fbpx

RMV, është rritur përdorimi i disa shërbimeve elektronike, por ende larg nivelit të dëshiruar

Përdorimi i disa shërbimeve të caktuara elektronike gjatë vitit 2021, krahasuar me periudhën e vitit 2019/20 ka një rritje të lehtë. Kështu tregojnë të dhënat që i ka siguruar ICEDA në bashkëpunim me Portalb.mk, duke i krahasuar me të dhënat e hulumtimit paraprak, kur të njëjtat shërbime elektronike kanë pasur përdorim më të ulët. Megjithatë, kjo rritje është ende e largët nga niveli që qytetarët do të duhej t’i përdorin këto shërbime, njofton Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut vazhdon të mos ketë bazë të të dhënave për përdorimin e shërbimeve elektronike që i japin institucionet publike. Në mungesë të të dhënave, Portalb.mk ka siguruar të dhëna prej disa institucioneve, të cilat kanë qenë në shënjestër të hulumtimit tonë të vitit 2020 dhe tani bëjmë krahasim se në çfarë mase janë përdorur asokohe dhe si është situata tani.

  • Portali Nacional për Shërbime Elektronike

Në dhjetor të vitit 2019-të ka filluar me punë Portali Nacional për Shërbime Elektronike, i cili u mundëson qytetarëve që të kenë qasje tek informatat për shërbimet publike nga organet përkatëse dhe subjektet shtetërore. Gjithashtu, nëpërmjet këtij portali mund të dorëzohen kërkesa për marrjen e disa shërbimeve elektronike, të paguhen kompensime apo taksa administrative, të ndiqet statusi i procedurave apo të ndërmerren hapa tjerë në kryerjen e ndonjë shërbimi administrativ, megjithatë për t’i kryer këto, duhet që të hapet fillimisht llogari apo të krijohet profil “eID”.

Portali ofron 839 shërbime nga 1.288 institucione publike, ndërkaq 50 prej tyre janë elektronike.

Sipas të dhënave në nëntor të vitit 2020, numri i shfrytëzuesve të regjistruar të portalit ka qenë 26.129, ndërkaq tani ka arritur në 70.532.

Prej kur është hapur, nëpërmjet këtij portali janë dërguar 18.942 kërkesa apo sipas përllogaritjeve të Portalb.mk, mesatarja mujore e kërkesave të dorëzuara nëpërmjet këtij portal është 701. Vetëm në 30 ditët e kaluara janë dorëzuar 1.100 kërkesa.

  • Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë

Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë (DMLA) i menaxhon librat e gjendjes civile, gjegjësisht regjistron dhe jep certifikata të lindjes, kurorëzimit apo vdekjes. Në mbarë shtetin ka zyra rajonale, por institucioni në fjalë nuk ka evidencë se sa kërkesa për certifikata ka pranuar nga sporteli, gjegjësisht nga qytetarët që kanë shkuar t’i dorëzojnë me prani fizike.

Megjithatë, institucioni ka të dhëna për dorëzimin e kërkesave në mënyrë elektronike.

Në hulumtimin paraprak, kemi njoftuar se në periudhën 2019-të deri në shtator 2021, gjithsej janë dorëzuar në mënyrë elektronike 27.764, ndërkaq gjatë vitit 2021, ky numër është rritur për rreth 7.000, gjegjësisht janë dorëzuar 34.746 kërkesa.

  • Regjistri Qendror

Të dhënat zyrtare të Regjistrit Qendror tregojnë se tre shërbimet, të cilat kanë qenë në shënjestër të hulumtimit tonë, gjatë vitit 2021 janë përdorur më shumë në mënyrë elektronike, krahasuar me periudhën paraprake 2019-shtator 2020.

Sipas të dhënave, gjatë vitit 2021, Regjistri Qendror në mënyrë elektronike ka lëshuar 11.641 vërtetime për atë nëse është shqiptuar sanksion kundërvajtës ndalesë për kryerjen e profesionit, veprimtarisë ose obligimeve të personit fizik ose juridik. Për krahasim, në periudhën 2019-shtator 2020, Regjistri Qendror ka lëshuar 588.

Rritje ka edhe në dy shërbimet tjera, gjegjësisht “ndalesë për pjesëmarrje në thirrje publike, furnizim publik” ku nga 936 në periudhën 2019-shtator 2020, gjatë vitit 2021 janë lëshuar në mënyrë elektronike 3.739, ashtu sikur në shërbimin “vërtetim për procedurë falimentuese, ku nga paraprakisht 15.004 vërtetime, gjatë vitit 2021 janë lëshuar 24.834.

  • Ministria e Punëve të Brendshme

Një prej shërbimeve që përdoret në masë është edhe caktimi i terminëve për dokumentet personal të identifikimit, patentë-shofer apo pasaportës. Këto dokumente lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme, por për të arritur deri te të njëjtat paraprakisht duhet të caktohet termin, i cili mund të bëhet në mënyrë elektronike, apo edhe telefonave të mençur si dhe përmes numrit celular.

