Qytetarët dhe bizneset kroate shprehën mbështetje për Ukrainën (Foto)

Dhjetëra qytetarë, kryesisht prindër me fëmijë, në sheshin Ban Jelacic të Zagrebit të shtunën, organizuan një protestë kundër luftës duke shprehur mbështetje për luftën për liri të Ukrainës nën moton #StandWithUkraine, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Organizatorët e protestës lexuan një komunikatë mbi ngjarjet aktuale në Ukrainë, duke i theksuar krimet e luftës të cilat i kanë kryer agresorët rusë, si dhe duke e shprehur shqetësimin për sigurinë e të afërmve, veçanërisht të atyre që janë nën rrethim në qytetin-port ukrainas Mariupol.

Të pranishmit valëvitnin flamuj ukrainas dhe kroat dhe brohorisnin parulla. Disa nga sloganet përfshinin fotografi që situatën në Donbas sot e krahasonin me pasojat e rrethimit dhe bombardimit të qytetit kroat Vukovar në vitin 1990.

Në protestë, përveç ukrainasve, kishte edhe qytetarë nga Bjellorusia. Ata shpjeguan se janë të rrezikuar në mënyrë të barabartë nga diktatori Aleksandar Llukashenko, i cili ka burgosur mijëra disidentë. Mes tyre ka persona të cilët kanë përfunduar në burg vetëm për shkak se kishin veshur bluzë të kuqe dhe atlete të bardha (ngjyrat e flamurit shtetëror që promovohet nga opozita demokratike). Ata iu drejtuan qytetarëve të Kroacisë duke bërë thirrje për luftë kundër të keqes së përbashkët “që mund t’u trokasë në derë”.

Protestuesit ndanin fletëpalosje duke i inkurajuar kalimtarët t’i ndihmojnë Ukrainës dhe duke i drejtuar ata të informohen nëpërmjet Facebook faqes të Ambasadës së Ukrainës në Republikën e Kroacisë, Kryqin e Kuq të Ukrainës dhe nëpërmjet platformës swww.stopputin.wtf, në të cilën ka informacione për aksione të ngjashme nëpër botë.

Mbështetje për Ukrainën kanë shprehur edhe një sërë biznesesh kroate. Simbole me ngjyrat e flamurit ukrainas mund të shihen shpesh në vitrinat e të gjithë dyqaneve në qendër të Zagrebit.

Dyqanet e suvenireve përveç flamujve kroat shesin edhe flamuj ukrainas, kurse disa dyqane publikojnë se një pjesë të fitimeve e dhurojnë “për fëmijët dhe familjet e prekura nga lufta në Ukrainë”.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button