Lëshime teknike në rrugën Tetovë- Xhepçisht, në një pjesë u largua asfalti për t’u shtruar si duhet (Foto)

Ndonëse rruga rajonale nga Stadiumi i Tetovës deri në fshatin Xhepçisht u shtrua me asfalt të ri së fundmi, sot aty një pjesë a asfaltit është larguar dhe po punohej përsëri. Drejtori i “Rrugët e Maqedonisë”, Ejup Rustemi për Portalb.mk tha se aty janë vërejtur disa lëshime teknike dhe të njëjtat po sanohen, pasi siç tha ai ende nuk është bërë pranimi teknik, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse u asfaltua pak muaj më parë, pjesa e rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë, konkretisht te pjesa e gjimnazit “7 Marsi” në hyrje të Tetovës, asfalti nuk ishte i rrafshuar si duhej, dhe kur automjetet kalonin ato dridheshin.

Sot aty punohej dhe asfalti i saposhtruar ishte larguar. Drejtori i “Rrugët e Maqedonisë”, Ejup Rustemi  për Portalb.mk tha se kanë kërkuar të bëhen përmirësime të lëshimeve teknike gjatë realizimit të projektit, në mënyrë që të bëhet pranimi teknik i cili nuk është bërë ende.

“Ende nuk është përfunduar komplet rruga, duhet të rregullohen komplet ato gabime teknike që janë lëshuar dhe pastaj të bëhet pranimi teknik”, tha Rustemi.

Sanimi në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë, lokacioni: Gjimnazi "7 Marsi", 24 mars 2022
Sanimi në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë, lokacioni: Gjimnazi “7 Marsi”, 24 mars 2022

Në këtë rrugë mungon edhe sinjalistika adekuate, Rustemi për këtë tha se fillimisht duhet të rregullohet nga aspekti teknik të rregullohet komplet rruga  dhe pas kësaj të fillohet me sinjalistikë.

“Kur filluam në shtator nuk arritëm që komplet ta përfundojmë, filluan ranë temperaturat, nuk mundeshe që të përfundojë rruga. Pas asaj, pas kontrollit të rrugës për të bërë pranimin teknik, u detektua që kemi disa lëshime në realizimin e atij projekti, u kërkua që tani komplet të sanohen lëshimet teknike, dhe pas kësaj do të fillojë edhe sinjalistika horizontale”, tha Rustemi.

Ndërkaq i pyetur se kur konkretisht do të përfundojnë punët, Rustemi nuk tha një afat konkret por tha se shumë shpejtë.

“Ne jemi duke punuar, me rrëndësi është të respektohen të gjitha kushtet teknike që rruga të jetë me kualitetin e duhur pastaj të bëhet pranimi, ne shpresojmë se shumë shpejtë do të kemi rehabilitimin dhe sanimin e atyre lëshimeve teknike dhe menjëherë pas kësaj do të fillojmë me sinjalistikën, është punë javësh që do të rregullohet komplet rruga”, tha Rustemi.

Sanimi në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë, lokacioni: Gjimnazi "7 Marsi", 24 mars 2022
Sanimi në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë, lokacioni: Gjimnazi “7 Marsi”, 24 mars 2022

Punimet për rikonstruimin e rrugës prej 4.2 kilometrave nga fshati Xhepçisht deri te Stadiumi i Tetovës filluan në shtator të vitit të kaluar. Projekti kushton afër 40 milion denarë dhe sipas parashikimeve duhet i tëri të përfundojë Brenda gjashtë muajve. Sipas Rustemit, kjo rrugë e cila është pjesë e rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë, e cila lidh RMV-në me Kosovën është ndër më të frekuentuara në vend, ku brenda 24 orëve kalojnë diku 7,000 automjete të llojeve të ndryshme.

Ndryshe, kjo rrugë njihet edhe si e rrezikshme pasi vetëm gjatë vitit 2021 u regjistruan 110 aksidente ku pati edhe lëndime të rënda trupore. Në të njëjtin vit në pjesën që mbulon Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor-Tetovë, janë konstatuar dhe sanksionuar 4,118 shkelje të tejkalimit të shpejtësisë tej normave të lejuara ku përfshihet edhe rruga rajonale Tetovë-Jazhincë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button