Portalb.mk shënoi dhjetë vjetorin e themelimit (VIDEO-FOTO)

Me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Portalb.mk, redaksia zhvilloi panel diskutimin me temë “Vizioni për Maqedoninë e Veriut”, në të cilin morën pjesë përfaqësuses nga organizatat civile, pushteti ekzekutiv, ai lokal, profesorë dhe studentë.

Kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari theksoi se më 6 prill të vitit 2012 filloi  rrugëtimi gazetaresk i Portalbit, ku siç tha ajo atëbotë kishte shumë pak media online me redaksi që krijonin lajme burimore për shqiptarët nga Maqedonia e Veriut. Sipas saj, e dukshme ishte nevoja për një portal informativ i cili do të ishte i lirë dhe i painfluencuar nga agjenda të ndryshme politike, e si i tillë do të plotësonte nevojën e qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë, por edhe atyre anembanë botës për tu informuar drejtë dhe në kohë.

Elida Zylbeari, foto: Emir Hamzai
Elida Zylbeari, foto: Emir Hamzai

“Sot festojmë 10 vjetorin e themelimit te një medie qe u shndërrua në një institucion të fuqishëm të fjalës së lirë në Maqedoninë e Veriut. Gazetaria nuk është vetëm një profesion por, mision. Mision dhe luftë e përditshme për drejtësi, luftë kundër dukurive negative, krimit e korrupsionit, kundër diskriminimit mbi çfarëdo baze. Një opozitë kritike e përhershme, pavarësisht se kush është ne pushtet, e cila vazhdimisht vëzhgon dhe kritikon politikat e gabuara dhe në dëm të qytetarëve dhe që lufton për zbardhjen së vërtetës, gjithmonë në mbrojtje të interesit publik. Fondacioni Metamofozis mban meritën kryesore që ne sot punojmë të lirë dhe pa asnjë trysni në punën tonë gazetareske. Jam thellësisht falënderuese dhe mirënjohëse për besimin dhe mbështetjen e dhënë ndaj nesh. Në momentet më të vështira, dhe në çdo kohë, te ai dhe ekipi i tij kemi hasur në mirëkuptim dhe mbështetje si finansiare ashtu edhe profesionale”, tha Zylbeari duke falënderuar Fondacionin Metamorfozis, si themelues i Portalbit.

Gjatë panelit të diskutimit, të gjithë folësit ritheksuan rolin dhe ndikimin e rëndësishëm të Portalbit në shoqëri dhe nevojën për media të tilla në vend.

Ndërkohë kolumnistja e Portalb Besa Arifi, tha se sot sfida më e madhe është përhapja e lajmeve të rrejshme. Me këtë formë, deklaroi ajo, demokracitë bëhen të kontrolluara, që i ndihmojnë njerëzit autoritar, duke i shfrytëzuar institucionet.

“Ajo që e sfidon mediumin e këtij viti është sfidimi i lajmeve të rrejshme. Dua të them në këtë drejtim, fjala e lirë, veprimi i lirë dhe demokratik është esenca. Për ne është i rëndësishme procesi i verifikimit e lajmeve dhe luftimi i dezinformatave. Shteti ideal është utopi, por ajo që dua të them është se progres ka pasur. Momentet kur kemi filluar të shkruajmë nuk ka qenë e lehtë, të përballemi me paragjykime, por ka qenë diçka që duhej bërë”, deklaroi Arifi.

Dhjetë vite Portalb.mk
Dhjetë vite Portalb.mk

Ndërkohë kolumnisti Ali Pajaziti, në fjalën e tij tha se Portalbi e ka kapërcyer veten dhe nuk është vetëm medium i thjeshtë, por është një platformë intelektuale dhe akademike.

“Unë në periudhën disa vjeçare nuk kam pasur asnjë korrektim, asnjë vërejtje që të kahëzohem se çfarë të shkruaj dhe si të shkruaj, për dallim prej mediave tjera që censurojnë. I uroj Portalbit që të ketë edhe jubileun e 20-të, 30-të. Portalbi na ka mundësuar të bëjmë një fizkultur mentale, një kondicion, që brenda javës të sikutojmë dhe debatojmë mevetveten dhe me ndodhitë, eventet që na rrethojnë”, deklaroi Pajaziti.

Nga ana tjetër Malinka Ristevska Jordanovska – anëtare e bordit në EPI, deklaroi se Portalb trajton çështje aktuale të rëndësishme, të cilat janë ehde në fokus e Evropës.

