Samsonenko në “Parcelat në Vodno”: Bleva parcelë nga Kamçevi për të ndërtuar shtëpi

Biznesmeni rus Sergej Samsonenko sot, në Gjykatën Penale Themelore në Shkup, në cilësinë e dëshmitarit pohoi se ligjërisht kishte blerë dhe paguar tokë prej rreth 10.000 metra katrorë në Vodno, nga biznesmeni Orce Kamçev, transmeton 360 Shkallë.

Samsonenko dëshmoi me propozim të Kamçevit, i cili është një nga të pandehurit në rastin “Parcelat në Vodno”.

Parcela atraktive është në pronësi të kompanisë “Live Care Center”, e cila ishte në pronësi të familjes Kamçev, kurse biznesmeni rus e ka blerë në vitin 2019.

“Është kompania ime që është blerë në emër të gruas sime me porosinë time. Mbase nuk kam qenë këtu ose ndonjë gjë tjetër teknike, prandaj e kam blerë në emër të saj. Nuk ka asnjë pronë përveç një parcelë prej 10 mijë metrash katrorë”, tha Samsonenko.

Ai tha se e ka blerë për 110 milionë denarë, të cilat sipas marrëveshjes së shitblerjes është dashur t’i paguajë për tre vjet dhe, siç tha, i ka paguar para kohe.

“Për një kohë kërkoja një parcelë të madhe për të ndërtuar shtëpi ku të jetonte familja ime. Nuk munda të gjeja atë që më duhej sepse kërkoja mbi 5000 metra katrorë. Këtë parcelë si një nga variantet ma sugjeroi edhe Orce Kamçev. Kam shqyrtuar disa variante dhe zgjodha këtë”, tha Samsonenko.

Sipas dëshmisë së tij, biznesmeni tani është në humbje për shkak se parcela është e bllokuar, gjegjësisht nuk ka rrugë për të. Me paratë që e bleva, tha Samsonenko, ka mund të jetonte rehat 15-20 vjet në pension.

“Rruga nga Komuna nuk është ndërtuar ende, gjë që më shqetëson. Është e bllokuar, nuk e kuptoj përse, pasi po pësoj dëme, kërkoj nga gjykata të kontrollojë pse. Kërkova prej  avokatëve të më shpjegonin pse u bllokua, nuk e kuptoj. Kur e bleva, kontrollova, gjithçka ishte e pastër. “Me paratë që i kam paguar, kam mund të jetoj rehat në pension 15-20 vjet”, tha Samsonenko.

Përveç Samsonenkos, ka dëshmuar edhe pronari i “Super Trade”, biznesmeni Vlladimir Staiq, i cili ka blerë edhe një tokë tjetër nga “Live Care Center” në vitin 2018, pra para se kompaninë ta blinte familja Samsonenko.

Staiq tha se ai parcelën e kishte blerë nga Kamçevi me qëllim që të ndërtonte një shtëpi për të banuar ose për ta ndërtuar dhe pastaj ta rishet. Deri më tani nuk ka ndërtuar, tha ai, sepse në atë periudhë ka blerë dhe ka ndërtuar pika karburanti dhe më pas ka plas kriza me pandeminë Kovid. Pagesa, tha ai, ishte e ligjshme ashtu siç ishte rënë dakord nga ekipet ligjore në marrëveshjen e shitblerjes.

I pyetur nga avokatët e Kamçevit nëse e njeh Nikolla Gruevskin, Staiq u përgjigj se as nuk e njeh atë si dhe se nuk ka qenë ndonjëherë në të njëjtën dhomë me të.

Mbrojtja me këta dëshmitarë kërkon të dëshmojë se parcelat janë blerë dhe shitur ligjërisht, për dallim nga Prokuroria që pretendon se Gruevski është pronar i vërtetë i tokës, por me kalimin e pronësisë nga një kompani në tjetrën është fshehur pronari i vërtetë.

Ndryshe, Orce Kamçev u lirua nga burgu në Shutkë me 5 janar të këtij viti, pasi gjykata pranoi garancinë e ofruar prej 11 milionë eurosh, duke i lejuar të dyshuarit në rastin “Parcelat në Vodno” të mbrohet në liri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button