fbpx

Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare e Presidentit Joe Biden vizitë në Kosovë

Një delegacion i Shtëpisë së Bardhë i kryesuar nga Elizabeth Sherwood-Randall, Këshilltare për Sigurinë Kombëtare e Presidentit të SHBA-së, Joe Biden, nga mbrëmja e së premtes (18.03) po qendron në Kosovë, ku zhvilloi bisedime me dy udhëheqësit më të lartë të shtetit, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Takimet ishin veçmas ndara me dyer të mbyllura, ndërsa, presidentja Osmani, shkroi pas takimit, se “marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë jetike dhe strategjike”. Presidentja Osmani tha, se Kosova është “duke e shtuar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, posaçërisht në forcimin e marrëdhënieve politike, ushtarake dhe ekonomike”, transmeton DW.

“Jemi krenarë për intensifikimin e bashkëpunimit tonë me Shtetet e Bashkuara. Kosova është transformuar nga një vend importues të paqes në një vend eksportues të paqes me mbështetjen tuaj dhe jemi të bindur se mund të ndërtojmë mbi këto arritje së bashku. Ashtu siç përmendi presidenti Biden, gjatë vitit të kaluar Kosova ka demonstruar vazhdimisht lidership në skenën ndërkombëtare. Sot, Kosova është avokuese e fortë për paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë”, theksoi ndër të tjera, presidentja Osmani.

Ndërkohë nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti, pas takimit me Sherwood, theksoi dimensionin e aleancës dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe tha se “Kosova dhe populli i saj janë çdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjes për ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“U bisedua për invazionin rus dhe agresionin ushtarak në Ukrainë, situatën e re politike dhe nevojën për kujdes të shtuar në këtë pjesë të Evropës”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Sipas këtij njoftimi, “znj. Randall shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në çështjen humanitare të strehimit të qytetarëve afganë të shpërngulur nga konflikti në Afganistan si dhe në luftën kundër terrorizmit”.

Kosova iu është bashkuar sanksioneve evropiane dhe amerikane kundër Rusisë, si dhe ka shprehur gatishmërinë për të pranuar dhe mundësuar kushte pune për 20 gazetarë ukrainas si dhe gatishmëri për strehim të deri 5000 refugjatëve nga Ukraina.

Vizita në Kosovë  e Elizabeth Sherwood-Randall, Këshilltare për Siguri Kombëtare e Presidentit amerikan Joe Biden, realizohet një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, publikoi një letër ku i kërkoi presidentit të SHBA-së Joe Biden që ta ndihmojë Kosovën të bëhet anëtare e NATO-s në një kohë kur Rusia po bën përpjekje për të destabilizuar Ballkanin. Presidentja Osmani thotë, se “anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë një çështje jetike për Prishtinën”, ndërsa i kërkoi presidentit Joe Biden që të përdorë “udhëheqjen dhe ndikimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit të Kosovës në NATO”. Autoritetet e Kosovës tashmë kanë themeluar grupin punues ndërinstitucional, për të koordinuar veprimet me synimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. E gjithë kjo për shkak të shqetësimeve se agresioni i Rusisë në Ukrainë mund të nxisë destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Rreziku i destabilizimit të Ballkanit pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, ishte temë e bisedimeve edhe gjatë vizitës tjetër të niveit të lartë mbrëmjen e së premtes (18.03) të ancelarit të Austrisë Karl Nehammer. Kancelari i Austrisë, Nehammer, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, tha se Kosova dhe Austria duhet ta ndihmojnë njera-tjetrën si shtete mike për të tejkaluar sfidat e kohës, siç janë pasojat e pandemisë COVID-19 dhe ato të luftës në Ukrainë.

“Federata Ruse e ka sulmuar Ukrainën dhe tani shtrohet çështja se çfarë pasojash do të ketë edhe për ne në rrethanat tona dhe se ku mund ta ndihmojmë njeri-tjetrin. Si ta trajtojmë inflacionin, rritjen e çmimit të energjisë si dhe të produkteve ushqimore dhe të gjitha këto duhet t’i zgjidhim së bashku, sepse jemi miq që në kohëra të vështira nuk duhet ta lemë njeri-tjetrin vetëm”, tha Kancelari Nehammer. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij tha, se në Ukrainë po shkelet çdo normë ndërkombëtare dhe njerëzore nga Rusia, duke sulmuar një komb në mënyrë të paarsyeshme dhe të paprovokuar. Sipas tij, kjo luftë mund të rrezikojë edhe Ballkanin Perendimor.

“Përshtypja ime është që presidenti rus dëshiron të ulet në tryezën e negociatave jo me presidentin Zelensky, por me presidentin Biden dhe për këtë qëllim të tij, që do t’i përngjante një Jalte II, një lloj konference të re të Jaltës. Unë kam drojën që ai do ta intensifikojë luftën në Ukrainë por edhe do ta shpërndajë atë diku tjetër, sepse ai nuk mund të ulet dot në tryezën e negociatave vetëm me agresionin në Ukrainë. Ballkani Perendimor është i rrezikuar meqë edhe në Ballkanin Perendimor ka luftë hibride. Sputnik-u e ka qendrën në Beograd ndërsa 160 kilometra larg nga ku jemi ne sot, në Nish, ndodhet e ashtuquajtura “Qendra Humanitare Ruse”, ajo është një qendër aktive plot me agjentë rus, ne jemi të brengosur por jo të frikësuar”, tha kryeministri Kurti. Kancelari i Austrisë, zoti Nehammer tha, se “në rast të çfarëdo lloj kërcënimi, Kosova nuk është vetëm”.

“Austria ka kontigjentin më të madh brenda trupave të NATO-s në Kosovë. Edhe ky mision i paqes është një shenjë sikurse në Bosnje ku kemi gjithashtu austriakë, prandaj është e rëndësishme që Bosnja sikurse edhe Kosova ta dinë se nuk janë vetëm. Pra nëse ka kërcënime reagohet shpejt. Miqësinë që e përmenda më parë dhe lidhjen tonë, këto nuk janë vetëm fraza apo fjalë por janë politikë konkrete”, tha Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button