fbpx

Tetovë, drejtoresha e gjimnazit thotë se nga Komuna i kanë kërkuar të jep dorëheqje, Kasami e mohon

Drejtoresha e Gjimnazit të Tetovës “Kiril Pejçinoviq”, Teuta Llalla thotë se dy persona nga Komuna e Tetovës të thirrur në emër të kryetarit Bilall Kasami, të premten e kanë thirrur në Komunë ku i kanë kërkuar të jep dorëheqje. Kasami për Portalb.mk tha se nuk është në dijeni për një gjë të tillë, shkruan Portalb.mk.

Drejtoresha Lalla sqaron se ditën e premte në ora 15:05 ka marrë një telefonatë nga Sedat Sulejmani (ish zëvendësministër i Kulturës), i cili u thirr në emër të kryetarit të Komunës dhe e ftoi të paraqitet në zyrat e Komunës.

Teuta Lalla, foto: TV21
Teuta Lalla, foto: TV21

“Në ora 15:18 un mbërrita në zyrat e Komunës dhe e telefonova Sadatin se jam prezentë në zyrat e Komunës. Pas një pritjeje afër 10 minuta vjen zotëri Sadati nga korridori dhe më merr dhe futemi në një zyrë të Komunës ku ishte bashkë me personin tjetër Valedin Ademi. Nga ana e Sadatit u kërkua dorëheqja ime në emër të kryetarit të Komunës. Kërkova sqarim dhe takim me kryetarin e Komunës. Deklarata e atij ishte se e kishe paraparë edhe këtë kërkesë nga ana juaj kryetari i Komunës por më ka autorizuar të flas në emër të tij dhe nuk pranon të takoheni me të. Kërkova arsyet dhe shkaqet përse duhet të mbërrije deri në këtë pikë, nuk e vazhdoi shumë muhabetin dhe tha se kryetari deri ditën e hënë pret dorëheqjen tuaj”, tha Lalla.

Ajo sqaron se nuk ka dorëzuar dorëheqjen duke thënë se “nuk gjej arsye para vetes për të dhënë një dorëheqje.”

I pyetur për këtë rast, kryetari i Komunës Bilall Kasami tha se nuk është i njoftuar për diçka të tillë.

Bialall Kasami, foto: Portalb.mk
Bialall Kasami, foto: Portalb.mk

“Unë nuk e di njerëzit, domethënë a mund të ketë kaq të çmendur që dikush zyrtarisht në Komunë të kërcënojë dikë derisa unë jam aty kryetar, nuk kam informata se për çfarë zyrtarisht bëhet fjalë e dini sot tërë ditën kemi qenë në aksion. Sigurisht që do të ketë informim zyrtar, por unë nuk besoj se mund të ketë kërcënim ndaj dikujt për çfarëdo veprimi. Fatkeqësisht në shkollat tona kemi edhe kështu drejtorësh që ju pjellë mendja edhe kështu gjërash”, tha Bilall Kasami për Portalb.mk.

Lalla shtoi se Kasami mund të mos jetë i njoftuar për këtë rast.

“Nëse kryetari nuk ka informata, le ti pyes njerëzit përreth edhe pse u thirrën në emër të kryetarit, nuk dua të amnistoj askënd por është e mundur që kryetari mos ta ketë një informatë të tillë”, tha Llalla.

Ajo shtoi se nuk e din se cila është detyra juridike e  Sedat Sulejmanit (ish zëvendësministër i Kulturës)  në Komunës, pasi ai menaxhon me procesin e arsimit. Ajo thotë se ai është pjesë e grupit të drejtorëve të shkollave në Viber ku jep urdhërra dhe instruksione për shkollat se si do të ecë procesi nëpër shkolla.

Ndryshe, rastin Lalla e ka paraqitur edhe në polici, ku nga kjo e fundit njoftojnë se po merren masa për zbardhjen e rastit dhe do të vijojë parashtresë përkatëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button