Komuna e Tetovës pranverën e filloi me pastrimin e qytetit, por zgjidhje konkrete afatgjate për pastërtinë e qytetit ende nuk ka (FOTO-VIDEO)

Pranvera në Tetovë filloi me aksionin ekologjik nga Komuna e Tetovës për pastrimin e qytetit nga mbeturinat dhe disa mini deponi. Autoritetet komunale bëjnë thirrje te qytetarët që ky aksion të shërbejë si një alarm për atë se duhet pasur kujdes ku hedhen mbeturinat. Ndërkaq për zgjidhje afatgjate premtojnë se janë në përgatitje të një fushate më të gjerë vetëdijësuese për qytetarët. Nga ana tjetër ende ka shumë sipërfaqe të mbuluara me mbeturina që mbetën të paprekura, shkruan Portalb.mk.

Duke filluar nga Komuna e Tetovës, administrate komunale së bashku me kryetarin e komunës dhe të punësuarit e NPK-së filluan të pastrojnë rrugët nga mbeturinat e hedhura jashtë kontejnerëve. Në aksion u bashkëngjitën edhe Ballistët të cilët pastruan pjesën e tribunës së tyre brenda stadiumit dhe jashtë hyrjes së hyre.

Kryetari i Komunës, Bilall Kasamiu shpreh se ky aktivitet realizohet në kuadër të kampanjës për sensibilizimin e qytetarëve për pastërtinë e qytetit.

“Sot kryesisht përmes administratës, të punësuarve nëpër shkolla si dhe nxënësve të shkollave të mesme që dalë ngadalë të nisim procesin e sensibilizimit dhe edukimit mbarë qytetar që të lehtësojmë punën e NPK-së për pastrimin e qytetit”, tha Kasami.

Aksion ekologjik për pastrimin e Tetovës nga mbeturinat

Ai shtoi se fillimisht do të shkohet me fazën e edukimit dhe sensibilizimit dhe pastaj nëse do të ketë qytetarë që pas kësaj nuk do kujdesen për ambientin, do të ketë edhe dënime.

“Ne sot kishim një delegacion nga Komuna e Konjës (Turqi) me të cilët do të realizojmë një projekt zero mbeturina në qytetin tonë dhe me të cilat do të shkojë një fushatë senzibilizuese për të gjithë”, shtoi Kasami.

I pyetur nga Portalb.mk se çfarë konkretisht do pastrohet sot, Kasami tha se përmes Ndërmarrjes Publike Komunale janë caktuar shtatë pika kryesore, disa minideponi, ambientet në shkolla, rrugët përreth tyre dhe disa pika të tjera.

Aksion ekologjik për pastrimin e Tetovës nga mbeturinat
Aksion ekologjik për pastrimin e Tetovës nga mbeturinat

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i NPK-së, Daut Memishi njoftoi se cilat deponi do pastrohen.

“Ka një mini deponi te rruga e cila shkon te Pallma Mall mbi urën, ajo do të pastrohet, edhe një pjesë tjetër në fshatin Jedoarcë mbi fshatin Xhepçisht. Këto janë si dy minideponi të detektuar për momentin”, tha Memishi.

Aksioni ekologjik u përkrah edhe nga nisma qytetare “Më mirë për Tetovën” (MMPT).

“Po e përkrahim patjetër, edhe ashtu MMPT rregullisht ka organizuar aktivitete të tilla dhe do vazhdojë edhe pas kësaj. Sot dot dalim në dy grupe në qytet si dhe individualisht secili në lagjen e vet për të pastruar ashtu siç ishte edhe thirrja”, thanë nga MMPT.

Më mirë për Tetovën, aksion ekologjik për pastrimin e Tetovës nga mbeturinat
Më mirë për Tetovën, aksion ekologjik për pastrimin e Tetovës nga mbeturinat

Problem në vete janë edhe kontejnerët të cilët janë në trotuare dhe në mes të rrugëve, të cilët pengojnë kalimin e qytetarëve. Për këtë, Memishi tha se janë në përgatitje të plan programit për rregullimin e tyre.

“Jemi duke bërë plan program që të gjithë kontejnerët të rregullohen, pjesa e strukturës që është e prishur dhe pritet të vijë një donacion nga jashtë brenda këtij muaji ose muajit tjetër. Për pjesën e lokacioneve kemi probleme sepse disa pjesë të cilat kanë qenë të paraparë për kontejnerë janë mbyllur dhe për atë duhet të shohim procedurat si janë”, tha Memishi.

Aksion ekologjik për pastrimin e Tetovës nga mbeturinat
Aksion ekologjik për pastrimin e Tetovës nga mbeturinat

Problem tjetër janë edhe mbeturinat e ngurta të cilat krijojnë mini deponi në vete brenda të qytet por edhe jashtë. Kasami kohë më parë premtoi edhe përcaktimin e dy pikave për grumbullimin e materieve interte dhe mobiljeve, por deri tani nuk ka pasur njoftim nga ana e Komunës për këto dy pika. I pyetur për këtë, Kasami u shpreh kështu:

“Janë identifikuar lokacionet jemi në bisedime me operatorë privatë aë duhet të menaxhojnë edhe mbeturinat inerte, janë procese për të cilat kur do kemi zgjidhje përfundimtare do të njoftohet opinioni.

Qytetarët ankohen se në aplikacionin “E-report”  të Komunës, ku mund të raportojnë ndotësit, numri është jofunksional dhe ankesat e tyre nuk merren parasysh. I pyetur se pse nuk funksionon i njëjti dhe kur do lëshohet në funksion, Kasami tha se nuk ka informacion dhe se duhet ta sheh se çka është problemi.

Sidoqoftë, shumë hapësira mbetën të paprekura pasi nuk mjafron një ditë për një pastrim gjeneral të të gjithë qytetit kur i njëjti ka shumë hapësira të cilat janë plotë mbeturina nga qytetarët e pandërgjegjshëm.

Ndryshe, ky aksion ekologjik ishte pjesë e 100 ditëshit të parë të Kasamit në krye të Tetovës dhe ishte i paraparë të realizohej me 27 nëntor 2021, por i njëjti u pezullua për më vonë për shkak të aksidentit tragjik në Bullgari ku humbën jetën 45 qytetarë të Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button