ANALIZË: Rritja e çmimeve të misrit, grurit, bakrit, naftës – rishikim në rritje i inflacionit në RMV!

Kornizat e një Buxheti të ri, të ribalancuar 2022 janë duke u hartuar. Është e sigurt që norma e inflacionit, e cila tashmë parashikohet në 2.6%, do të jetë shumë më e lartë. Rishikime në rritje të çmimeve të lëndëve të para bazë parashihen edhe në raportin e fundit të Bankës Popullore – me rritje dramatike të çmimeve të metaleve në tregjet botërore. Në vend – Qeveria po përpiqet të amortizojë valën e rritjes së çmimeve përmes uljes së taksave dhe ndihmës të drejtpërdrejte për qytetarët dhe kompanitë, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk

Çmimet e ushqimeve, produkteve ushqimore, naftës, metaleve – Maqedonia nën ndikimin e “inflacionit të importit”…

Partnerët më të afërt dhe më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë do të përballen me rritje të inflacionit – Gjermania, Bullgaria, Serbia janë vendet nga të cilat importojmë më së shumti dhe për këtë arsye në periudhën e ardhshme pritet rritje e mëtejshme e “inflacionit të importit”. Në raportin e fundit mujor, Banka Popullore njofton se parashikimet për rritje të çmimeve të lëndëve të para bazë për produktet ushqimore janë në rritje. Lufta në Ukrainë tashmë po kërcënon të prishë zinxhirin e furnizimit.

 Për vitin 2022, vlerësimet janë rishikuar në rritje, me rritje më të lartë të çmimit të grurit dhe rritje, në vend të rënies, të çmimit të misrit. Tendenca rritëse e grurit është kryesisht për shkak të shqetësimeve të investitorëve për ndërprerje të mundshme të kanaleve të furnizimit në rajonin e Detit të Zi për shkak të situatës së tensionuar në Ukrainë, sa i përket misrit, reflektohen pritshmëritë për nivele më të ulëta të prodhimit të misrit në Argjentinë dhe Brazil, thonë nga Banka Popullore.

Kohëzgjatja e luftës në Ukrainë do të jetë një faktor kyç për situatën ekonomike në Evropë dhe në botë – por nëse ka një qetësim tashmë në vitin 2023, pritet një rënie e çmimeve të ushqimeve. Por jo vetëm ushqimet dhe lëndët e para, majat e çmimeve kanë arritur tashmë edhe derivatet e naftës. Vetëm vitin e kaluar çmimi i naftës në bursat botërore u rrit me 61%. Ky trend ka vazhduar – madje është intensifikuar për shkak të pushtimit ushtarak të Ukrainës nga Rusia – të dyja vendet të rëndësishme për zinxhirin botëror të furnizimit me ushqim dhe energji.

“Për vitin 2022 është bërë një rishikim në rritje i çmimit të naftës. Ky korrigjim është kryesisht për shkak të pritjeve më të ulëta të ofertës, përballë stoqeve të ulëta të naftës globale, uljes së interesit për të investuar në industrinë e naftës si rezultat i kalimit në burimet e rinovueshme të energjisë dhe tensioneve aktuale gjeopolitike.” – deklarojnë nga BPRM.

Parashikimet për inflacion më të lartë me ribalancim të buxhetit për vitin 2022

Çmimet e karburanteve në vend tashmë kanë thyer rekorde. Por rritja e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve nuk janë të vetmet që zgjojnë “spiralën e inflacionit”. Rritje e madhe e çmimeve dhe e metaleve – që tashmë ka sjellë rritje të çmimeve të pasurive të paluajtshme. Në vitin 2021, çmimet e bakrit dhe nikelit shënuan rritje të fortë prej 46,1% dhe 29,6% dhe kjo rritje pritet të vazhdojë edhe këtë vit.

“Për vitin 2022 është bërë një rishikim në rritje, veçanërisht i çmimit të nikelit dhe pritet një rritje më e lartë se sa ishte projektuar. Lëvizjet në rritje të bakrit janë kryesisht për shkak të stoqeve të ulëta globale dhe pengesave në zinxhirët e furnizimit, ndërsa te nikelit kjo është kryesisht për shkak të kërkesës më të lartë nga industria e makinave elektrike (bateritë), në kushtet e reduktimit të stoqeve të nikelit”, vlerëson Banka Kombëtare.

Të gjitha këto parashikime dhe pritshmëri janë në tavolinë në Qeveri – tashmë janë duke u hartuar projeksionet e reja për inflacion më të lartë se niveli i parashikuar tani prej 2.6%. Peshën kryesore e kanë çmimet e energjisë dhe produkteve ushqimore, por analistët në BPRM vlerësojnë se “inflacioni bazë” është “ushqyer” nga rritja e çmimeve në disa sektorë:

“Në bazë vjetore (në janar), norma bazë e inflacionit ishte 3.2% (2.9% në muajin paraardhës), brenda së cilës kontributin më të lartë pozitiv e kanë dhënë çmimet e shërbimeve në restorante dhe hotele, të shtuara nga çmimet e transportit ajror. dhe në një pjesë të vogël të çmimeve të makinave, pajisjeve informative, produkteve të higjienës personale, pijeve joalkoolike, si dhe çmimeve të produkteve farmaceutike”.

Për momentin, të gjitha pritshmëritë për rritjen e çmimeve janë në rritje dhe ecuritë më të larta në këtë moment krahasuar me ato të parashikuara, krijojnë rreziqe rritëse që kanë vënë tashmë në pikëpyetje normën e parashikuar të inflacionit në vitin 2022.

Portalb.mk tashmë ka analizuar dhe publikuar të dhëna për varësinë nga importi të ekonomisë maqedonase dhe ekspozimin e saj ndaj lëvizjeve të jashtme inflacioniste.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button