Komunat nuk kanë para për ujë dhe mbledhjen e mbeturinave, ndërsa në Shkup do të ketë transport falas me autobus për pensionistët që Qytetit do t’i kushtojë 650 mijë euro

Pensionistët në Shkup nga e premtja do të lëvizin falas me autobusët e transportit publik çdo të martë, të premte, të shtunë dhe të diel. Për këtë masë nga buxheti i Qytetit të Shkupit janë ndarë 650.000 euro dhe janë transferuar në llogarinë e NTP “Shkup”, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

Transporti falas për gratë mbi 62 dhe për burrat mbi 64 vjeç është futur në një situatë kur kryetarja Danela Arsovska ankohet çdo ditë se qyteti dhe komunat nuk kanë mjete për realizimin e projekteve për shkak të krizës ekonomike dhe energjetike. Ndërmarrjet publike të komunave dje kanë njoftuar se do të bëjnë kufizime për ujin dhe nuk do të mbledhin plehrat për shkak se nuk kanë para.

Drejtori i NTP “Shkup” Ivan Ilievski, i cili sot në një konferencë për media paralajmëroi fillimin e transportit falas, tha se kjo masë u lehtëson shpenzimet qytetarëve, por u ankua se kompania është në situatë të vështirë.

“Ne si kompani publike përballemi me probleme të mëdha. Trashëguam borxhet e bëra nga operimet jashtë vendit, përkatësisht humbje prej 3 milionë eurosh dhe në të njëjtën kohë fillojmë të paguajmë kredinë për blerjen e autobusëve MAN. Problem është edhe rritja e çmimeve të derivateve të naftës dhe gazit natyror dhe në krahasim me vitin e kaluar shpenzimet tona janë rritur për 33 për qind”, tha Ilievski.

Sdk.mk e pyeti Ilievskin pse transport falas për pensionistët kur kryetarja Arsovska vazhdimisht ankohet se qyteti nuk ka para, dhe a nuk konsideron se në kohë krize ekonomike dhe energjetike për këtë masë shpenzohen 650.000 euro në vend të projekteve më prioritare? Ilievski u përgjigj shkurt se ishte vendim për të mirën e qytetarëve.

“NTP“Shkup” dhe Qyteti i Shkupit gjithmonë mendojnë për qytetarët e tyre dhe në këto momente të vështira kemi dalë me një masë që së paku një kategorie të caktuar të qytetarëve t’ia lehtësojmë problemet ekonomike”, tha Ilievski.

Në fushatën zgjedhore të Arsovskës, të gjithë qytetarëve iu premtua transport falas me autobus. Ilievski tha se do të bëhet ashtu siç është premtuar, pa specifikuar se kur. Arsovska, nga ana tjetër, pasi u bë kryetare e komunës tha se transporti falas do të vendoset për dy vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button