Sipas të dhënave nga MPB, shohim rritje të numrit përdorimit të sistemit elektronik për caktimin e terminëve, gjegjësisht në vitin 2019-të ka pasur vetëm 21.862 caktime të terminëve. Gjatë vitit 2020 (deri në muajin gusht), numri i terminëve të caktuar ka arritur në 104.607, ndërkaq gjatë vitit 2021 ky numër është rritur në 172.943.

Përdorimi i shërbimeve elektronike ende larg nivelit të dëshiruar

“Rritja e numrit të përdoruesve të regjistruar, të Portalit Kombëtar për e-shërbime (shërbime elektronike), është një hap në drejtim të mirë, por është larg numrit real të qytetarëve të cilët do të duhej të përdorin shërbime publike. Për momentin, sipas asaj që e kam si informacion, nuk ka përpjekje të dukshme nga institucionet për të promovuar portalin apo për të ftuar qytetarët që ta përdorin atë. Nëpërmjet dy qendrave për përkrahje të e-qeverisë në Prilep dhe Kërçovë, të cilat financohen nga Bashkimi Evropian përmes projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, tashmë po bëhen përpjekje nga AGTIS dhe Koalicioni Rural, për të promovuar portalin, duke i mbështetur qytetarët të regjistrohen në portal si dhe të përdorin disa e-shërbime me interes për qytetarët që janë në portal dhe të tjera që nuk janë pjesë e tij”, thotë Mila Josifovska Danilovska nga projekti i Metamorfozis, ICEDA.

Sipas saj, mungesa e madhe e portalit është se jo të gjitha shërbimet, që ofrohen nga institucionet shtetërore, janë vendosur në të që të mund të merren nëpërmjet portalit, si dhe jo të gjitha shërbimet janë të digjitalizuara.

“Është një proces më i gjatë në të cilin duhet të punojnë të gjitha palët e interesuara – qytetarët duhet të tregojnë se cilat shërbime janë prioritet i tyre që të digjitalizohen ose të deklarojnë nëse kanë vështirësi dhe sfida gjatë përdorimit të e-shërbimeve ekzistuese, kurse institucionet duhet të udhëhiqen nga nevojat e qytetarëve dhe të bashkëpunojnë me sektorin civil dhe komunitetin e TI për krijimin e tyre”, shton Josifovska Danilovska.

Ajo shton se në përgjithësi, nuk mund të komentojmë objektivisht për përdorimin e e-shërbimeve në vendin tonë kur nuk kemi informacion të saktë për të që është në dispozicion publikisht, në mënyrë që brenda një periudhë kohore të bëhet krahasimi.

“Nuk ka bazë të unifikuar me të gjitha të dhënat për e-shërbime, si dhe nuk dihet se sa ato përdoren në mënyrë elektronike, kundrejt mënyrës tradicionale – me prani fizike. Kjo bazë e të dhënave është thelbësore për institucionet që të monitorojnë, vlerësojnë dhe të planifikojnë krijimin e e-shërbimeve të reja ose të përmirësojnë ato ekzistuese, për të parë se cilat e-shërbime përdoren më pak dhe për të hulumtuar, për të gjetur se ku duhet t’i intensifikojnë përpjekjet ose të rishikojnë strategjinë për promovimin e tyre, për të parë nëse ka nevojë për ngritjen e kapaciteteve që grupi i synuar të përdorë atë e-shërbim, etj.”, Josifovska Danilovska.

Kur bëhet fjalë për disa raste të izoluara të rritjes së përdorimit të shërbimeve në mënyrë elektronike (të renditura më sipër), sipas saj, ky është tregues i mirë se qytetarët kanë filluar të kuptojnë përfitimet e dispozicionit digjital të shërbimeve. “Jetojmë në një epokë ku jeta jonë zhvillohet me ritme të shpejta dhe nuk mundemi të lejojmë që kohën ta kalojmë duke pritur para sporteleve për orë të tëra, në disa raste edhe disa ditë, për të marrë nga institucionet ndonjë dokument që është i rëndësishëm që ne të realizojmë disa të drejta apo ndonjë përfitim tonin”, tha ajo.

Rikujtojmë që banorët e Maqedonisë së Veriut e kanë vështirë të nxjerrin dokumente “vetëm me një klikim” në Internet. Kjo ndodh sepse shteti ofron shërbime të kufizuara elektronike, potenciali i portalit nacional nuk shfrytëzohet ndërkaq ka banorët edhe pse kanë pajisje, ata nuk kanë informata të mjaftueshme për shërbimet elektronike. Sipas hulumtimit që e bëri Portalb.mk, del në pah se madje as nuk dihet sesa gjithsej qytetarë i kanë shfrytëzuar këto shërbime, në krahasim me shërbimet tradicionale – me prezencë fizike. Nëse RMV do të digjitalizohet sikurse vendet e Bashkimit Evropian, pjesë e së cilës synon të bëhet, atëherë do të hiqen nga përdorimi disa dokumente, të cilat nuk ka nevojë të ekzistojnë, pasi që të njëjtat u shtojnë qytetarëve harxhime dhe humbje kohe për të aplikuar e pritur për t’i marrë.

 

Kjo storje hulumtuese u përgatit si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerë për Ndryshime Demokratike Serbi (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).

Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Për më shumë lexoni storjet e Portalbit:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button