Gazetari rus do ta vendosë në ankand Çmimin e tij Nobel

Kryeredaktori i gazetës së pavarur Novaya Gazeta – me bazë në Moskë – Dmitry Muratov, do ta vendosë në ankand medaljen e tij të Çmimit Nobel, me qëllim të mbledhjes së fondeve për refugjatët ukrainas, të cilët kanë ikur për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga ana e Rusisë.

Muratov, i cili është nderuar me Çmimin Nobel për Paqe më 2021, për betejën e tij që të ruajë të vërtetën si gazetar, e ka bërë të ditur këtë njoftim në gazetën e tij më 22 mars, transmeton REL.

“U bëj thirrje grupeve të ankandeve, që janë të interesuara për këtë çmim të njohur në gjithë botën, të na kontaktojnë neve”, ka thënë Muratov, i cili ka fituar çmimin bashkë me Maria Ressan, bashkëthemeluese e faqes Rappler, e cila njihet si platformë kundër Qeverisë së Filipineve.

Muratov dhe Novaya Gazeta kanë bërë të ditur këtë njoftim, duke bërë thirrje edhe për zbatim të pesë masave në Ukrainë: armëpushim, shkëmbim të të burgosurve, riatdhesimin e të vdekurve, krijimin e korridoreve humanitare dhe ofrimin e ndihmës për refugjatët”.

Dhjetëra mijëra trupa ruse kanë pushtuar Ukrainën prej kur Moska ka nisur sulmet më 24 shkurt.

Prej fillimit të marsit, Muratov dhe gazeta e tij kanë shmangur raportimin për situatën në Ukrainë për shkak të censurës dhe kërcënimit për gjykim penal të gazetarëve që nuk ndjekin linjën qeveritare.

Rregullatori rus i mediave, Roskomnadzor, e ka ndaluar përshkrimin e veprimeve të Rusisë si pushtim apo luftë dhe ka thënë se ato duhet të konsiderohen pjesë e “operacionit special ushtarak”.

Një ligj i përkrahur së fundi nga presidenti rus, Vladimir Putin parasheh dënim me burgim në deri 10 vjet për individët e dënuar për shkelje të tilla.

Dënimi për ato që autoritetet i konsiderojnë si “informacione të rreme” për ushtrinë ruse, të cilat çojnë në “pasoja serioze” shkon në deri 15 vjet burgim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button