Humbjet e ujit të pijshëm në Shkup vitin e kaluar arritën në mbi 60 për qind

Më 21 Marsi shënohet Dita Botërore e Ujit, ku ndër të tjera çdo shoqëri tregon se sa e vlerëson dhe çmon ujin e pijshëm, të cilin e përdor si burim të kufizuar. Në Shkup, për vite me radhë përqindja e ujit të pa arkëtuar në sistemin e ujësjellësit sillet rreth 60 për qind, që është një përqindje jashtëzakonisht negative sa i përket humbjeve të pranueshme të ujit, që është më pak se 30 për qind vë në pah Shoqata Ndërkombëtare e Ujërave, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Duke qenë se është qyteti më i madh në vend, ujësjellësi i Shkupit prodhon sasinë më të madhe të ujit të pijshëm në vend, kështu që përqindja e lartë e ujit të pa arkëtuar nënkupton derdhje të pakujdesshme të ujit të pijshëm në kushte kur ndikimi i ndryshimeve klimatike është shtuar.

NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, për Meta.mk, informon se vitin e kaluar përqindja e ujit të pa arkëtuar ishte 60 për qind, ndërsa humbjet fizike të ujit të pijshëm ishin rreth 30 për qind. Humbjet fizike të ujit për shkak të çarjeve të tubacioneve dhe infrastrukturës së amortizuar janë vetëm një pjesë e ujit të pa arkëtuar, ku përfshihet edhe konsumi i ligjshëm i pa faturuar i ujit të pijshëm (ujitja e zonave publike, uji për shatërvanët, tualetet publike, etj.) lidhjet ilegale, por edhe pasaktësia e matësve të ujit dhe gabimet në menaxhimin e të dhënave.

Nga kjo kompani publike thonë se deri në vitin 2025 kanë në plan që përqindjen e ujit të pa arkëtuar në ujësjellësin e Shkupit të ulin në rreth 45 për qind.

Vitin e kaluar kanë realizuar një projekt për blerjen e ujëmatësve zonal të rrjedhës dhe reduktuesve të presionit, gjatë të cilit janë kryer punime ndërtimore me vlerë mbi 50.000 euro. Pajisjet matëse janë të instaluara në Kozle, Zhdanec, SP Novo Sellë, SP Pripor, SP Sopisht, SP Radishan dhe Çair.

Gjithashtu, NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Shkup, në bashkëpunim me grantin e siguruar nga Qendra e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (WBGC), për mbështetjen e tranzicionit të gjelbër në Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 122.000 euro e realizoi projektin për uljen e humbjeve të ujit në Trnodol dhe Zhdanec.

“Një nga masat që i ka ndërmarrë NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup gjatë viteve të kaluara është ndarja e llogarisë së NP “Parqet dhe gjelbërimi”, përkatësisht grumbullimi i ujit pas përcaktimit të tarifës së veçantë për ujin në rrjetin e parkut. Kështu është reduktuar dukshëm humbja e ujit të pijshëm në baza vjetore”, sqarojnë për Meta.mk nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”.

Kompania thotë se këtë vit do të blejë matësit e rinj zonal dhe reduktues të presionit të ujit në vlerë prej rreth 115 mijë euro. Në periudhën e ardhshme parashikohet zbatimi i masave të tjera për reduktimin e humbjeve fizike të ujit të pijshëm në sistem.

Evgenija Krstevska, avokate e specializuar për mbrojtjen e ujit dhe aktiviste shumëvjeçare në këtë temë, për Meta.mk, tha se për të parë rezultate në zvogëlimin e humbjeve të ujit të pijshëm, është e nevojshme të lokalizohen problemet, të gjenden zgjidhje për to dhe të ndahen mjete adekuate për financim, asistencë për zbatimin e projekteve që do të riparojnë infrastrukturën e ujësjellësit.

