“Në kërkim të njerëzimit” të Ai Weiwei në Muzeun “Albertina Moderna” në Vjenë

Ekspozita më gjithëpërfshirëse retrospektive, e artistit dhe disidentit të famshëm kinez Ai Weiwei, u hap në Muzeun “Albertina Moderna” në Vjenë më 16 mars. Ekspozita “In Search of Humanity“ (Në kërkim të njerëzimit) në një vend veprat e tij të artit në koleksione të ndryshme, së bashku me filmat e tij dokumentarë, në një kohë kur Evropa po përballet me një krizë jashtëzakonisht të madhe humanitare të shkaktuar nga pushtimi ushtarak rus në Ukrainë, shkruan Meta.mk.

Foto: Meta.mk

Këto janë vepra arti që i mbulojnë të gjitha periudhat e karrierës së tij krijuese gjatë katër dekadave të fundit, nga veprat e hershme e deri tek veprat më të fundit të Ai Weiwei, në të cilat tema të pashmangshme janë pandemia Covid-19, Kina dhe shpërthimet jodemokratike gjithandej nëpër botë.

Foto: Meta.mk

Vetë Ai Weiwei, në hapjen e ekspozitës në Vjenë, u tha gazetarëve se lufta në Ukrainë i ka shkundur themelet e demokracisë dhe lirisë në botë, ndërsa lufta dhe kriza masive e refugjatëve e kishin bërë atë të frikësohej nga “e ashtuquajtura jeta jonë paqësore pas Luftës së Dytë Botërore”. Ai e përshkroi pushtimin rus të Ukrainës si “të papranueshëm”, ndërsa shprehu shqetësimin për ndasitë globale në botë.

Meta.mk në ditët e para vizitoi ekspozitën e njërit prej artistëve më të mëdhenj të sotëm në Vjenë. Mund të vërehet se “Albertina Moderna” në fokus i ka veprat e tij retrospektive të artit që e përfshijnë vështrimin e artistit ndaj ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare, për të cilat është më së shumti i njohur.

Punimi i tij „A Metal Door with Bullet Holes“ (Një derë metalike me vrima plumbash) e vitit 2015 e zë vendin qendror në hyrje të ekspozitës. Është një derë e madhe metalike me vrima granatimesh, të cilën Ai Weiwei e zbuloi gjatë xhirimeve në Siri në afërsi të kufirit turk. Kjo derë është dëshmitare e dhunës nga lufta që ka qenë e pranishme në Siri gjatë periudhës së kaluar.

“A Metal Door with Bullet Holes”; Foto: Meta.mk

Një pjesë e konsiderueshme e punimeve të tij e trajtojnë temën e refugjatëve. Në vitin 2015, artisti e gjend në ishullin grek Lesbos, ku në plazhe i ka vërejtur jelekët e shpëtimit që refugjatët të cilët e kanë kaluar Mesdheun për t’i shpëtuar tmerreve të luftërave në Lindjen e Mesme i kanë përdorur. I frymëzuar nga kjo, vepra e tij e vitit 2017 “Crystal Ball” (Topi i kristalit) përbëhet nga shumë jelekë shpëtimi të rrethuar nga një top gjigant kristali. Kështu ai ngre çështjen e fatit të refugjatëve, apo edhe aspekti më radikal është, se deri në çfarë mase refugjatët ishin lanë të vetëm në mëshirën e fatit tyre.

Crystal Ball; Foto: Meta.mk

Përveç temës së luftës dhe refugjatëve, në veprat e tij të hershme, Ai Weiwei i bën vështrim kritik ndaj trajtimit të trashëgimisë kulturore dhe konsumerizmit në Kinë, ashtu që në vazot tradicionale kineze neolitike është gdhendur logoja Coca-Cola, së bashku me portrete “jo ideale” të liderit komunist kinez Mao Ce Dun.

