Pa besimin e qytetarëve në gjyqësor nuk mundet të ketë sundim të ligjit dhe qeverisje të drejtë

Vlerat themeluese të BE-së përfshijnë sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Një sistem gjyqësor efektiv, i pavarur, cilësor dhe efikas dhe një luftë efektive kundër korrupsionit janë jetike për funksionimin e mirëfilltë të një vendi. Megjithatë, vendi jonë me sa duket është larg përmbushjes së këtyre vlerave. Tregues real i kësaj situate është besimi i dobët i qytetarëve në sistemin gjyqësor si dhe kritikat që mori vendi në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian, shkruan Portalb.mk.

Besimi është vlera më e rëndësishme në sistemin e drejtësisë. Nuk mundet të ketë sundim të ligjit dhe qeverisje të drejtë nëse qytetarët nuk besojnë se të zgjedhurit e tyre në drejtësi punojnë në mënyrë profesionale dhe mbi të gjitha ndershmërisht. Besimi i qytetarëve të RMV-së në gjyqësorë është në shkallë shumë të ulët, këtë realitet shqetësues e pasqyroi edhe anketa  e fundit nga IRI (International Republican Institute)  ku vetëm 3% e të anketuarve thanë se besojnë në gjyqësor, 30% thanë se besojnë deri diku ndërsa 42% thanë se nuk i besojnë aspak gjykatave dhe sistemit gjyqësor në përgjithësi. Sipas anketës së IRI-it mjaftë i ulët është edhe besimi në Prokurorinë Publike. Sundimi i ligjit në një shoqëri demokratike nënkupton se të gjithë individët dhe institucionet janë të barabartë para Ligjit dhe Kushtetutës, megjithatë kjo bindje vjen duke u zvogëluar nga viti në vit në shoqërinë tonë.

Tabela 1 / Burimi: IRI

Sa i përket besimit të ulët në gjykatat e vendit, pak kohë më parë ashpër dhe pa dorashka diplomatike u shpreh edhe ambasadorja amerikane në Shkup Kate Burnes. Ajo iu referua një sondazhi të fundit të Eurohtink ku thuhet se vetëm 8% e qytetarëve i besojnë gjyqësorit.

“Nuk është sekret që publiku nuk beson në drejtësi. Duket qartë, ka shumë punë për të bërë, përfshirë reformën në drejtësi dhe forcimin e institucioneve, por duhet të adresohen edhe perceptimet – njerëzit duhet të shohin dhe të ndjejnë se sistemi funksionon. Qytetarët duhet të sigurohen se çështja e tyre do të shqyrtohet nga gjykata neutrale dhe të pavarura brenda një kohe të arsyeshme. Ky është një parim themelor në çdo demokraci të lirë dhe funksionale”, tha Burns sot në konferencën ndërkombëtare gjyqësore “Pavarësia e gjyqësorit përmes procesit të reformës – pritjet dhe realiteti” në Shkup.

Ambasadorja amerikane shtoi se për të fituar respektin e qytetarëve, gjyqësori duhet të jetë efikas, i pavarur dhe të zbatojë ligjin në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Konferenca “Si të kthehet besimi në gjyqësor”, e organizuar nga grupi “Blu Print” / Burimi i fotografisë: www.facebook.com/bluprint.group.for.judicial.reforms

Në konferencën me temën- Si të kthehet besimi në gjyqësorin, e organizuar nga grupi “Blu Print” i organizatave civile për reforma në gjyqësor, u tha se ky sektor përballet me sfida të shumta dhe duhet të bëhet më shumë për të pasur rezultate konkrete. Gjykatat vitin 2021 e kanë filluar me rreth 98 000 lëndë të mbetura nga viti paraprak dhe mbi 500 000 lëndë të reja. Viti ka përfunduar me mbi 95 mijë lëndë të pazgjidhura ndërsa 5000 janë kthyer prej në fillim.

Infografik për lëndët gjyqësore
Infografik për lëndët gjyqësore

Buxheti i pamjaftueshëm cenon pavarësinë e gjykatave në Maqedoninë e Veriut

Rritja e buxhetit gjyqësor është më se e nevojshme që ky sektor të përforcojë aktivitetet e tij. Një “përforcim” financiar do bënte që sistemi jonë i drejtësisë të jetë më i pavarur në praktikë, më transparent, më efikas dhe më i besueshëm për qytetarët. Buxhetimi i gjyqësorit dhe prokurorisë, ekspertët e fokus grupit e vlerësuan si elementin ndoshta më të rëndësishëm në arritjen e një pavarësie efektive në këto fusha.

“Korniza strategjike, ligjet dhe zbatimi janë tre shtyllat kyçe për reformat në drejtësi, mbi të gjitha, të gjyqësorit dhe prokurorisë, nga aspekti i ndryshimeve të integrimeve evropiane. Ndërkohë që në dy shtyllat e para kanë një vlerësim relativisht të kënaqshëm, zbatimi i reformës në drejtësi është një element që kërkon një dozë “përforcuese” të reformës, në të gjitha fushat. Të gjithë treguesit tregojnë se kjo dozë “përforcuese” duhet të jetë mbi të gjitha financiare, gjegjësisht më shumë para nga buxheti për zbatimin e reformave. Ky do të ishte një konkluzion i shkurtër për situatën në këtë fushë gjatë vitit 2021 nga monitorimi që kemi bërë në dy tremujorët e fundit të vitit”, citohet në dokumentin me titull “Gjyqësorit i duhet dozë përforcuese financiare“, të publikuar nga “Metamorphosis”.

