Gërvalla: Ideja për “Ballkanin e Hapur ka vdekur”, nuk ka Ballkan të Hapur me shtet që përkrah Putinin

“Për mua personalisht ideja e Ballkanit të hapur ka vdekur, nuk ka Ballkan të Hapur me një shtet i cili shumë qartë është në anën e Putinit”, kështu u përgjigj ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në pyetjen e Portalb.mk për atë se cili është roli i “Ballkanit të Hapur” në këtë kohë të krizës ekonomike si pasojë e agresionit rus në Ukrainë. Rektori i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti duke iu referuar nismës, thotë se parakusht për marrëdhënie të mira ekonomike duhet të rregullohen ato politike, shkruan Portalb.mk.

Gjatë një debati në Universitetin e Evropës Juglindore nën temën “Sfidat e shteteve të reja në politikën e jashtme”, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e pyetur nga Portalb.mk për Ballkanin e Hapur u shpreh se për sa i përket “Ballkanit të Hapur” nuk kanë parë asnjë dokument të vetëm në të cilin shkruan se çfarë është kjo nismë dhe cilat janë synimet afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata.

Donika Gërvalla, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Donika Gërvalla, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Unë jua them në një mënyrë shumë të sinqertë, Kosova nuk beson në një proces i cili është udhëhequr nga Serbia dhe i udhëhequr nga Serbia për të përjashtuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, Nuk është rastësi që as Kosova, as Mali i Zi dhe as Bosnja dhe Hercegovina nuk janë pjesë e Ballkanit të Hapur. Të tre këto shtete Serbia çdo ditë punon për t’i destabilizuar”, tha Gërvalla.

Ajo ndër të tjera tha se pas agresionit rus në Ukrainë shtetet e Evropës u përcaktuan pro dhe kundër Putinit, referuar kësaj ajo tha se nuk mjaftojnë shprehjet gojore nga ana e Serbisë që e dënojnë agresionin rus pasi e krahasojnë me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

“Vlladimir Putin Kosovën më përpara e përmendke një herë në muaj, sot e përmend disa herë në javë për të arsyetuar veprimet e tij. Rajoni duhet të jetë shumë i vëmendshëm ndaj kësaj. Për mua personalisht ideja e Ballkanit të hapur ka vdekur, nuk ka Ballkan të Hapur me një shtet i cili shumë qartë është në anën e Putinit. Unë nuk jam ajo që duhet t’i jap as mendime as këshilla një shteti fqinj të cilin e respektoj në maksimum. Me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme në të gjitha sferat përtej politikës. Ballkani i Hapur edhe me Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut është një gjest ku ne mendojmë se është një qosh sokak, aq më tepër mbas 24 shkurtit. Ky është qëndrimi ynë”, tha Gërvalla.

Nga ana tjetër, referuar ndaj sfidave të shteteve të reja në politikën e jashtme, rektori i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti përmendi si shembull pikërisht “Ballkanin e Hapur”.

Abdylmenaf Bexheti, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Abdylmenaf Bexheti, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Ka një kohë të gjatë që po flasim për Ballkanin e Hapur si iniciativë e bashkëpunimit regjional në kuptimin e lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve, mallrave, ideve, kapitalit e kështu me radhë. Harrojmë se kjo për tu zhvilluar ka disa parakushte tjera të natyrës politike për bashkëpunim të mirëfilltë ekonomik. Harrojmë se shteti i ri ka edhe ekonomi të re, ne në teoritë ekonomike themi ekonomi foshnjore që nuk kanë kapacitetin që t’i konkurrojnë e aq më pak të maten me ekonomitë tjera në regjion të cilat edhe për nga vëllimi, struktura dhe hilet në një periudhë të gjatë kanë akumuluar më shumë potencial ekonomik, më shumë energji ekonomike dhe ne nuk mund ta përballojmë dot”, tha Bexheti.

Ndër të tjera ai  tha se nuk mund të ketë marrëdhënie reciproke meritore ekonomike nëse një shtet i përdor vetëm kur t’i vijë mirë.

“Zakonisht po themi, ja në rregull por këta shtete që e pranuan Ballkanin e Hapur sot po i shohin benefitet nga ajo, në kuptimin për të importuar grurin. Jam i sigurt se po të ishte tani Kosova pjesë e Ballkanit të Hapur, po ta kërkonte grurin atje ku e marrin këta tjerët nuk do ta merrnim dot fare. Te çështjet ekonomike duhet të shihet ekuilibri ekonomik. Plotësisht ndaj mendimin se përderisa nuk arrijmë të rregullojmë marrëdhëniet politike si parakusht për marrëdhënie të mira ekonomike, këta të dytat do të mbeten vetëm dëshirë dhe paralajmërim për një mbulesë të caktuar të dështimeve përkatëse. Shtetet e reja duhet të ndërtohen dhe zhvillohen në baza të fuqizimeve ekonomike”, tha Bexheti.

Serbia nuk u bashkua në sanksionet që Bashkimi Evropian i vendosi ndaj Rusisë. Ndërkaq që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë në Serbi u mbajtën disa protesta të cilat mbështesnin këtë agresion.

Nisma “Ballkani i Hapur” për lëvizje të lirë të mallrave dhe njerëzve mes shteteve të këtij rajoni, është një nismë që deri më tani është përkrahur vetëm nga Qeveria e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Edhe përkrah luftës në Ukrainë dhe pozicionit të Serbisë për të mos i’u bashkangjitur sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga kjo iniciatvië.

Paraprakisht, në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministër ishte Zoran Zaev, Maqedonia e Veriut gjithashtu refuzoi që të tërhiqet nga “Ballkani i Hapur” për shkak zhvillimeve në veri të Kosovës, ku për më shumë se tetë ditë, serbët bllokuan vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciprociteti mbi targat e automjeteve të Serbisë. Asokohe, Zaev, tha se mbështet dialogun mes dy vendeve.

Krahasuar me ngjarjet në veri të Kosovës, situata është shumë më serioze, duke e pasur parasysh se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell  më 27 shkurt tha se kriza në Ukrainë mund të përhapet edhe në vende tjera, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

Frika nga përhapja e krizës para se gjithash është për në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë, dy shtete të cilat kanë mosmarrëveshje me aleatin numër një të Rusisë në Ballkan, Serbinë.

Bosnja dhe Hercegovina për shkak Republikës Serbe, ndërkaq Kosova për shkak mosvënie në kontroll të veriut. Të dyja shtetet e refuzojnë të bë pjesë e “Ballkanit të Hapur”, pasi sipas tyre me këtë fuqizohet Serbia. Ata e mbështesin pjesëmarrjen në procesin e Berlinit.

Ndryshe, sot është dita e 29 që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë. Që atëherë sipas OKB-së mbi 3.5 milionë persona kanë ikur nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Sipas tyre, deri tani të paktën 925 civilë kanë humbur jetën dhe rreth 1.500 të tjerë janë plagosur. Sipas Prokurorisë Ukrainase deri tani të paktën 117 fëmijë kanë humbur jetën dhe 155 fëmijë janë plagosur. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës, duke sanksionuar Rusinë në forma të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button