U hap ura që lidh Evropën me Azinë për 6 minuta

Presidenti turk, Tajip Erdogan, ka bërë hapjen zyrtare të një ure masive në ngushticën e Dardaneleve të premten, e fundit kjo në një seri projektesh të mëdha infrastrukturore të cilat ai u ka dhënë prioritet gjatë dy dekadave të tij në pushtet, transmeton Koha.net.

Duke lidhur brigjet evropiane dhe aziatike të Turqisë, Ura e Çanakalasë e vitit 1915 u ndërtua nga firma turke dhe koreano-jugore me një investim prej 2.5 miliardë euro. Ajo ka hapësirën kryesore më të gjatë, pra distancën midis dy kullave, nga çdo urë tjeter e ngjashme në botë, raporton CNN.

Mega projekte të tilla kanë qenë qendrore për arritjet e Erdoganit që kur Partia e tij “AK” erdhi për herë të parë në pushtet në vitin 2002, duke përfshirë një aeroport të ri të Stambollit, tunele hekurudhore dhe rrugore nën ngushticën e Bosforit të Stambollit dhe një urë mbi të.

“Këto vepra do të vazhdojnë të ofrojnë fitim për shtetin për shumë vite”, ka thënë Erdogan në një ceremoni hapjeje në përvjetorin e fitores detare osmane në vitin 1915, kundër forcave franceze dhe britanike në Dardanele gjatë Luftës së Parë Botërore.

“Këto projekte kanë një peshë të madhe për ta çuar vendin tonë përpara në investime, fuqi punëtore dhe eksporte”, ka shtuar ai.

Vitin e kaluar ai nisi atë që më parë e quajti “projektin e tij të çmendur”, një kanal 15 miliardë dollarësh në Stamboll që synonte të lehtësonte presionin në ngushticën e ngarkuar të Bosforit. Megjithatë kritikët kanë vënë në pikëpyetje zbatueshmërinë e projektit duke pasur parasysh problemet ekonomike të Turqisë, rreziqet mjedisore dhe kundërshtimin publik.

Erdogan ka thënë se çmimi për veturat që do të përdorin urën do të jetë 200 lira, apo 13.50 dollarë.

Puna në projektin e urës së Dardanelit filloi në mars të vitit 2017, me më shumë se 5,000 punëtorë të përfshirë në ndërtim.

Kjo është ura e katërt që lidh brigjet evropiane dhe aziatike në Turqi, së bashku me tri të ndërtuara në Stamboll.

Kullat e saj janë 318 metra të larta dhe gjatësia totale e urës është 4.6 km.

Deri më tani, automjetet që udhëtonin midis Anadollit dhe gadishullit të Galipolit duhej të kalonin Dardanelet në një udhëtim njëorëshe me traget, i cili duke përfshirë kohën e pritjes arrinte deri në pesë orë.

Udhëtimi tani me këtë urë do të zgjasë rreth gjashtë minuta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button