Prehu në paqe, Zonja Madeleine Albright

Madeleine Albright është shembull shkollor i konceptit Ëndrra Amerikane. Një vështrim i shpejtë në biografinë e saj të pasur na tregon që ekziston një vend në botë, ku një refugjate që ka emigruar për t’i ikur persekutimit, arrin të ngjitet në nivelet më të larta të shtetit dhe të bëhet gruaja e parë që ka ushtruar funksionin e Sekretares shtetërore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mundohem ta paramendoj rrugëtimin e saj nga Evropa e shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore drejt Botës së re, drejt realizimit të Ëndrrës Amerikane. Jeta e saj është dëshmi se me punë dhe përkushtim ëndrrat realizohen.

Shumë njerëz kanë arritur t’i realizojnë ëndrrat e tyre, por të paktë janë ata të cilët e kanë përdorur pozitën e fituar për të bërë gjëra që kanë mbetur të shënuara në histori. Pushteti edhe fitohet, por çështja është se çfarë dëshiron të bësh me pushtetin e fituar? Zonja Madeleine Albright, si njeri që vet është përballur me tmerret e luftës dhe persekutimit e kuptonte më së miri se çfarë përjetojnë refugjatët Kosovarë në periudhën 1998-1999, çfarë përjetonin qytetarët e këtij vendi të vogël në Evropë që po masakrohej nga një agresor. Madeleine Albright luajti rol kyç në atë që quhej Dream Team i Administratës Klinton, ekipi që udhëhoqi me Intervenimin Humanitar të NATO-s si pasojë e të cilit Kosova më në fund arriti ta fitojë pavarësinë. Ato ishin ditë historike kur një Aleancë ushtarake intervenoi ta ndalojë një gjenocid që ishte duke ndodhur dhe rrezikonte të eskalojë në përmasat e Bosnjës. Ai ekip i përbërë nga Bill Clinton, Madeleine Albright, Wesley Clark, George Robertson, Tony Blair dhe të tjerë do të mbetet në histori dhe do të mbahet mend si shembull se si pushteti përdoret për të shpëtuar njerëzimin dhe jo për ta shkatërruar atë.

Mbrëmë, kur u përhap lajmi që Madeleine Albright ka ndëruar jetë, të gjithë shqiptarët këtë e ndjenë si humbje në familjen e tyre. Sepse ka relacione të cilat mund të mos jenë relacione të gjakut, por për nga rëndësia e tyre ato krijojnë lidhje të pashkëputshme sepse kanë luajtur rol kyç në mbrojtjen e të drejtës fundamentale të ekzistencës së një shteti dhe qytetarëve të tij.

Prehu në paqë, Zonja Albreight! Kontributi juaj jetësor do të mbetet i ndritshëm në historinë e njerëzimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button