“Në përgjithësi në nivel shtetëror infrastruktura është në gjendje të keqe dhe humbjet e ujit arrijnë nivele të larta. Problemi i humbjeve nuk duhet anashkaluar dhe humbja e ujit në sistem për vite me radhë në kushte të ndryshimeve të këtilla klimatike gjithashtu nuk duhet të lejohet. Një rol të madh e luan fakti se humbja e ujit ka të bëjë me sasinë totale të ujit që hyn në sistemin e furnizimit me ujë, sasia kjo që me kalimin e viteve ndryshon. Nëse ato sasi nuk kontrollohen dhe monitorohen, atëherë do të vijmë në situatë ku çdo vit do të shpenzojmë por edhe do të humbim gjithnjë e më shumë ujë”, sqaron Evgenija Krstevska.

Ajo shton se monitorimi i rregullt dhe lokalizimi i humbjeve në sistem është i domosdoshëm, së bashku me riparimin në kohë dhe investimet në rrjet. Në të njëjtën kohë, duhet të bëhet kontrolli i përdorimit të rregullt të ujit të pijshëm për qëllime të tjera, për të parandaluar lidhjet ilegale, por edhe për të analizuar tendencën e shtrirjes urbane dhe demografike dhe se si përdoruesit e rinj do të pajisen me infrastrukturën e nevojshme për kyçje.

Në konferencën e sotme për shtyp me rastin e Ditës Botërore të Ujit dhe aktiviteteve të ndërmarra në këtë drejtim, që u mbajt në Shtëpinë e BE-së, ambasadorja gjermane Anke Holshtajn e ndau përvojën e saj të mëhershme nga shteti afrikan Xhibuti, ku më parë e kishte përfaqësuar vendin e saj si ambasadore, në një periudhë dy vjeçare.

Është një nga vendet më të nxehta dhe më të thata në botë. Xhibuti del në det, por nuk ka ujë të pijshëm. Burimet ujore në dispozicion janë shumë të nxehta për t’u pirë dhe plot baktere, ndaj e vetmja zgjidhje për ujin e pijshëm për banorët është uji i ambalazhuar.

“Përveç disa oazave, atje nuk rritet asgjë”, tha ambasadori Holshtajn, duke iu referuar ndikimit të ndryshimeve klimatike në atë vend.

Popullsia rurale, thotë ambasadorja gjerman, pranon ujë të pijshëm dy herë në javë në fuçi të dërguara nga UNICEF. Ata zakonisht kanë nga 12 litra në ditë, për kokë banori, për të plotësuar të gjitha nevojat, ndërsa në Gjermani një person përdor mesatarisht 129 litra ujë të pijshëm vetëm për përdorim personal, tha Anke Holshtajn.

“Unë besoj vërtet se duhet të fokusohemi më shumë në përgjegjësinë gjatë përdorimit të ujit, në mbrojtjen e këtij burimi natyror”, shtoi ambasadori Holshtajn në aktivitetin e sotëm të organizuar në Shtëpinë e BE-së.

Duke iu kthyer shoqërisë në Maqedoni dhe rastin e Ujësjellësit të Shkupit, drejtori i NP “Ujësjellës Kanalizime” – Shkup Zllatko Perinski tha se përqindja aktuale e ujit të pa arkëtuar është fakt zhgënjyes. Ai sot tha se do të sigurohen mjete shtesë për tejkalimin e humbjeve të ujit të pijshëm.

“Tashmë jemi në proces të sigurimit të një granti nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 2 milionë euro për të realizuar një studim për të zbuluar dobësitë e rrjetit dhe vendet ku kemi humbje fizike të ujit, për shkak të dobësisë dhe vjetërsisë së rrjetit. Shpresoj që deri në fund të verës ta përfundojmë procedurën dhe të fillojmë me studimin”, tha drejtori Perinski.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të ndërgjegjësohen më shumë, të mos e përdorin ujin e pijshëm për qëllime të tjera, si për ujitje të sipërfaqeve të gjelbra apo larje të rrugëve, por apeloi edhe për mbështetje nga qeveria. Me urbanizimin e mëtejmë të Shkupit dhe ndryshimin e kushteve klimatike në qytet, në të ardhmen mund të rrezikojmë të mos kemi sasi të mjaftueshme për furnizim me ujë të pijshëm, paralajmëroi drejtori i NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi, Zllatko Perinski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button