RMV, nxënësit me propozim për përdorim të platformës digjitale synojnë rrjetëzim më të madh të të rinjve

Dje në ambientet e Dhomës Publike u mbajt një takim ku nxënësit, të cilët janë pjesë e Qendrës për fuzion të ideve, grup rinor joformal, para përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe Qendrës për Arsim dhe Aftësim Profesional, i prezantuan idetë e tyre për rrjetëzimin e nxënësve në nivel kombëtar, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për një grup nxënësish shumë të motivuar, anëtarë të kuvendeve shkollore, të cilët gjatë gjysmës së parë të vitit shkollor 2021/2022 zhvilluan takime së bashku dhe morën pjesë në zhvillimin e një ideje të përbashkët për adresimin e sfidave me të cilat përballen të rinjtë në mbarë vendin.

Si rezultat i punës së tyre, u bë një propozim për të përdorur mundësitë e Platformës Kombëtare të Mësimit në Distancë, e cila u zhvillua në fillim të pandemisë KOVID-19. Duke qenë se çdo nxënës tashmë e ka profilin e vet në platformë, ideja është që të bëhen tre ndarje të platformës:

  • hapësirë ​​për ndarjen e historive të suksesit për njohjen e punës së mësuesve dhe nxënësve, të cilët kanë arritur rezultate të shkëlqyera në ndonjë fushë të caktuar ose kanë realizuar ndonjë iniciativë të nxënësve e cila do të shërbente si frymëzim për të tjerët;
  • blogje të krijuara nga nxënësit për tema me interes për ta;
  • forume ku nxënësit, së bashku me bashkëmoshatarët e tyre, do të mund të angazhohen dhe të hapin diskutime për tema të ndryshme.
Foto: Qendra e Maqedonisë për Edukim Qytetar
Foto: Qendra e Maqedonisë për Edukim Qytetar

“Një nga sfidat më të mëdha për nxënësit është mungesa e mundësive për socializim të ndërsjellë. Nëse përdoret siç duhet, teknologjia do të mundësonte që nxënësit të komunikojnë dhe të bashkëpunojnë kudo qofshin ata”, e theksuan nxënësit në takimin e djeshëm me përfaqësues të institucioneve arsimore ku e prezantuan idenë e tyre për të marrë komente për zbatimin e suksesshëm dhe realizimin e mundshëm të saj.

Në mesin e të pranishmëve, përveç anëtarëve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ishin edhe mësimdhënës, përfaqësues të shërbimeve profesionale dhe drejtorë të shkollave të përfshira, si dhe përfaqësues të Zyrës së USAID-it në Maqedoninë e Veriut.

Qendra për fuzion të ideve mbështetet nga Projekti i USAID-it për integrimin ndëretnik të të rinjve në arsim dhe zbatohet nga Qendra e Maqedonisë për Edukim Qytetar (QMEQ).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button