Biden kërkoi sanksione të reja dhe ndihmë për ukrainasit në Evropë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të mblidhet me aleatët kryesorë në Bruksel dhe Varshavë këtë javë, derisa liderët përpiqen të parandalojnë që lufta e Rusisë kundër Ukrainës të kalojë në një katastrofë edhe më të madhe, raaporton REL.

Sfidat humanitare po rriten, gjithashtu. Miliona refugjatë janë larguar nga luftimet, kryesisht duke kaluar kufirin në Poloni dhe lufta ka rrezikuar të korrat e grurit dhe elbit të Ukrainës, duke rritur mundësinë e rritjes së urisë në zonat e varfra anembanë globit.

Jake Sullivan, këshilltar i Bidenit për Sigurinë Kombëtare, tha se presidenti do të koordinojë me aleatët për ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe sanksionet e reja ndaj Rusisë. Ai shtoi se Biden po punon në përpjekjet afatgjata për të rritur mbrojtjen në Evropën Lindore, ku më shumë vende kanë frikë nga agresioni rus. Presidenti po synon, gjithashtu, të zvogëlojë varësinë e kontinentit nga energjia ruse.

Sullivan theksoi se referencat e presidentit rus, Vladimir Putin, për armët bërthamore në fillim të konfliktit janë “diçka për të cilën ne duhet të shqetësohemi”, duke shtuar se Biden do të fliste me aleatët për “përgjigje të mundshme” nëse udhëheqësi rus e ndërmerr atë hap.

Biden do të marrë pjesë, gjithashtu, në takimet e Bashkimit Evropian dhe G7-s, i cili përfshin demokracitë më të pasura në botë.

Më pas ai do të udhëtojë në Varshavë, të premten, ku me zyrtarët polakë pritet të diskutojë mbi krizën e refugjatëve ukrainas. Biden është planifikuar të takohet me presidentin polak, Andrzej Duda të shtunën

“Kjo luftë nuk do të përfundojë lehtë ose shpejt”, u tha Sullivan gazetarëve në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë të martën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button