Takim i liderëve të NATO-s në Bruksel – temë diskutimi siguria e aleancës dhe Ukraina

Liderët e NATO-s e sot kanë zhvilluar samitin e jashtëzakonshëm. Sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, përpara samitit ka thënë se liderët do të diskutojnë “nevojën për riorganizim të parandalimit dhe mbrojtje në periudhë afatgjatë”. Ndërkohë, Stoltenbergit i vazhdohet mandati për shkak situatës, transmeton Portalb.mk.

Sekretari Jens Stoltenberg, i ka përmendur në konferencë për shtyp edhe Bosnje e Hercegovinën dhe Gjeorgjinë, duke thënë se aleatët duan që këto shtete të forcojnë qëndrueshmërinë e tyre dhe sovranitetin e integritetin territorial.

Ndërkaq, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka thënë pas samitit të NATO-s se në fjalimin e tij ka qenë i vetmi që i ka përmendur edhe Kosovën dhe Serbinë.

Stoltenberg tha se aleatët i kishin dhënë mbështetje Ukrainës për të ndihmuar në “të drejtën themelore për vetëmbrojtje”, por përsëriti se detyra kryesore e aleancës ushtarake ishte mbrojtja dhe ruajtja e anëtarëve të NATO-s.

Pasi Ukraina nuk është anëtare, Aleanca ka thënë vazhdimisht se nuk do të dërgojë trupa në vend, megjithëse po rrit praninë e saj ushtarake në shtetet anëtare fqinje.

Stoltenberg tha se udhëheqësit e NATO-s do të diskutojnë sot për mbrojtjen afatgjatë.

“Hapi i parë është formimi i katër grupeve të reja luftarake në pjesën lindore të Aleancës, në Bullgari, Rumani, Hungari dhe Sllovaki,” tha ai.

Ai e përshkroi luftën në Ukrainë si “krizën më serioze të sigurisë në një gjeneratë“, duke njoftuar se presidenti ukrainas Zelensky do t’u drejtohej sot liderëve të NATO-s.

Ai theksoi nevojën që anëtarët e Aleancës ta trajtojnë së bashku krizën.

“Aleatët do të duhet të bëjnë më shumë,” tha Stoltenberg, duke shtuar se pret që liderët e NATO-s të bien dakord për “përshpejtimin e investimeve në mbrojtje“.

“Takimi i sotëm do të tregojë rëndësinë që Amerika e Veriut dhe Evropa të qëndrojnë së bashku përballë kësaj krize”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, presidenti Joe Biden dje tashmë ka mbërritur në Evropë ku do të takohet me liderët e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe G7-s.

Sipas medieve ndërkombëtare të cilat citojnë burime nga Shtëpia e Bardhë, Biden do të caktojë sanksione ndaj 300 ligjvënësve të Dumës ruse të Shtetit si edhe do të njoftojë sanksione të reja kundër Rusisë në këtë samit.

Ndërkohë, para samitit të sotëm të jashtëzakonshëm të NATO-s në Bruksel, ku do merr pjesë edhe delegacioni i Maqedonisë së Veriut, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se në këtë samit ndër të tjera do të diskutohet edhe për forcimin e krahut të Evropës Lindore.

“Dhe kjo është diskutuar edhe në takimet e rëndësishme në NATO, kështu që në atë pjesë kemi marrë vendime të duhura për forcimin e krahut lindor dhe sigurisht që do të diskutohet në këtë samit të jashtëzakonshëm”, theksoi Kovaçevski para samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s, duke iu përgjigjur pyetjes nëse mendon se NATO duhet të ketë më shumë pjesëmarrje në Evropën Lindore.

Ai ndër të tjera theksoi se Maqedonia e Veriut tashmë ka ofruar ndihmë adekuate për popullin ukrainas, kurse tani është koha, siç theksoi ai vetë, kur populli i Ukrainës ka nevojë për ndihmën e botës demokratike.

“Sot, të gjithë aleatët e NATO-s janë të bashkuar. Do të ofrojmë mbështetjen tonë për popullin e Ukrainës, do të mbetemi të bashkuar. Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, tashmë e ka harmonizuar politikën e saj të jashtme me BE-në dhe ne i kemi marrë të gjitha vendimet të harmonizuara me vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së për të penguar atë që po bën Rusia e Putinit në Ukrainë, kurse në drejtimin për t’i ndihmuar ukrainasit i sollëm të gjitha vendimet e që t’i pranojmë të gjithë refugjatët që do të kërkojnë strehim në vendin tonë”, tha Kovaçevski para fillimit të samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button