RMV, Këshilli për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile kërkoi rebalancim urgjent të buxhetit

Këshilli për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile nuk pajtohet me pezullimin e procedurës për miratimin e Propozim-programit për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022. Me këtë vendim, Qeveria heq dorë nga praktika e mirë e deritanishme për konsultime me Këshillin dhe organizatat e shoqërisë civile, gjë që është në kundërshtim me zotimet e saj të deklaruara në Programin e Punës së Qeverisë 2022-2024, veçanërisht në drejtim të sigurimit të një ambienti të favorshëm të punës për shoqërinë civile dhe reformë të financimit shtetëror të organizatave të shoqërisë civile.

Këshilli, siç ishte edhe gjatë katër viteve të kaluara, pas një procesi të gjerë konsultimesh me shoqërinë civile, e miratoi Propozim-programin për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë për vitin 2022. Fatkeqësisht, Propozim-programi është hequr nga rendi i ditës në seancën e Kolegjiumit të Përgjithshëm të Sekretarëve Shtetëror, për shkak të mendimit negativ të Ministrisë së Financave me arsyetim se mjetet në vlerë prej 15.000.000 denarë të planifikuara në buxhetin e Sekretariati i Përgjithshëm janë rreptësisht të përcaktuara. Përkatësisht, gjatë shqyrtimit të Propozim-buxhetit të plotësuar, në procedurë qeveritare është vërejtur se mjetet në vlerë prej 15.000.000 denarë do të dedikohen për nevojat e Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kurse për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave të qytetarëve dhe fondacioneve në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve.

Këshilli mirëpret vendimin e Qeverisë për ndarjen e fondeve për organizatat e shoqërisë civile në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve dhe i inkurajon institucionet e tjera që të ndjekin këtë shembull. Këshilli është konsultuar dhe përfshirë në programimin e prioriteteve të financimit të fondeve të siguruara në Ministrinë për Sistem Politik dhe këto mjete do të ndahen në përputhje me prioritetet dhe objektivat e kësaj ministrie, të cilat kanë të bëjnë me sigurimin e kohezionit social ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike dhe minoriteteve të tjera dhe grupet e lëndueshme në shoqërinë tonë.

Me Propozim-programin për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë për vitin 2022, që ka qenë praktikë për më shumë se 10 vjet, përcaktohen prioritetet dhe synimet që ofrojnë financim për organizatat e shoqërisë civile dhe aktivitetet e tyre lidhur me takimin, prioritetet dhe reformat e përcaktuara në Programin e Punës të gjithë Qeverisë, e jo prioritetet e vetëm një ministrie apo departamenti të caktuar. Shtrohet pyetja se me çfarë fondesh, nëse jo fonde të parashikuara në buxhetin e Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, do të financohen aktivitetet e organizatave të shoqërisë civile lidhur me reformat në luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, sistemin e drejtësisë, rritjen dhe zhvillimin ekonomik. integrimet evropiane etj.

Prandaj, mendojmë se vendimi për të mos siguruar mjete në buxhet për realizimin e Propozim-programit të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve, e cenon drejtpërdrejt rolin dhe mandatin për të cilin është formuar Këshilli për Bashkëpunim mes Qeverisë dhe organizatat e shoqërisë civile dhe është në kundërshtim me qëllimet për avancimin e mjedisit të favorshëm për punën e shoqërisë civile dhe reformimin e sistemit të financimit shtetëror të organizatave të shoqërisë civile të përcaktuara në Programin e Punës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për periudhën 2022 – 2024, si dhe në kundërshtim me Strategjinë për bashkëpunim dhe zhvillim të shoqërisë civile 2022 – 2024.

Kërkojmë që të mos braktiset praktika shumëvjeçare pozitive e financimit të organizatave të shoqërisë civile nga Buxheti i Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë së RMV-së në vitin 2022, për çka jemi të vetëdijshëm se është vit i krizës së shumëfishtë shëndetësore, energjetike dhe ekonomike, me të cilat në mënyrë joproporcionale janë goditur më shumë organizata të shoqërisë civile dhe mbi të gjitha qytetarët, nevojat e të cilëve plotësohen dhe interesat e të cilëve përfaqësojnë. E përkujtojmë Qeverinë dhe publikun se përfituesit e fundit të këtyre fondeve janë qytetarët e këtij vendi për t’i kaluar sa më lehtë sfidat me të cilat përballen, të cilat janë shtuar në mënyrë drastike në kohë krize.

Këshilli kërkon urgjentisht rebalancim të Buxhetit të RSM-së dhe sigurimin e 15.000.000 denarë shtesë në Buxhetin e Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë së RSM-së në zërin 463 për transfere te OJQ-të që do t’u shpërndahen organizatave të shoqërisë civile nëpërmjet thirrjes publike, në pajtim me Propozim-programin për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve për vitin 2022.

Injorimi i qëndrimeve të Këshillit të Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile vë në pikëpyetje rolin dhe mandatin e këtij organi, për themelimin e të cilit u luftua me dekada.

Nëse nuk ndryshohet qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nuk fillon urgjentisht një rebalancim i buxhetit, me çka do të sigurohen 15.000.000 denarë shtesë për zbatimin e Propozim-programit të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve për vitin 2022, anëtarët e Këshillit nga radhët e organizatave të shoqërisë civile do të bojkotojnë punën e këtij organi këshillimor deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje.

Komunikatë e Këshillit për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button