Sipas rregulloreve ligjore, shteti është burimi kryesor i të ardhurave edhe në gjyqësor edhe prokurori, edhe atë kryesisht nga buxheti i shtetit, një pjesë e të cilit sigurohet nga fondet e veta, kurse një pjesë nga grantet e donatorëve ndërkombëtarë. Buxheti për pushtetin gjyqësor në vitin 2022 është rritur dhe shpenzimet bazë nga thesari i shtetit do të arrijnë në 2,18 miliardë denarë ose rreth 35,5 milionë euro, ndërsa me aktivitete vetëfinancuese dhe donacionet për gjyqësorin do të ketë në dispozicion rreth 37,7 milionë euro. Kjo është një rritje prej vetëm 2,5 milionë euro, duke marrë parasysh shpenzimet buxhetore, si dhe vetëfinancimin dhe donacionet, krahasuar me buxhetin e vitit 2021. Megjithatë, vendi akoma mbetet shumë larg detyrimit të tij ligjor për financimin e gjyqësorit me 0,8 për qind të PBB-së

BE vlerëson se RMV-ja duhet të bëjë ende përpjekje për të siguruar sundimin e Ligjit

Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian u theksua se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për të zbatuar acquis të BE-së dhe standardet evropiane në fushën e gjyqësorit. Në raport mes tjerash thuhet se në përgjithësi, është bërë njëfarë progresi megjithatë korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese. Maqedonia e Veriut vazhdon të përmbushë detyrimet e saj të përgjithshme për të drejtat themelore, por ka sfida në zbatimin e legjislacionit ekzistues.

“Sistemi gjyqësor i Maqedonisë së Veriut ka një nivel përgatitjeje/është mesatarisht i përgatitur. Është arritur njëfarë përparimi në lidhje me zbatimin e strategjisë së reformës në drejtësi, duke adresuar më tej rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe Grupit të Ekspertëve të Lartë për çështjet sistematike të Sundimit të Ligjit. Nevojiten ende përpjekje për të siguruar zbatimin sistematik të planit të veprimit të përditësuar mbi strategjinë e reformës në drejtësi dhe strategjitë e burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe prokurorinë. Institucionet e drejtësisë vazhdojnë të zbatojnë rregullat e reja për emërimin, ngritjen në detyrë, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorët”, theksohet mes tjerash në Raportin e Progresit.

Në fushën e gjyqësorit janë 3 rekomandime që dalin nga Raporti dhe që vitin e ardhshëm vendi duhet të fokusohet dhe të punojë me seriozitet:
1. Të përshpejtojë zbatimin e vazhdueshëm të strategjisë së reformës në drejtësi dhe planit të përditësuar të veprimit, me fokus të veçantë në miratimin e një ligji të ri për procedurën civile, në përputhje me standardet evropiane;
2. Zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për rrjetin e gjyqësorit dhe prokurorisë publike, përdorimin e tyre si tregues për projeksionet për rekrutimet e ardhshme;
3. Të përmirësojë sistemin e automatizuar të informacionit për menaxhimin e çështjeve gjyqësore (ACCMIS) për të siguruar që ai të jetë plotësisht funksional dhe i besueshëm

Edhe përkundur konkluzioneve të Raportit të Progresit nga Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut thonë se, strategjia e Reformës në Sektorin Gjyqësor 2017-2022 me Plan Veprimi e miratuar nga Qeveria në nëntor 2017, zbatohet në vazhdimësi nga të gjithë aktorët e sektorit të drejtësisë dhe aktivitetet prezantohen në një seancë të Këshillit të Reformës.

Shumë nga aktivitetet tashmë janë zbatuar dhe i referohen gjyqësorit dhe prokurorisë publike, si dhe legjislacionit që është miratuar në masë të madhe. Në procedurë parlamentare sipas planit të veprimit janë Ligji për Avokaturën, Ligji për Procedurën Civile, Ligji për Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, Ligji për Përgjegjësinë Civile për Fyerje dhe Shpifje dhe Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ndërkohë intensivisht po punohet në Ligjin për Procedurën Penale, Kodin Penal, Ligjin për Ekspertizën dhe Ligjin për Vlerësimin. Reforma në fushën civile si aktivitet do të ketë një afat të mëvonshëm zbatimi. Gjithashtu, Plani i Veprimit përmban aktivitete që realizohen në vazhdimësi, si trajnime nga Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, publikimi i vendimeve të Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe Këshillit Gjyqësor në ueb faqen e tyre, përditësimi i rregullt i faqeve të internetit të këtyre dy këshillave, mbajtjen e takimeve të rregullta ndërmjet Gjykatave të Apelit dhe Gjykatës së Lartë të RSM dhe unifikimin e praktikës gjyqësore”, deklaruan për Portalb.mk nga Kabineti i Ministrit të Drejtësisë.

Nga Kabineti i Nikolla Tupançevskit gjithashtu bënë të ditur se strategjia e re pritet të përgatitet në fund të këtij viti dhe në periudhën 2023-2027.

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button