DËSHPËRIM DHE LUTJE RILINDËSISH

Është i njohur fakti se, pas shekujsh të tërë nën thundrat e huaja, Shqipëria u ngritë në këmbë dhe u bë shtet falë përpjekjeve të Rilindësve – ringjallësve të vetëdijes, mbrojtësve të kujtesës historike dhe gjuhës shqipe si kryeshenjë e etnisë, në sajë të së cilës mbijetuam disi stinët e acarta qindvjeçare. Mjerisht, krijuesit e saj nuk ia dolën ta ruajnë nga copëtimet tragjike, për shkak të takatit të vogël dhe prirjeve për t’u bërë armiq të vetvetes pikërisht atëherë kur duhet të jemi si të tjerët: një për të gjithë e të gjithë për një. Kjo bëri që bijtë më të mirë të kombit të tërhiqen të zhgënjyer anësh dhe t’ua lëshojnë vendin zuzarëve me poste ministrash, që përçarjen e shndërruan në sport kombëtar. Kjo është arsyeja përse shumë krijues të Rilindjes, lanë pas vetes shkrime që pasqyrojnë dëshpërrimin e thellë për tragjikomeditë që përjetoi vendi nga klasa e laraskave të tebdilosura në shqiponja. Disa, përveç zhgënjimeve të lidhura me dëmet që i shkaktoheshin Atdheut, shpërfaqën dhe revoltën për moskujdesin e shqiptarëve për ruajtjen e vlerave kulturore, pa të cilat e ardhmja mbetet peng i kohës së xhahilisë. Më i drejtëpërdrejti ndër ta qe Enciklopedia e gjallë Faik Konica, që, ndërmjet qindra artikujve të shkruar me sinqeritet dhe hidhërim të pëpërmbajtshëm, botoi dhe shkrimin Ç’është liria?, ku shpërfaqi zhgënjimin për vetëdijen e munguar kombëtare të bashkëkombasve shpirtrobër:

Më mbetet pak kohë akoma. Dua të marr shpatën, t’u çanj kokën gomerëve, dhe, në vënt të trurit, të kllas këtë: Ç’është liria? Të mos të kisha nisur këtë fletën (vaftë në Djall!) s’do të humbisja kohën time që t’u mësonj gomarëve ç’është liria. Dy vjet janë që u nis kjo puna, dhe që tani jam lodhur nga shkaku i gomarëve. Më mirë të shesë mut njeriu se sa të nisje punë për shqiptarët. Janë nja 50 Shqiptarë qi kuptojnë ç’është liria: ata nuk na shkrojtin gomarërira se dinë që është i lirë njeriu të thotë si e ka në funt të shpirtit. Po të tjerët janë gomarë, dhe, si të shtyp 12 numëra mbas fjalës që dhaçë, a e dini ç’kam për të bërë? Qibarët le të mbyllin veshët: kam niet të shes mut, në vënt që të mbanj të përkohëshmen; më mirë të shes mut njeriu, se të shkruajë për Shqiptarët. Gomerëve, pra, le të përpiqem akoma një herë t’u mbush kokën me këtë: ç’është liria?

Ngjashëm vepruan edhe bashkëkohanikët tjerë të Konicës, që bënë emër në vitet e pavarësisë shqiptare. Edhe ata qenë të pakënaqur me çaprazllëqet e prijësve, me nivelin e vetëdijes së ulët të shqiptarëve dhe me statusin e tyre në shoqëri. Tani më ishte formuar një copë Shqipërie dhe sherret na vinin kryesisht nga vetvetja. Është koha kur, përveç veseve të tjera, nisi t’na mundojë edhe sëmundja e ngatërrimit të kompetencave dhe shtimi u numrit të Adhamut-ëve gjithologë, që inspiruan krijimet lutje, si kjo e Nonda Bulkës:

Zot që je në qiell, dërgona urgjent mënd…

Dërgona mënd, o Zot, përndryshe merrna me këto që kemi.

…Jepu shqiptarëvet vullnet dhe logjikë që të flasin shqip, të paktën kur janë në Shqipëri. Se, siç kanë zënë ata, shpejt a vonë do ta bëjnë atdhenë babiloni gjuhësh, ku s’do të marrë vesh qeni të zonë.

…Vendos, o Zot, çdo njeri në vendin që i përket.

Mos lejo që veterinari të bëhet avokat, rrobaqepësi diplomat, gjykatësi letrar, doktori gjykatës, poeti politikan dhe politikani poet.

Meremetoje pak shtëpinë që na dhe peshqesh, se zuri myk, o i fuqiplotë…

I revoltuar qe dhe Homeri shqiptar – Gjergj Fishta, gjeniu që e pranoi me zemër të plasur se: E paskna pas ma kollaj me bashkue një thes me pleshta, se dy Shqiptarë…

Ndërkaq, Lasgush Poradeci, më finoku ndër krijuesit e kohës së tij, sfidoi monizmin shqiptar, duke ia kundruar veset nga distancat e sistemeve të tjera diellore. Pyetjes përse pas vitit 1945 shkroi vetëm 3-4 vargje të lidhura me arritjet e sistemit që ia vrau muzën, Ai iu përgjigj me cinizmin e tij unikat: Mut deshën, mut u dhash.

S’do mend se pikërisht te përsëritja që përsëritet përsëri duhet kërkuar shkaku që më shtyri dhe mua të shkruaj poezinë Lutje, ditën kur u dëbua Serbia nga Kosova:

Kosova nuk është më nën çizmen serbe.

Pas viteve të humbura,

(a) jemi përgatitur shpirtërisht për këtë ditë,

(a) jemi çliruar nga armiku ynë i madh – vetvetja,

nga filozofia e shpirtit të robit dhe akrepit?

Margjinë qofshin kacagjelimet për karriget e vëtërlashkta ortopedike,

fenomenet që u japin çështjeve aromë kotësie,

makthet e anijes shqiptare pa timonier,

luigjët e pikëpamjeve zenbudiste: Kombi jam unë!,

zeusët mbi xhade kufomash dhe gjeneralët e pasluftës!

Asnjë gram energjie akumulatorëve të shpërthyer!

Bota është përplot shakllabanë,

po Kosova s’guxon të ecë pas tyre.

Amin!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button