Droni që ra në Mitrovicë është i KFOR-it

Droni që ka rënë gjatë pasdites të së mërkurës në Mitrovicë, është i misionit të KFOR-it. Zyra për informim e KFOR-it e ka konfirmuar për KOHËN se droni që shkaktoi panik me rënien në një shtëpi në lagjen Bair, nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz apo dëme materiale.

Sipas KFOR-it, droni është nxjerr nga prona private nga Policia e Kosovës menjëherë pas uljes së tij.

Në përgjigjen e misionit paqeruajtës, thuhet se droni po kryente mision monitorimi rutinë në mbështetje të aktiviteteve të përditshme.

“Droni po kryente një mision rutinë monitorimi në mbështetje të aktiviteteve të KFOR-it, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke e mandatuar KFOR-in të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në përgjigje.

Ky mision tashmë ka filluar një hetim për të përcaktuar shkakun e këtij incidenti.

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka konfirmuar për KOHËN rënien e një droni në lagjen e këtij qyteti, Bair. Ai deklaroi të mërkurën se sipas informacioneve, droni nuk ka shkaktuar ndonjë dëm, derisa me rastin po merren organet përgjegjëse.

“Mund t’ju them se një dron ka rënë në lagjen Bair të Mitrovicës. Policia dhe organet po merren me rastin. Nga informacionet që kam, nuk ka shkaktuar ndonjë dëm. Besoj se organet do të dalin me sqarim rreth rastit”, tha Hamza.

KOHA ka tentuar të marrë konfirmim nga Policia e Kosovës, por zëdhënësit e saj kanë qenë të paqasshëm deri në momentin e raportimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button