Kurti: Zgjerimi i konfliktit në Ukrainë rrezikon Ballkanin

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha sot se nuk përjashtohet rreziku që konflikti i Ukrainës të zgjerohet edhe në vende të tjera, duke mos përjashtuar as shtetet e Ballkanit Perëndimor, transmeton REL.

Pas takimit me kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, në një konferencë për media, kryeministri Kurti tha se Kosova ka ndërtuar aleanca të pandashme me Perëndimin, SHBA-në dhe NATO-n.

“Në të kaluarën presidenti rus Putin na ka përmend njëherë në muaj, tash po na përmend një herë një jave si Kosovë, duke tërheq paralele të paqena me Krimenë në Ukrainë. Pra, ai i cili kundërshtoi ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë, dëshiron ta keqpërdorë rastin e Kosovës për ta ushtruar hegjemoninë e vetë”, theksoi Kurti.

Kurti më tej tha në Ballkanin Perëndimor veçse është duke u përballur me një luftë hibride.

“Sputnik” [media shtetërore ruse] e ka qendrën në Beograd, kurse në Nish ndodhet e ashtuquajtura Qendra Humanitare ruse, e cila është e mbushur me plotë agjentë rusë”, deklaroi Kurti.

Nga ana tjetër, duke ju referuar ndonjë rreziku eventual, kancelari i austriak, Karl Nehammer, tha se Kosova si dhe rajoni duhet ta dinë se nuk janë vetëm në rast të ndonjë kërcënimi.

“Është e rëndësishme që Bosnja e Hercegovina edhe Kosova ta dinë se nuk janë vetëm, prandaj nëse ka kërcënime të dihet të reagohet shpejtë, këto nuk janë vetëm fjalë”, tha ai.

Mes tjerash, kancelari Nehammer, tha se me kryeministrin Kurti, ka biseduar për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkim Evropian.

“Është e rëndësishme që të definohen dhe diskutohen problemet dhe të gjendet një zgjidhje. Këtu politika e Austrisë sikurse e Gjermanisë është një katalizator i mirë për të gjetur zgjidhje të përbashkët” tha ai.

Në konferencën e përbashkët me kancelarin austriak, Kurti tha se nuk pret ndonjë incident ditën e 3 prillit kur pritet të zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë.

“Mund të jetë dikush që dëshiron destabilizim, por këtë nuk do ta gjeni te qytetarët apo institucionet e Kosovës. Por edhe nëse largqoftë, do të ketë ndonjë ekses, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë”, u shpreh Kurti.

Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës me 24 shkurt, zyrtarë të shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur dronë se mund të ketë zgjerim të konfliktit edhe në këtë rajon.

Mirëpo, zyrtarë të BE-së dhe të NATO-s, kanë thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë duke ritheksuar përkushtimin për siguri në Ballkan dhe Evropë.

Sipas OKB-së rreth 6.5 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Ukrainës, derisa 3.2 milionë të tjerë tashmë janë larguar nga vendi që kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës, duke sanksionuar Rusinë në forma të ndryshme. Sot është dita e 23 që nga fillimi i agresionit rus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button