fbpx

Biden: Rusia po përdor raketa hipersonike pasi “ka mbetur ngushtë”

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Rusia po përdor raketa hipersonike në Ukrainë dhe arsyeja për këtë është se Moska “ka mbetur ngushtë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Biden u takua me 238 drejtues të lartë (CEO) të bizneseve dhe kompanive në vend në një tryezë të rrumbullakët në Shtëpinë e Bardhë, ku foli për hapat e ndërmarrë në kontekstin e luftës Rusi-Ukrainë.

Biden falënderoi drejtuesit për hapat që ata kanë ndërmarrë në lidhje me Ukrainën.

“(Presidenti rus Vladimir) Putin kurrë nuk e kishte menduar se vendet e NATO-s mund të ishin kaq të bashkuara. NATO është më e bashkuar se kurrë më parë dhe arsyeja më e madhe është Putini”, u shpreh ai.

Presidenti amerikan theksoi se ndërprerja e aktiviteteve të kompanive amerikane në Rusi bëri një ndryshim të madh, ndërsa shtoi se përveç fushës së ekonomisë, SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës 2 miliardë dollarë ndihmë mbrojtëse në vitin e fundit.

“Ideja që Ukraina nuk ka mjaft pajisje të sofistikuara nuk është e vërtetë. Nuk do të jap të gjitha detajet këtu, por ata kanë të gjitha pajisjet që do t’u nevojiten në një nivel racional”, tha Biden.

Ai theksoi se ushtria ukrainase po godet tanket dhe helikopterët rusë dhe “po shkatërron” ushtrinë.

“Nëse e keni vënë re, Rusia përdori raketa hipersonike në Ukrainë. Kjo ishte gjithçka që ata mund të bënin. Është armë indirekte. I vetmi ndryshim është se është pothuajse e pamundur ta ndalosh. Ushtria ruse kishte një arsye për ta përdorur atë. Ata janë ngushtë. Putini nuk mund ta parashikonte këtë nivel fuqie dhe uniteti”, shtoi presidenti i SHBA-së.

Biden gjithashtu mohoi pretendimet e Rusisë se në Ukrainë ka armë kimike dhe biologjike, duke paralajmëruar se këto pretendime të Rusisë mund të jenë një justifikim për t’i përdorur këto armë në Ukrainë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button