Pas takimit me Vuçiqin, u dënua kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq, raporton REL. Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të mbajtur më 24 mars, ku u vendos edhe për themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor ndaj Stevanoviqit. Në njoftim u tha se vendimi për suspendim do të jetë në fuqi deri “në një njoftim tjetër”.

Suspendimi i Stevanoviqit vjen pasi ajo kishte marrë pjesë në një takim në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të serbëve të Kosovës.

Lidhur me pjesëmarrjen e saj në këtë takim që u mbajt më 22 mars kishte pasur reagime edhe nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila kishte argumentuar se veprime të tilla cenojnë integritetin profesional dhe moral të kryetarëve të gjykatave të Kosovës.

“Gjyqtarët dhe kryetarët e gjykatave në Republikën e Kosovës duhet të sillen me integritet të lartë moral dhe profesional. Çdo pjesëmarrje në një takim të tillë e cenon këtë integritet”, kishte thënë Haxhiu.

Radio Evropa e Lirë më 23 mars ka tentuar që të marrë një reagim nga Lilana Stevanoviq, por ajo është përgjigjur se “nuk ka kohë”, ndërkaq më 24 mars ajo nuk i është përgjigjur thirrjeve të REL-it.

Më 22 mars në Beograd, presidenti serb, Vuçiq u takua me përfaqësuesit serbë të Kosovës, me të cilët bisedoi për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

Më 3 prill, Serbia do të mbajë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare dhe serbët e Kosovës, sipas Vuçiq, do të votojnë në komunat në Serbinë Qendrore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button