbëhet nga një preambulë, 24 nene dhe 3 anekse si aneksi për kimikatet, verifikimit dhe shtojca e konfidencialitetit.

Në konventë thuhet:“Te gjitha shtetet apo palët kanë rënë dakord të çarmatosen kimikisht duke shkatërruar stoqe të armëve kimike që mund të mbajnë dhe çdo objekt që i ka prodhuar ato, si dhe çdo armë kimike që ata kanë braktisur në territorin e shteteve të tjera në të kaluarën”. “Shtetet janë pajtuar të krijojnë një regjim të verifikimit për disa materiale helmuese (të renditura në shtojcat 1, 2 dhe 3 në Aneksin për Kimikatet) në mënyrë që të sigurohet që materialet të tilla të përdoren vetëm për qëllime që nuk ndalohen nga “Konventa e armëve kimike””.

Një detaj i rëndësishëm i konventës është i ashtuquajturi “inspektimit sfidues”, ku çdo shtet që dyshon ndaj një shteti tjetër rreth armëve kimike, mund të kërkojë “një inspektim të befasishëm”. Sipas procedurës së “inspektimit sfidues” të konventës, kjo mund të bëhet në çdo kohë, dhe pa të drejtë refuzimi nga shtetet nënshkruese. Siç mund të vërehet, shtetet nënshkruese të konventës shumë qartë i kanë vendosur kornizat e çarmtimit dhe kufizimit të armëve kimike.

Në kohën që po kalojmë, Rusia e Putinit nuk ka mjete tjera për të mposhtur Ukrainën. Dhe sipas deklaratave të zyrtarëve rusë, mbetet përdorimi i armëve kimike dhe llojeve tjera të ndaluara me konventa ku Rusia është nënshkruese dhe bën pjesë në aktet depozituese të marrëveshjeve.

Kërcënimet e drejtuesve rusë për përdorimin e armëve kimike dhe bërthamore duhet parandaluar dhe këtë më së miri mund ta bëjnë shtetet që janë anëtare të organizatave ndërkombëtare. Për më tepër, këtë rol me sukses mund ta kryejë NATO-ja dhe SHBA. Koha është tani, para se Rusia të ndryshojë strategjinë në Ukrainë dhe të bindet në respektimin e konventave. Mirëpo, një regjim i tillë autokratik do ta ketë vështirë të pranojë të vërtetën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button