Komunat dhe ndërmarrjet shtetërore kanë mbi 600 milionë euro borxh, do të miratohet ligj për inspektim financiar

Ndërmarrjet publike dhe shtetërore, komunat, spitalet, shkollat, ku partitë në pushtet në pozita udhëheqëse i vendosin kuadrot e tyre, kanë raportuar se kanë gjithsej 617,5 milionë euro borxhe, tregojnë të dhënat e fundit të ministrisë së financave. I kanë raportuar borxhet që kanë arritur për vitin 2021, të cilat nuk i kanë paguar, shuma milionëshe që do të vijnë deri ditën e fundit të këtij viti fiskal dhe kanë raportuar detyrime që do të arrijnë këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Askush nuk ka një përgjigje nëse këto subjekte shtetërore kanë pas arsye për të marrë hua, a ka qenë e domosdoshme të ishin aq shumë, si i kanë shpenzuar paratë, a ka pasur keqpërdorim, sepse askush nuk kontrollon. Nuk ka kontroll të plotë se si ata i përdorin paratë me të cilat qeveria qendrore i ndihmon komunat dhe kompanitë që të mos falimentojnë, njofton SDK.

Në listën e ndërmarrjeve publike, komunave dhe institucioneve shtetërore me borxhe e para është SHA “Resurset Energjetike të Maqedonisë”, kompania që e ndërton gazsjellësin, me borxh prej 83 milionë euro që ka arritur në dhjetor, plus 20 milionë euro të tjera pa paguar që janë paralajmëruar për fund të vitit 2022, që del se borxhi i përgjithshëm është 103 milionë e 400 mijë euro.

Kompania e dytë me borxhe shtetërore është Hekurudhat e Maqedonisë Transport – Shkup me mbi 79 milionë euro borxh, nga të cilat 5,5 milionë do të arrijnë në vitin 2022 dhe 2023.

E treta është Komuna e Tetovës me mbi 13,6 milionë euro, e pastaj është NP Sistemi Kolektor Shkup, pastaj Komuna e Ohrit me rreth 10 milionë euro borxhe të pa paguara.

NP Ujësjellësi – Kumanovë është e gjashta në shkallën për borxhet më të mëdha me 8,1 milionë euro, NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi Shkup, me borxh prej mbi 10 milionë euro, një pjesë e të cilave paralajmërohet se do të arrijnë për pagesë këtë vit dhe në vitin 2023.

SHA ELEM ka detyrime të papaguara prej gjithsej 72 milionë euro, prej të cilave 50 milionë duhet të arrijnë këtë vit dhe mbi 14 milionë euro në vitin 2023. Klinika e onkologjisë ka marrë hua 10,5 milionë euro, ndërsa komuna e Gostivarit 6,4 milionë euro. Ekonomia e Ujërave Shkup ka 5,7 milionë euro borxh të regjistruar, ndërsa Ndërmarrja Komunale e Tetovës 5,5 milionë euro detyrime të papaguara. Më pas është NP Ujësjellësi Ohër me 4,9 milionë euro borxh… etj.

Sipas tabelës, me pak përjashtime, në mbi një mijë institucioneve të këtilla shtetërore dhe komunale krijohet përshtypja se janë bërë shpenzime të pa arsyeshme. Askush nuk e di se si shteti dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale kanë arritur të marrin kaq shumë hua, por të paktën ligji që po përgatitet paralajmëron kontroll se si i kanë menaxhuar paratë që shteti ua ka dhënë dhe çfarë do t’u japë në të ardhmen, për t’i shpëtuar nga borxhet e tepërta.

Në platformën ENER zbardhi Projektligji për Inspektimin Financiar në Sektorin Publik, i punuar sipas rregulloreve evropiane, ku thuhet se do të aktivizohet inspektorat financiar që do të hetojë ekskluzivisht se si institucionet i shpenzojnë paratë e buxhetit.

Këta inspektorë jo vetëm që do të punojnë në bazë të kallëzimeve dhe dëshmive nga qytetarët, kompanive dhe punonjësve (denoncuesve) nga institucionet që punojnë me fonde nga buxheti i shtetit, buxhetet e komunave, me para nga fondet evropiane, por do të hyjnë në kontroll edhe sipas detyrës zyrtare.

Inspektorët financiarë të sektorit publik do të kenë kompetencë të bllokojnë llogaritë bankare të ndërmarrjeve publike, komunave, ministrive… nëse konstatojnë parregullsi dhe punë të paligjshme, për të cilat do të paraqesin kallëzime kundërvajtëse dhe prova në prokurori nëse konstatojnë keqpërdorim të parave të popullit. Prokuroria do të jetë e detyruar t’i përgjigjet Inspektoratit Financiar brenda 5 ditësh.

Duke qenë se prokuroritë janë shfrytëzues të fondeve buxhetore, këta inspektorë mund të hetojnë edhe në vetë prokuroritë, MPB-në, por edhe ministrin e Financave, që është edhe eprori i tyre. Ky organ përgjigjet para tij, e më pas edhe para Qeverisë.

Një ligj i tillë ka ekzistuar edhe deri më tani (që nga viti 2013), por nuk është zbatuar asnjëherë. Stafi që ka qenë në skuadra gjatë viteve është larguar për shkak të moszbatimit të ligjit. Ka mbetur vetëm një punonjës. Nga viti 2019, në kuadër të Ministrisë së Financave është formuar një ekip i ri që aktualisht ka vetëm 6 inspektorë. Që këta inspektorë financiarë të kontrollojë shpenzimin e parave të buxhetit, ligji i ri kërkon një vit shkollim, trajnim dhe licencim.

Derisa të miratohet ligji i ri, të cilin BE e kërkon nga Maqedonia, ekipi ekzistues nga viti 2019 punon sipas ligjit të vjetër dhe tashmë pret kthim në buxhet nga parregullsitë dhe shpenzimet e paligjshme të parave të shtetit që i ka identifikuar me gjashtë inspektorë.

“Qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e interesave financiare publike në menaxhimin financiar të fondeve të buxhetit të shtetit, buxheteve të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe fondeve nga burime të tjera publike si dhe fondet e BE-së, duke përcaktuar ligjshmërinë e përdorimit të tyre në përputhje me rregulloret e veçanta që parashikojnë kompetencë për kryerjen e inspektimit financiar”, thuhet në material.

Inspektimi financiar do të bëhet te shfrytëzuesit e mjeteve nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, fondet, komunat dhe Qyteti i Shkupit, agjencitë dhe institucionet e tjera të themeluara me ligj, ndërmarrjet publike, institucionet publike dhe personat e tjerë juridikë që janë në pronësi shtetërore ose në pronësi të komunave dhe qytetit Shkupi ose në të cilat shteti ose komunat dhe qyteti i Shkupit janë aksionarë, me përfitues të fondeve të BE-së, në organizata jofitimprurëse dhe persona të tjerë juridikë dhe fizikë, vetëm për pjesën e fondeve publike ose garancive të marra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button