Ukraina, Fukuyama dhe ‘Putleri’ (I)

Para disa ditëve, i ftuar nga IDSCS (Institutit për Demokraci “Societas Civilis”) për të ligjëruar në “Akademinë e Katërt të Lidershipit për Zhvillim”, në Maqedoninë e Veriut, qëndroi mendimtari, filozofi dhe politologu i madh amerikan nga Universiteti i Stanfordit, Francis Fukuyama (1952), autor i të shumëshiturës Fundi i historisë dhe njeriu i fundit (1992). Shkencëtari i cili shpalli fitoren e Perëndimit ndaj Lindjes, të kjapitalizmit ndaj komunizmit, i cili kumtoi “fundin e historisë”, i cili pohoi se njerëzimi nëse s’ka gjetur formulën politike më të mirë, ka gjetur më pak të keqen nga ato që janë provuar deri tani: demokracinë liberale dhe kapitalizmin me elementet e shtetit të mirëqenies,  me individualizmin dhe tregun e lirë. Sipas tij, organizimi më i mirë i jetës në polisin e madh global është i mundur vetëm në demokracinë liberale. Në shekullin XXI bota në udhëheqjen e SHBA-ve do të shijonte një sistem të vetëm të global të demokracisë – pati deklaruar  ai në fillim të viteve 1990. Por, në vitin 2020 ai u shpreh me dyshime për liberal demokracinë amerikane: regjimin e Trumpit e quajti epitom të “kakistokracisë”, të qeverisjes së më të këqinjve. Ndërkohë në shumë vende europiane qeverisin lëvizje ekstreme djathiste që lëkundin besimin në rendin liberal-demokratik.

Muajin e fundit shohim se rendi botëror i ndërtuar pas vitit 1989, pas rënies së Murit të Berlinit po përjeton tronditje të fuqishme. Tridhjetë vitet e optimizmit politik dhe më gjerë sikur po sfidohen nga skenaret më fatzeza (Lufta e Tretë Botërore, lufta bërthamore) për globin dhe njerëzimin. Trashëgimtarja më e fuqishme dhe “më e natyrshme” e BRSS-së, Rusia po lëkund rendin e unipolaritetit postkomunist dhe sikur sërish po bien retë e bipolaritetit të dikurshëm. Ndërkohë kohëve të fundit edhe Huntingtoni edhe Fukuyama janë në shënjestër. (shih: Sh. Mostofa, H. Brasted, “How Huntington and Fukuyama Got 21 Century Wrong?”, 2020). Fukuyama (2001) ka folur për përplasjen e islamit me modernizimin, por sot del se me modernizmin kanë probleme edhe Kina, Rusia, Venecuela, shumë vende të Orientit… Kina ka shpikur platformat e veta të internetit, hapësirën e vet mediale, Rusia është në rrugën e njëjtë. Presidenti turk me sloganin “Bota është më e madhe se 5” godet fuqishëm gjithandej sistemin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që shpesh rezulton jofunksional.

Fukuyama gjatë qëndrimit në Shkup në ligjëratën e  mbajtur në “Iustinianus Primus” ligjëroi për luftën në Ukrainë, përfundimi i së cilës determinon se si do të duket bota e së ardhmes. Dy skenare janë të mundshme sipas profesorit në fjalë: negative dhe pozitive. E para, nëse Putini e rrënon pushtetin e zgjedhur në Kiev dhe instalon qeveri kukull duke përvetësuar pjesë të Ukrainës apo të tërën e bën pjesë të Rusisë së Madhe. Atëherë do jepej përshtypja se aleatët perëndimorë s’mund t’i bëjnë gjë dhe kjo luftë do të ketë refleksion edhe në Ballkan, ku politikat identitare janë ende të fuqishme (360stepeni.mk) dhe ku sipas Fukuyama-s demokracia liberale s’ka lëshuar rrënjë sa duhet, ngjashëm si në Rusi ku paracaktuese është tradita centraliste që s’i lë hapësirë liberalizmit. Në Ballkanin problematik, serbët e Bosnjës ka mundësi të shpallin pavarësinë e Republika Sërpska-s, me çka do të hapej kutia e Pandorës, do të problematizoheshin edhe  Kosova, Maqedonia e Veriut… Nëse realizohet skenari i dytë, nëse Rusia detyrohet të tërhiqet nga Ukraina, “Володя” Putini, i mbiquajtur ‘Putler’ (Putin+Hitler [Chapel, 2022]) nënçmohet, bota demokratike ngadhënjen dhe ruhet rendi europian që ekziston që nga viti 1991. Në atë rast, “sultanizmi rus”, putinizmi dhe demokracia e menaxhuar (managed democracy) definitivisht dalin si koncepte dhe projekte të dështuara. (Recknagel, 2016) /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button