Udhëheqësit perëndimorë kujdesen edhe për sigurinë e Ballkanit

Në katër samitet e mëdha që gjatë ditës së sotme zhvillohen në Bruksel, e ku agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është tema kryesore, flitet edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, raporton REL.

Në Bruksel tashmë është zhvilluar samiti i jashtëzakonshëm i NATO-s, ai i G7-s, ndërsa më vonë gjatë ditës do të ketë një takim të Këshillit Evropian me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e i fundit nis edhe takimi dyditësh i Këshillit Evropian.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka përmendur në konferencë për shtyp edhe Bosnje e Hercegovinën dhe Gjeorgjinë, duke thënë se aleatët duan që këto shtete të forcojnë qëndrueshmërinë e tyre dhe sovranitetin e integritetin territorial.

Ndërkaq, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka thënë pas samitit të NATO-s se në fjalimin e tij ka qenë i vetmi që i ka përmendur edhe Kosovën dhe Serbinë.

“Është përmendur rajoni, Moldavia dhe Gjeorgjia, Bosnja e Hercegovina, e cila na qenka e rrezikuar, por askush nuk e përmendi Serbinë dhe Kosovën. Serbia është një shtet, i cili nuk është krah lindor, është praktikisht në Evropën qendrore. Ajo pas pak ditësh i ka zgjedhjet dhe e kam përshtypjen se për një kohë të gjatë është në një krizë të identitetit dhe vështirë po e kuptojnë se ajo [Serbia] për Rusinë është vetëm një fusnotë. Për neve, NATO-n dhe BE-në, e posaçërisht pasi Serbia është duke negociuar anëtarësimin në BE, është partnere e NATO-s, të jetë vend stabil dhe të ketë perspektivë të qartë perëndimore. T’i ofrohet ajo në mënyrë më të qartë në këto rrethana. Dhe, nëse ata e kuptojnë mirë, e nëse jo, jo. Por ky është një rast, i cili kurrsesi nuk duhet të humbet, e ata të vendosin vetë”, ka thënë Millanoviq.

“Kosova, për fat të keq akoma nuk është njohur nga katër shtetet e NATO-s, për arsye, të cilat qëmoti janë të pakuptimta, të vjetërsuara nëse fare kanë qenë ndonjëherë valide. Kam bërë ftesë në njërën anë në një dialog më serioz me Serbinë, që këtu nuk ka qenë për askënd në fokus, por, në anën tjetër, paralelisht ta integrojmë më në fund” ka thënë presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, pas përfundimit të samitit të NATO-s.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, pritet që përkushtimi për bashkëpunim trans-atlantik të përfshijë edhe vazhdimin e punës së përbashkët në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Si në BE, ashtu edhe në NATO, disa herë kanë tërhequr vërejtjen për kujdes në rajonin e Ballkanit për të parandaluar që lufta në Ukrainë të ketë ndikim negativ në rajon. Shqetësimi më i madh ka qenë për situatën në Bosnje e Hercegovinë, por edhe për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Bosnja e Hercegovina do të jetë një prej temave në samitin e BE-së. Diskutimet do të zhvillohen edhe për situatën aktuale ku ndërmjetësimi i BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të siguruar reformën zgjedhore dhe kushtetuese nuk po jep fryt. Tash BE-ja dëshiron që diskutimet të ngrihen edhe në nivelin më të lartë për të dërguar sinjal në rajon se ka rritje të shqetësimit por edhe interesim që të arrihet një zgjidhje, e cila do të zhbllokojë funksiononim e këtij shteti dhe të parandalojë eskalimin e situatës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button