Foto: Meta.mk

Varfëria, revolucioni kulturor në Kinë nga i cili ka vuajtur edhe babai i tij, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore, korrupsioni në sistemin njëpartiak dhe mangësitë e tij sistematike, kritika ndaj konceptit kinez të stigmatizimit individual e përshkojnë pjesën më të madhe të periudhave krijuese të Ai Weiwei, të cilat janë ekspozuar në “Albertina Moderna”.

Ndoshta përshtypjen më të fortë e kanë lënë pasojat e tërmetit të tmerrshëm në provincën kineze Siçuan, ku jetën e humbën rreth 70 mijë njerëz. Ai Weiwei, me iniciativën e tij, dy vjet ka bërë kërkime për të zbuluar emrat e 5197 fëmijëve të cilët kanë vdekur nën rrënojat e ndërtesave të shkollave në Siçuan. Më pas shpërtheu skandali jashtëzakonisht i madh për ndërtimet e dobëta të objekteve shkollore dhe motivet korruptive që ishin fshehur prapa tyre, e të cilat konsiderohen si arsye për prishjen e objekteve të tilla.

Emrat e fëmijëve të vrarë në tërmetin e Siçuan; Foto: Meta.mk

Pas shpalljes së emrave të nxënësve të vrarë në tërmetin në Siçuan, autoritetet kineze fillimisht e censuruan blogun e Ai Weiwei, e më pas i bllokuan plotësisht përmbajtjen e tij nga interneti kinez, duke e bërë atë disident. Vepra e tij “Forge” (2008-2012) është ndoshta vepra artistike më emocionuese, pasi është vendosur në të njëjtën sallë me emrat e nxënësve të vdekur. Rrënojat e shkollës së shkatërruar janë një kujtim i fëmijëve të vdekur nga neglizhenca e autoriteteve kineze.

Forge; Foto: Meta.mk

Në salla të veçanta, Ai Weiwei hedh një vështrim kah vetja edhe dëshminë për qëndrimin jodemokratik të aparatit shtetëror komunist në Kinë, për ditët e kaluara në burg dhe marrëdhënien që e pranon nga vendi i tij si disident, thjesht sepse ekspozon publikisht problemet me të cilat përballet shoqëria kineze.

Censura, monitorimi i çdo hapi dhe qëndrimi i qeverisë jodemokratike kineze ndaj Ai Weiwei; Foto: Meta.mk

Përveç se kritikojnë, bëjnë thirrje për humanizëm dhe kërkojnë ndërgjegjësim, veprat artistike të Ai Weiwei janë gjithashtu jashtëzakonisht inovative për shkak të përdorimit të kubat Lego si një mjet prodhimi. Në njërën prej tyre, ai rikrijon flamurin kombëtar saudit pas vrasjes së gazetarit saudit Xhamal Kashoghi, që ndodhi në Stamboll në vitin 2018. Fjalët e fundit të Kashogit “Nuk mund të marr frymë” janë shkruar në flamurin e Arabisë Saudite, duke përdorur kuba Lego.

Ai Weiwei thotë se ekspozita e tij në Vjenë është radikale dhe kritike. Sa herë që lind një problem që e prek njerëzimin, misioni i tij është të dalë në terren dhe të ndjejë vuajtjet, të “futet në këpucët e tyre”, nga e cila si rezultat përfundimtar lind vepra artistike.

Foto: Meta.mk

Padyshim që ekspozita “Në kërkim të njerëzimit” në Vjenë ia vlen të vizitohet. Kujtimet e ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare, pikëpamjet e Ai Weiwei-t ​​për to, janë vetëm një shtresë, e cila plotësohet nga “privilegji” i vizitorit për t’u njohur me të gjitha periudhat krijuese të autorit, me integritetin e veprës së tij të ofruar nga “Albertina Moderna”. Ekspozita Ai Weiwei në Vjenë do të jetë e hapur deri më 4 shtator të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button