fbpx

Kundërspin: VMRO-DPMNE shtrembëron se Zaev, Kovaçevski dhe Kaevski ishin llupës para se të hynin në politikë

Fjala poshtëruese “llupës” e përdorur për të përshkruar këta personazhe publike, përveç se është fyese, nuk pasqyron situatën reale. VMRO-DPMNE me deklaratën e saj shtrembëron faktet reale dhe në këtë mënyrë manipulon opinionin për të besuar në diçka që nuk është e vërtetë.

Shkruan: Simona Atanasova

Partia opozitare VMRO-DPMNE në një kumtesë për media ka paraqitur një qëndrim, në të cilin vërehet spin.

Spin: Darko Kaevski, ashtu sikur Zoran Zaev dhe Dimitar Kovaçevski, është shembull për t’u futur në politikë si llupës dhe për t’u bërë milioner. Darko Kaevski, vetëm 30 vjeç, pa një ditë punë në sektorin real, ka arritur të fitojë 4 milionë në bankë dhe 1 apartament nga paga zyrtare.

[Burimi: Ueb-faqja zyrtare eVMRO-DPMNE-së – Komunikatë; data: 22.03.2022]

Kundërspin: VMRO-DPMNE pretendon se ish-kryeministri Zoran Zaev, kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski dhe deputeti Darko Kaevski kanë hyrë në politikë si llupës, fjalë që përdoret për të përshkruar dikë që është i mjerë dhe i varfër, por sigurisht që ka edhe fill fyes, si dhe elemente tallje. Më pas pretendohet se të lartpërmendurit, pasi u bënë pjesë e jetës politike, u kthyen në milionerë. Pretendime të tilla janë të pabaza, nuk kanë mbështetje dhe shërbejnë për të manipuluar publikun.

Ish-kryeministri Zoran Zaev ka qenë aktiv në sektorin privat para se të bëhej pjesë e politikës. Familja e tij e gjerë janë biznesmenë të njohur në Strumicë dhe punojnë në disa veprimtari. Pas diplomimit në vitin 1997, Zaev filloi karrierën e tij profesionale në kompaninë tregtare të familjes së tij, “Trgoproduct” nga Strumica. Në vitin 2001 mori postin e drejtorit të “Trgoproduct”, dhe e mbajti atë detyrë deri në vitin 2003. Nga viti 1998 deri në vitin 2003 ka qenë edhe anëtar i bordit drejtues të kursimores “Peon” nga Strumica, ndërsa nga viti 2001 deri në vitin 2003 ka qenë edhe anëtar i bordit të drejtorëve të Industrisë së materialeve ndërtimore “Elenica” nga Strumica.

Në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2003, Zaev ka kryer edhe disa funksione tjera, duke qenë anëtar i bordeve drejtuese të disa kompanive vendore dhe ishte kryetar i bordit drejtues të ndërmarrjes komunale të Strumicës.

Në periudhën nga viti 2003 deri në vitin 2005 ka qenë deputet, pastaj nga viti 2005 deri në vitin 2016 ka qenë kryetar i Komunës së Strumicës për tre mandate. Më 31 maj 2017 Zaev për herë të parë u zgjodh kryeministër dhe këtë post e mbajti deri më 3 janar 2020, kur në përputhje me Marrëveshjen e Përzhinos u formua Qeveria teknike në krye me Oliver Spasovskin. Në verë, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare (korrik 2020), Zaev fitoi mandatin e dytë si kryeministër. Kjo Qeveri e udhëhequr nga Zaev u zgjodh më 30 gusht 2020 dhe ai qëndroi kryeministër deri më 16 janar 2022, kur dha dorëheqje për shkak të humbjes në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor 2021.

Kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski është doktor i shkencave ekonomike, profesor i çrregullt në Fakultetin e Ekonomisë dhe Menaxhmentit të Biznesit në Universitetin Kolegji Amerikan në Shkup.

Sipas biografisë së tij të publikuar në faqen e qeverisë, ai ka mbajtur disa poste drejtuese në kompanitë e telekomunikacionit.

Karrierën e ka filluar në “Makedonski Telekom” SHA Shkup si bashkëpunëtor financiar dhe koordinator për rregullimin dhe harmonizimin e kontrollit financiar (1998-2005), dhe më pas u gradua në një sërë pozitash menaxheriale, drejtor i marketingut dhe menaxhimit të shitjeve (2005-2008), drejtor i komunikimeve të marketingut (2008-2010), drejtor i komunikimit (2010-2016) dhe drejtor i shitjeve rezidenciale (2016-2017). Ai ishte pjesë e komitetit ndërkombëtar të markave dhe komitetit ndërkombëtar të komunikimit të “Deutsche Telekom” (2008-2016). Më pas u bë Drejtor Ekzekutiv i “ONE VIP Macedonia”, “A1 Makedonija”, pjesë e “Telekom Austria Group” (2017-2018).

Ashtu si Zaev dhe Kovaçevski, edhe Darko Kaevski, të cilit fokusi më i madh i është kushtuar në deklaratën e VMRO-DPMNE-së, karrierën e tij nuk e ka nisur në politikë, por në sektorin privat. Para se të zgjidhej këshilltar në Komunën e Kisella Vodës (2013), Kaevski ka qenë pjesë e shoqatës gjeodezike “Geo Kaevski”, e cila është në pronësi të prindërve të tij, ku edhe ka filluar punën në vitin 2012. Prandaj, pohimi i bërë në komunikatë se Kaevski nuk ka “një ditë punë në sektorin real” është i pavërtetë.

Ndryshe, para se të bëhej deputet i R. së Maqedonisë Veriut – gusht 2020, Kaevski ishte drejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport, dhe në atë post u emërua në korrik 2017.

Pra, të kesh apartament 62 metra katrorë dhe të kursesh në bankë nuk është e pazakontë për dikë me më shumë se 10 vjet përvojë pune dhe karrierë aktive, si dhe një biznes familjar.

Fjala poshtëruese “llupës” e përdorur për të përshkruar këta personazhe publike, përveç se është fyese, nuk pasqyron situatën reale. VMRO-DPMNE me deklaratën e saj shtrembëron faktet reale dhe në këtë mënyrë manipulon opinionin për të besuar në diçka që nuk është e vërtetë.

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button