BE po shqyrton krijimin e një fondi solidariteti për Ukrainën

Bashkimi Evropian po shqyrton krijimin e një fondi solidariteti për Ukrainën, për të ndihmuar në ofrimin e shërbimeve bazë në vend dhe për të përmbushur nevojat imediate të qytetarëve, tha sot Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, transmeton The Guardian.

“Fondi do të jepte likuiditet për mbështetje të vazhdueshme ndaj autoriteteve dhe në një afat më të gjatë do të shërbente si shtylla kurrizore për rindërtimin e një Ukrainë të lirë dhe demokratike sapo të ndalojnë armiqësitë,” tha Michel në Twitter.

“Trimëria dhe qëndrueshmëria që po tregojnë ukrainasit është përulëse. BE do të vazhdojë të qëndrojë pranë jush përballë agresionit të Kremlinit”, tha Michel.

Një zyrtar i BE-së tha se krijimi i fondit do të diskutohej në një samit të liderëve të BE-së javën e ardhshme. Pushtimi rus e ka shkëputur Ukrainën nga tregjet financiare ndërkombëtare dhe fondi mund të sigurojë likuiditetin e nevojshëm për të mbajtur shërbimet qeveritare në funksion, për të vazhduar përpjekjet e mbrojtjes dhe për të ofruar shërbime bazë.

Sipas OKB-së rreth 6.5 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Ukrainës, derisa 3.2 milionë të tjerë tashmë janë larguar nga vendi që kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës, duke sanksionuar Rusinë në forma të ndryshme. Sot është dita e 23 që nga fillimi i agresionit rus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button