U sanua rruga rajonale Tetovë-Xhepçisht te gjimnazi “7 Marsi”

Pasi dje u largua pjesa e asfaltit e cila nuk ishte shtruar si duhet në rrugën rajonale Tetovë-Xhepçisht, konkretisht afër gjimnazit “7 Marsi”, sot punët në terren kishin përfunduar dhe asfalti ishte rrafshuar si duhet. Tani automjetet kur kalojnë mbi këtë pjesë nuk dridhen si më parë nga sipërfaqja e asfaltit, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse rruga rajonale Tetovë-Xhepçisht u asfaltua pak muaj më parë, asfalti në disa pjesë nuk ishte i shtruar si duhet, dhe ishin vërejtur lëshime teknike. Kështu dje konfirmoi drejtori i “Rrugëve të Maqedonisë”, Ejup Rustemi. Ai tha se e kanë kërkuar të bëhen përmirësime të lëshimeve teknike gjatë realizimit të projektit, në mënyrë që të bëhet pranimi teknik i cili nuk është bërë ende.

“Ende nuk është përfunduar komplet rruga, duhet të rregullohen komplet ato gabime teknike që janë lëshuar dhe pastaj të bëhet pranimi teknik. Ne jemi duke punuar, me rrëndësi është të respektohen të gjitha kushtet teknike që rruga të jetë me kualitetin e duhur pastaj të bëhet pranimi, ne shpresojmë se shumë shpejtë do të kemi rehabilitimin dhe sanimin e atyre lëshimeve teknike dhe menjëherë pas kësaj do të fillojmë me sinjalistikën, është punë javësh që do të rregullohet komplet rruga”, tha Rustemi.

Punimet për rikonstruimin e rrugës prej 4.2 kilometrave nga fshati Xhepçisht deri te Stadiumi i Tetovës filluan në shtator të vitit të kaluar. Projekti kushton afër 40 milion denarë dhe sipas parashikimeve duhet i tëri të përfundojë Brenda gjashtë muajve. Sipas Rustemit, kjo rrugë e cila është pjesë e rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë, e cila lidh RMV-në me Kosovën është ndër më të frekuentuara në vend, ku brenda 24 orëve kalojnë diku 7,000 automjete të llojeve të ndryshme.

Ndryshe, kjo rrugë njihet edhe si e rrezikshme pasi vetëm gjatë vitit 2021 u regjistruan 110 aksidente ku pati edhe lëndime të rënda trupore. Në të njëjtin vit në pjesën që mbulon Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor-Tetovë, janë konstatuar dhe sanksionuar 4,118 shkelje të tejkalimit të shpejtësisë tej normave të lejuara ku përfshihet edhe rruga.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button