“Na duhet hapje, që do të na ndihmojë të mendojmë në mënyrë të hapur. Hapja e brendshme dhe lidhja e brendshme dhe e jashtme. Sigurisht mendoj sa më shumë mendojnë për të ardhmen. Një orientim që e shoh te Portalb janë çështjet aktuale, të cilat janë në vëmendjen e Evropës”, deklaroi Jordanovska.

Dhjetë vite Portalb.mk
Dhjetë vite Portalb.mk

Kolumnisti Salajdin Salihi fillimisht falenderoi Portalbin, dhe kryeredaktoren Elida Zylbeari, për çka tha se edhe nëse ndonjëherë nuk janë pajtuar me të njëjtin mendim “ka bërë çmos për që ne ta themi mendimin tonë“, pa qenë të censuruar.

Pas kolumnistëve, të ftuarit dhe panelistët ndoqën videon në të cilën ishin përmbledhur disa nga momentet kryesore nga puna 10-vjeçare e Portalbit. 

Më pas, fjalën e morën të rinjtë aktivistë dhe gazetar, të cilët shprehën se Portalb është dritare e cila është aty për të pasqyruar problemet e tyre dhe për të gjetur zgjidhje për to.

Dorina Ajdini fjalimin e filloi duke falenderuar redaksinë Portalb.

“Është kënaqësi të jem pjesë e një stafi kaq profesional ku çdo ditë e më shumë mësoj. Në të ardhmen dua të shoh një Maqedoni të Veriut me një sistem më funksional ku njerëzit janë të lumtur”, tha Ajdini.

Fisnik Xhelili, u shpreh se është i lumtur që është pjesë e një dritareje realiteti si Portalb, ku mund të japë kontributin e tij në këtë mozaik kaq të madh siç është Portalbi.

“Portalb.mk ndër vite ka dëshmuar se është me të vërtetë dritare realiteti, një media e cila punon me të gjitha standardet gazetareske. Mbi të gjitha Portalbi shpesh ka dëshmuar që me gazetari të mirëfilltë mund të kemi ndryshime në shoqëri, nëse shumica dërmuese do ndiqnin rrugën dhe mënyrën e punës të Portalbit, shoqëria jonë do të kishte ndryshime më të mëdha pozitive”, tha Xhelili.
Studenti dhe aktivisti Blendi Hodai duke treguar një situatë personale, ku ai kishte qenë në një konferencë në Shqipëri, ndërkohë në Maqedoni kishte ndodhur një ngjarje, për çka i ishte sugjeruar që të lexojë Portalbin për të marrë informacionin e duhur, duke nënvizuar besueshmërinë te lexuesit të kësaj medie.

Era Memetaj, tha se si e re në profesionin e gazetarisë është sfera të cilën e tangon atë është, fenomeni i barazisë gjinore dhe se në të ardhmen ajo dëshiron të sheh pozitën e tyre më të avancuar në shoqëri.

Portalb mori shumë urime nga përfaqësuses të organizatave civile, pushtetit ekzekutiv, ai lokal, profesorë dhe studentë.

This slideshow requires JavaScript.

Në mungesë në prezencës së tij në ngjarje, kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski përmes një telegrami uroi redaksinë për dhjetë vjetorin. Në letrën e tij, Kovaçevski tha se nga 6 prilli i vitit 2012 hapësira mediatike në vend u bë më e pasur me mediat në internet të cilat zbatojnë standardet më të larta të gazetarisë profesionale.

Letra e kryeministrit Kovaçevski drejtuar Portalbit
Letra e kryeministrit Kovaçevski drejtuar Portalbit

“Duke zbatuar në mënyrë konsekuente parimet bazë për zhvillimin e redaksisë suaj si komunitet gazetarësh, kolumnistësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile, ju keni ndërtuar një identitet unik të njohur nga audienca, si shembull që duhet të ndiqet, me respektimin maksimal të politikës editoriale e bazuar në gazetari etike, e cila ndërtoi besueshmerinë e markës e cila sot njihet si Portalb.mk. Njihet si një buletin online i dedikuar profesionalizmit, hapjes dhe angazhimit për promovimin e vlerave demokratike progresive të kohës. Transmetimi i informacionit të duhur është shumë i rëndësishëm për ekzistencën dhe ndërtimin e një shoqërie dhe prandaj është e rëndësishme të vazhdoni punën tuaj fisnike. Portalb.mk është bërë një burim i rëndësishëm informacioni në hapësirën tonë mediatike dhe për këtë ju uroj që të vazhdoni të kaloni kufijtë me sukseset tuaja dhe të jeni vend për informim të shumë gjeneratave të tjera”, shkroi Kovaçevski në urimin e tij për këtë dhjetë vjetor të Redaksisë.

 

Ndryshe, me 6 prill të vitit 2012  filloi me punë portali informativ në gjuhën shqipe, Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button