Ukraina: Frika nga lufta botërore

Kur raketat ruse goditën një qendër stërvitjesh ushtarake pranë Lvivit, një javë e gjysmë më parë, dhe vranë 35 persona, gjëmimi u dëgjua deri në Poloni. Vetëm 20 kilometra më në perëndim, dhe raketat do të kishin goditur territorin polak – një vend të NATO-s. Një sulm kundër një anëtari konsiderohet si sulm kundër të gjithëve, siç kanë rënë dakord partnerët e NATO-s. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i presidentit amerikan Joe Biden, Jake Sullivan, paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të “mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s”.

Frikë nga armët bërthamore

Ekspertët ende nuk duan të flasin për një luftë të tretë botërore, por frika nga një përshkallëzim të atillë ekziston prej kohësh. “Ideja për të dërguar armët tona të luftës, trupat tona, aeroplanët, pilotët dhe tanket atje tani – le ta pranojmë – kjo është Lufta e Tretë Botërore,” tha së fundmi Presidenti amerikan Biden. Gatishmëria e NATO-s për të ndërhyrë drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë, për shembull me një zonë ndalim-fluturimi, është përkatësisht e ulët. Rreziku i një konfrontimi me Rusinë do të ishte shumë i madh.

Por, çka nëse ndodh? Një luftë e tillë botërore mund të bëhej “në mënyrë konvencionale”, pra, pa armë bërthamore. Por rreziku do të ishte i madh që të përdoreshin edhe raketa me kokë bërthamore. Aleanca perëndimore do të reagonte ndryshe ndaj të ashtuquajturave armë bërthamore taktike, të cilat do të përdoreshin në disa zona të luftës, me fuqi shpërthyese të ulët ose të mesme, jashtë NATO-s, sesa nëse do të vendoseshin të ashtuquajturat raketa bërthamore strategjike. Këto kanë potencialin për ta kthyer botën e sotme në gërmadha.
Ruleta e Putinit
A do të shkonte Putini kaq larg? Ndërsa disa ekspertë i konsiderojnë kërcënimet bërthamore si bllof, të tjerë besojnë se ish-agjenti i KGB-së edhe mund ta ketë ambicien t’i sjellë botës fundin bërthamor. “Putini nuk duhet të harrojë se NATO është gjithashtu një aleancë bërthamore”, tha për DW ish-ministri i Jashtëm dhe i Mbrojtjes i Polonisë, Radek Sikorski. “Ai e di se një luftë bërthamore nuk mund të mbijetohet. Dita kur Putini do të merrte armët bërthamore do të ishte dita e fundit e jetës së tij,” argumenton Sikorski.
Historiani gjermano-amerikan, Conrad Jarausch, e krahason strategjinë e Putinit me atë të Adolf Hitlerit në vitin 1939. Putini nxiti një konflikt rajonal dhe paralajmëroi Perëndimin se “nëse reagon masivisht, do të shpërthejë Lufta e Tretë Botërore”.
Megjithatë, një automatizëm i këtillë nuk ekziston, thotë Stefan Garsztecki, historian nga Universiteti Teknologjik në Chemnitz, Gjermani. “Nuk ka përse të ketë përshkallëzim të mëtejshëm, nëse NATO ja e tregon qartë se ku ëshët linja e kuqe”, thotë ai. “Nëse ekziston rreziku që Kievi dhe Odessa të kthehen në Aleppo evropiane, atëherë do të duhet të flasim më shumë për një zonë ndalim-fluturimesh.”

Roli i Kinës është vendimtar

Një konflikt fillimisht rajonal që shpërthen në një konflikt global ka ndodhur shpesh në histori, thotë Sven Lange, komandant i Qendrës Bundeswehr-it për Historinë Ushtarake në Potsdam. Lufta e Parë Botërore është shembulli më i mirë i kësaj.

Për një luftë botërore, “nuk do të jetë vendimtar kontributi i Rusisë”, thotë Lange, por se si do të pozicionohen “dy fuqitë globale – SHBA dhe Kina”. Sipas vlerësimit të tij, Pekini aktualisht nuk mund të ketë asnjë interes për luftë. “Unë besoj se do të ketë mbështetje për Rusinë nga Kina, por nuk do të jetë aq masive sa të çojë në një konflikt të menjëhershëm me Shtetet e Bashkuara.”
Ndërkohë, në Evropën Lindore, nervozizmi po rritet sepse lufta po afrohet – me sulmet ajrore ruse edhe në Ukrainën perëndimore. Edhe nëse Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se “një për të gjithë, të gjithë për një”, goditja e raketave hipersonike jo larg kufirit të NATO-s, ngjallin frikë. Vizita e presidentit amerikan Joe Biden në Poloni këtë javë synon të qetësojë krahun lindor të aleancës.

Ndërkohë, në Evropën Lindore po rriten thirrjet që NATOtë furnizojë Ukrainën me avionë luftarakë, për mbylljen e hapësirës së saj ajrore dhe që Gjermania të bllokojë furnizimin me energji nga Rusia, në mënyrë që Putini të mbetet pa para për luftën. Sa më në lindje, aq më e madhe frika: “Të gjithë jemi tashmë në këtë luftë”, tha së fundmi në kanalin e dytë gjerman, ZDF, shkrimtarja ukrainase Katja Petrowskaja. “Nëse keni mësuar nga historia, e dini se nuk ka asnjë mënyrë për ta ndalur këtë luftë nëse nuk veprojmë në mënyrë radikale.”

Në Gjermani, propozime të tilla priten kryesisht me analiza të gjakftohta. Gjëja më e rëndësishme është “të kufizohet përfundimisht konflikti në hapësirë dhe kohë në mënyrë që të parandalohet përhapja masive e tij”, thotë studiuesi Herfried Münkler nga Universiteti Humboldt në Berlin. Munkler e kundërshton Katja Petrovskayan: “Kjo mund të jetë e kuptueshme duke pasur parasysh tmerret në Ukrainë, por kjo është një nxitje për një lufte të madhe,” thotë ai. Aktualisht nuk ka asnjë alternativë të përgjegjshme ndaj veprimeve aktuale të NATO-s, tha Münkler për DW.

Kujtimet e vitit 1939

Disa historianë tashmë po bëjnë paralelizma me Luftën e Dytë Botërore, veçanërisht në lidhje me veprimet e Putinit. Tubimet popullore që synonin të legjitimonin aneksimin e Austrisë ose pushtimin e Polonisë nga Ushtria e Kuqe, më 17 shtator 1939, janë “të njëjtat modele që Putini përsëriti në Krime dhe në Ukrainën lindore”, thotë Stefan Garsztecki nga Universiteti i Teknologjisë Chemnitz. “Hitleri ndoqi një politikë të rishikimit të rendit të paqes së Parisit të vitit 1938 dhe Putini po përpiqet në një mënyrë të ngjashme të rishikojë pasojat e rënies së Bashkimit Sovjetik, thotë Herfried Münkler.
Politikani polak Sikorski madje bën një krahasim të drejtpërdrejtë midis Putinit dhe Hitlerit: “Putini është si Hitleri para Holokaustit, por pas pushtimit të Polonisë në 1939,” thotë ai. Münkler nuk rekomandon që të bëhen krahasime të tilla me diktatorin nacionalsocialist, “sepse krijohen qartësi aty ku nuk ka”. Hitleri drejtohej nga një ideologji raciste, gjë që aktualisht nuk shihet tek Putini, thotë ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button